Akuzohet SHIK-u se po i bllokon dosjet e udbashëve

  • 25 October 2016 - 07:41
Akuzohet SHIK-u se po i bllokon dosjet e udbashëve

Institucionet, të mbushura me spiunë

Distancimi nga regjimi i kaluar komunist dhe shërbimet e tij të aparatit të dhunës, sikur që kanë qenë UDB-ja dhe mekanizmat tjerë të shtetit, që kanë ushtruar torturë mbi shqiptarët, vazhdon të mbetet një temë e paprekur e politikës dhe institucioneve kosovare. Organi më i lartë përfaqësues politik në vend, Kuvendi i Kosovës, i zgjedhur me votat e qytetarëve, akoma nuk po e merr guximin që të iniciohet dhe përfundohet procesi i zbardhjes së dosjeve të ish-shërbëtorëve të UDB-së dhe rehabilitimi i tyre sikur që kërkohet edhe me konventat ndërkombëtare. Ajo që kërkohet tani nga institucionet e reja të shtetit, si proces i distancimit dhe shkëputjes nga e kaluara e regjimit totalitar, është që përmes hapjes së dosjeve të dihet se kush kanë qenë ata që kanë raportuar për shërbimin sekret serb dhe në favor të kujt, sa ka njerëz spiunë të UDB-së dhe familjarë të tyre qëllimshëm të instaluar në të tria shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet e pushtetit dhe jo vetëm kaq, por sidomos kush janë ata të instaluar jashtëligjshëm e të mbështetur nga pushteti edhe në media. Opinioni duhet të dijë se sa ka bashkëpunuar SHIK-u si shërbim me të tillët udbashë dhe cili ishte roli me mbështetje kruciale nga SHIK-u, se cilët spiunë dhe familjarë të tyre u sistemuan me lehtësi dhe pa merita në pozitat kyçe, bile edhe të larta, në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale të pushtetit të shtetit kudo, në Qeveri e administratë publike, në Legjislativ dhe rreth tij, dhe në drejtësinë kosovare - në Gjyqësor, Prokurori e në Polici, dhe cili ishte roli i SHIK-ut në mbështetje të spiunëve të UDB-së të vendosur nëpër media, në televizione, në gazeta e në portale,shkruan gazeta Kosova Sot.
Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje, ngase politika nuk është e gatshme të arrijë konsensus për hapjen e plotë të dosjeve. 

Pengesa të forta

 Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, për pamundësinë e hapjes së dosjeve të UDB-së ia hedh komplet fajin strukturës së SHIK-ut, të instaluar tanimë në politikë. "Dihet publikisht që vetë kreu i SHIK-ut ka deklaruar se ka pasur bashkëpunim me udbashë dhe me strukturat e UDB-së. SHIK-u i ka vlerësuar si thesare spiunët e UDB-së. Megjithatë, i ka likuiduar këta thesare. Arsyeja mund të jetë e thjeshtë, sepse "thesaret" kanë ditur shumë për eksponentët e SHIK-ut dhe për bashkëpunimin e tyre me "thesaret" UDB-së. Tani nuk kemi të dhëna se ku janë dosjet e UDB-së, a kanë mbetur në Kosovë apo janë në Serbi", ka thënë ai. "Nëse kanë mbetur në Kosovë, unë mendoj se ato fshihen diku apo janë zhdukur, që të zhduket lista e bashkëpunëtorëve të shumtë që ka pasur shërbimi fatkeq serb në Kosovë. Nëse janë në Serbi, atëherë jo vetëm që nuk kërkohen, por eksponentët e politikës dhe segmenteve të tjera që kanë mundur të jenë bashkëpunëtorë të UDB-së do të bëjnë çmos që të mos kthehen këto dosje në Kosovë. Në anën tjetër, vetë Serbia nuk do të lejojë që të zbulohen bashkëpunëtorët e saj në Kosovë, përmes të cilëve ajo po realizon me sukses interesat e saj në shtetin tonë, duke futur duart gjithnjë e më shumë në çështjet e brendshme të saj", tha Adem Salihaj për "Kosova Sot". Konstatim të ngjashëm ka edhe analisti Islam Krasniqi, sipas të cilit është vetë Kuvendi i Kosovës që është shndërruar në një muri të pakalueshëm për inicimin dhe hapjen e dosjeve të UDB-së. Ai ka pohuar se jorastësisht këto lista nuk janë iniciuar të hapen as nga ish-shërbimi sekret i Kosovës, SHIK-u, pasi që një kohë të gjatë ka pasur bashkëpunim ndërveprues me strukturat e UDB-së. "Shërbimi i SHIK-ut e ka lanë të errët këtë pjesë më listat UDB-së, ku nëse i shikojmë politikat ditore dhe njerëzit që i qëndrojnë krah kuptojmë se edhe në mesin e saj ka pas pjesëtarë të këtyre listave, sepse i sistemuan me lehtësi dhe pa merita në pozitat kyçe, bile edhe të larta, në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale të pushtetit të shtetit, kudo, në Qeveri e administratë publike, në Legjislativ dhe rreth tij dhe në drejtësinë kosovare - në Gjyqësor, Prokurori e në polici, në televizione, në gazeta, në portale, gjë e cila mbetet anë e errët nga SHIK-u, sepse gjithçka ka mbetur e bllokuar lidhur me të vërtetën dhe zbardhjen e këtyre listave me emra të njohur të skenës politike", tha Islam Krasniqi.

