Rreziku 450 milionësh debatohet në Kuvend

  • 25 October 2016 - 07:49
Rreziku 450 milionësh debatohet në Kuvend

Mirëpritet realizimi i nismës së deputetes së pavarur, Margarita Kadriu

 Të enjten do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ndërkaq si pikë e veçantë e rendit të ditës është debati për rrezikun e dëmtimit prej 450 milionë eurosh, që e pret Kosovën nga arbitrazhet në gjykatat ndërkombëtare,shkruan gazeta Kosova Sot.
 Si pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje kjo çështje është propozuar që para 1 muaji nga deputetja e pavarur, Margarita Kadriu, e mbështetur edhe nga 9 deputetë të partive të ndryshme parlamentare. Hapja e këtij debati parlamentar është mirëpritur nga ekspertët e ekonomisë. Bankieri Milazim Abazi tha për "Kosova Sot" se hapja e debatit në Parlament për çështjet që të tjerët i kanë ngritur ndaj Kosovës në Arbitrazh, nga ana e deputetes së pavarur, Margarita Kadriu, është shumë me vend."Unë besoj se Kuvendi i Kosovës do të nxjerrë përfundime të drejta", tha ai. Abazi theksoi se nëse konstatohen gabime procedurale gjatë zhvillimit të procesit të përzgjedhjes së kompanive fituese, Prokuroria "ex oficio" do të hapë raste.

Angazhimet e këshilltarëve dështuan

Eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati, ishkryetar i OEK-ut, tha për "Kosova Sot" se e ka përkrahur idenë e deputetes së pavarur, Kadriu."Në Kosovë, shkaku i qeveritarëve të papërgjegjshëm dhe qeverisjes së keqe, është krijuar klima e mosbesimit dhe dyshimit në gjithçka e gjithkënd. Marrë parasysh "sihariqet"- marifetet që për çdo ditë po zbulohen (si rasti më i ri i fondeve të kursimit), dyshimi dhe mosbesimi janë realë dhe të arsyeshëm". Ai tha se para çdo privatizimi të pronës publike Qeveria ka angazhuar këshilltarë të jashtëm, kryesisht për vlerësimin e kredibilitetit (fuqisë financiare dhe shëndetit financiar) të konkurruesit potencial dhe vlerës reale të tregut, të çdo pasurie publike për privatizim."Gjer më tani të gjithë kanë dështuar. Po të ekzistonte institucioni i mbikëqyrjes dhe i kontrollit (që në shtetet e pakonsoliduara nuk funksionojnë, ose funksionojnë mbrapsht) dhe institucioni i përgjegjë- sisë, transaksionit përkatës, kujdesi për vendimmarrje, do të ishte më madh", theksoi Kastrati. Sipas tij, edhe pas këtij debati në Kuvend rreziku për përsëritjen e rasteve të reja do të jetë i madh. "Si po rrjedhin gjërat, do të presim edhe shumë për pavarësimin e gjyqësisë dhe prokurorisë", ka thënë më tej ai.

Të formohet komision hetimor

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për gazetën "Kosova Sot" se sa i përket privatizimit të PTK-së ka qenë pro privatizimit të saj, por jo në këtë formë që e ka bërë Qeveria e Kosovës."Është e çuditshme se Qeveria e Kosovës për çdo gjë që është me rëndësi dhe që është vitale për Kosovën ngutet me veprimet e veta. Në vend që të analizohen me shumë vëmendje dhe të dëgjohen ekspertët e fushave e të merren shembujt pozitivë nga vende të ndryshme që kanë pasur suksese në privatizim, Qeveria ka bërë të kundërtën", tha ai. Neziraj sqaroi se në radhë të parë në këtë ndërmarrje publike i kanë punësuar militantët e vet partiakë dhe jo ekspertët që është dashur ta bëjnë dhe kësisoj e kanë devalvuar tej mase vlerën e PTK-së. Neziraj thotë që e keqja të jetë edhe më madhe Qeveria mori vendimin që në fund ta shesin për një kompani joserioze dhe të bëjnë kontrata joligjore që po i shkaktojnë dëme buxhetit të Kosovës."Unë e përkrahu iniciativën e deputetes Margarita Kadriu, por është mirë që të formohet një komision hetimor parlamentar që të shihet e vërteta", u shpreh ai."Këto raste do të duhet që të jenë një mësim i madh për qeveritë e Kosovës, se kur kanë të bëjnë me ndërmarrjet vitale dhe të rëndësishme, që sjellin zhvillim ekonomik dhe të hyra buxhetore, duhet që të bëjnë analiza të hollësishme me ekspertët e fushave dhe jo që me një nguti të shesin pasurinë e Kosovës", ka thënë ai.