Vazhdimi i sundimit të Kosovës

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se tema e ishbashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilësuar si spiunë e udbashë, është një ndër temat më të rënda që e ka Kosova, të trashëguar nga shekulli i kaluar, dhe nuk e ka të zgjidhur akoma, as nuk është gati të shkë- putet nga një virus i tillë. "Që të dalim me emra e mbiemra të udbashëve duhet domosdo të hapen dosjet e bashkëpunëtorëve të regjimit serbo-jugosllav. Unë dhe shumë të tjerë mundemi t'i përmendim ca veta që kanë qenë në shërbim të regjimit. Por, nuk ka mundësi të tregojmë me emra udbashët, sepse janë dosje sekrete dhe ato ende po iu shërbejnë faktorëve të ndryshëm në realizimin e pikësynimeve në Kosovë", ka thënë ai. Sipas tij, dosjet e ish-agjentëve të UDB-së nuk zbulohen, sepse ka tri qëllime: "1. Vazhdimin e mëtejshëm të tyre për të sunduar në shtetin e Kosovës; 2. Moszbulimin e tyre në mënyrë që pushtetarët e tashëm më lehtë të sundojnë, sepse kemi një segment njerëzish të aftë dhe të dëgjueshëm për veprimtari antishtetërore dhe 3. Është në pyetje vetë realizimi i pikësynimeve tejet antishtetërore ndaj shtetit të Kosovës. Këtu mendoj në marrëveshjet e Demarkacionit, Asociacionit, në kriminalitet ekonomik dhe në korrupsion, sikundër edhe në mosshtrirjen e pushtetit në vendet me minoritet serb", tha Muhamet Kelmendi.

Mungon vullneti politik për zbardhjen e së vërtetës

Sipas Muhamet Kelmendit, subjektet politike në opozitë kryesisht janë të liruara nga elementët e tillë, por ata kanë zënë vend kyç në dy subjektet politike që po qeverisin vendin, PDK-ja dhe LDK-ja, prandaj edhe nuk ka inicim të hapjes së dosjeve. Tash për tash, mision të pamundur e sheh hapjen e dosjeve edhe njohësi i fushës së legjislacionit, eksperti Blerim Burjani, pasi që sipas tij pasojat politike do të ishin tepër të mëdha për njerëzit e pushtetit, që akoma mbajnë peshën e së kaluarës së padekriminalizuar.

"Një temë e tillë është komplikuar dhe pa gatishmëri për të zbardhur dosjet e personave të dyshimtë për gjëra të tilla, por duket të ketë edhe probleme tjera, sepse ka persona në kreun e lartë të shtetit për të cilët dyshohet se ishin bashkëpunëtorë të okupatorit serb. Duke pasur parasysh mosinteresimin e vazhdueshëm, madje edhe për të diskutuar në Kuvend, atëherë shihet qartë se s'ka vullnet as gatishmëri për të nxitur tema të tilla as në Kuvend e as në Qeveri", tha Blerim Burjani. Bllokimin e hapjes së dosjeve të UDB-së, pavarësisht presionit të vazhdueshëm që bëhet në medie, e sheh të ndërlidhur me vetë implikimin e politikës aktuale në ato dosje edhe eksperti i fushës së sigurisë, Jeton Kelmendi. "Media shpesh e ka trajtuar këtë çështje, mirëpo për habi është parë një mosdisponim për t'i hapur dosjet, sidomos nga disa "patriotë" të mëdhenj, që ishin shefa në luftë, pas lufte dhe besa edhe tani vazhdojnë të jenë shefa", tha Kelmendi. Deputeti i "Vetëvendosjes", Ismajl Kurteshi shprehet se është shumë me rëndësi të hapen dosjet dhe të hiqen dilemat, por edhe të shihet kush çka ka bërë në të kaluarën. "Aktualisht, si në të gjitha vitet e pasluftës, është shumë e rëndë- sishme të mos lejohen të vendosen në krye të institucioneve, ose në pozita shumë të rëndësishme, ata që hapur kanë bashkëpunuar me Serbinë. Po ashtu, është e rëndë- sishme t'u merret e drejta e përfaqësimit të Republikës së Kosovës atyre që kanë dështuar t'i mbrojnë këto interesa gjatë bisedimeve me Serbinë", thekson ai. "Bashkëpunëtorë të Serbisë, nuk është me rëndësi a me UDB-në, a me institucionet e tjera të Serbisë, për të cilët e dinë qytetarët dhe institucionet e Kosovës, sot gjenden në vende shumë të rëndë- sishme, si në Qeveri, në Polici, në Gjyqësi, në komuna, e gjithandej. Shumë prej tyre duhet të shkojnë nga këto vende jo vetëm se kanë bashkëpunuar me Serbinë gjatë kohës së okupimit, por të njëjtët edhe tani kanë një qasje nënshtruese ndaj padronëve të tyre të dikurshëm", ka theksuar ai. Kurteshi shprehet se këto çështje janë rregulluar me ligj kudo që ka pasur probleme të tilla dhe në Kosovë me këtë nuk është marrë askush, sepse menjëherë pas luftës udhëheqësit e rinj kanë filluar të bëjnë lëshime të pajustifikueshme karshi Serbisë, që e kanë dëmtuar vendin shumë.

(Kosova Sot)