Ministrat përgjegjës e kanë vendin në burg

Eksperti i ekonomisë, Nehat Maxhuni, tha për "Kosova Sot" se ky problem i madh, i propozuar nga ana e deputetes Kadriu, që të diskutohet në Kuvend, është  qëlluar, sepse 450 milionë euro të dalin nga buxheti i Kosovës për shkak të mosaftësisë së pushtetarëve tanë për të menaxhuar pasuritë shtetërore të Kosovës dhe buxhetin e Kosovës është e pakuptimtë dhe me pasoja të paparashikueshme. Ai shtoi se është për të ardhur keq se pse kjo temë nuk është propozuar më herët, por edhe është për të ardhur edhe më keq pse organet, të cilat janë të thirrura që të merren me këto çështje, si Gjyqësia e Prokuroria, nuk kanë reaguar deri më tani. Sipas Maxhunit, pavarësisht diskutimeve, nuk pritet ndonjë rezultat. "Rastet e 'Z - Mobile' dhe pasaportave 100 për qind janë bërë me qëllim, ndërsa rasti i 'AXOS' 50 për qind nga mosdija dhe 50 për qind nga lakmia se do të përfitojnë nga ky privatizim, sepse në Kosovë as nuk ka investim e as nuk ka privatizim pa korrupsion", theksoi ai. Maxhuni thotë se sido që të jetë ky 450 milionësh do të dalë nga buxheti i Kosovës, i cili edhe ashtu është i varfër. "Në kushtet normale, në shtetet me qeveri funksionale, brenda 5 minutash do të ishte dashur që të merren masa dhe të futeshin në burg ministrat përkatës, të cilët i kanë nënshkruar këto marrëveshje dhe kontrata, sepse 450 milionë është 1/3 e buxhetit të Republikës së Kosovës, të cilat shpenzohen për asgjë", u shpreh ai

Prokuroria nuk ka çfarë të presë më

Analisti i ekonomisë për fushën e integrimeve evropiane, Ardi Nokaj, tha për "Kosova Sot" se e përkrah në tërësi idenë e deputetes së pavarur, Margarita Kadriu, dhe kolegëve të saj. "Gjëja e parë që duhet bërë gjatë këtij debati është të zbardhen emrat e personave që i bënë këto gabime fatale apo mëkate dhe duhet konstatuar se a ishin të qëllimshme apo gabime të rastit", u shpreh ai. Sipas tij, pastaj Kuvendi i Kosovës duhet që të miratojë një rezolutë dhe të kërkojë përgjegjësi dhe masa ndaj këtyre personave, si dhe duhet rekomanduar për të marrë masa që raste të tilla mos të na përsëriten në të ardhmen nga bartësit e tjerë të institucioneve. "Më pastaj, duhet kërkuar që të fillojnë hetimet nga Prokuroria e Shtetit dhe që urgjentisht të zbardhen se kush janë personat që e sollën shtetin në rrezik, para bankrotimit të 450 milionë eurove", theksoi ai. Analisti Nokaj thotë se tash është koha e fundit që Prokuroria njëherë e përgjithmonë t'i ndalojë këto gjëra që e shkatërruan këtë vend dhe po ashtu është për të ardhur keq pse organet e drejtësisë e të prokurorisë, të cilat janë të thirrura dhe të obliguara ligjërisht dhe sipas detyrës zyrtare të merren me këto çështje, nuk kanë reaguar fare deri më tani.

Nuk kishin karrocë dore, u bënë milionerë

Eksperti i fushës së ekonomisë dhe bizneseve në sektorin e shitjes së derivateve të naftës, Fadil Berjani, tha për "Kosova Sot" se fillimisht e përshëndet punën e çdo deputeti, përfshirë këtu edhe idenë e deputetes së pavarur, Margarita Kadriu, dhe deputetëve të tjerë, pa marrë parasysh ngjyrën partiake që i përkasin, sepse duhet përkrahur idenë e tyre se duhet të hetohen dhe të gjykohen krimet e organizuara në ekonominë kosovare. "Andaj, mendoj se me të gjitha rastet, të cilat janë me kontrata të dyshimta, duhet që të merret Prokuroria e Shtetit", tha ai. Analisti Berjani theksoi se ne jemi duke kërkuar liberalizimin e vizave, por me këto monopole dhe me këtë korrupsion nuk ka shanse të lëvizim të lirë, sepse institucionet tona duhet që konkretisht të merremi me temat, e jo me perceptimet a ka krim ekonomik të organizuar në Kosovë apo jo. "Për fat të keq, tek ne shumë biznese nuk e kanë pasur madje as një karrocë dore, kurse tash, brenda natës, përmes punëve të pista, janë bërë milionerë, sepse janë të kapur me krimin dhe me fajin e kësaj kategorie, derisa qytetarët tanë po e bartin dënimin, pasi që nuk po munden që të lëvizin të lirë, andaj kjo duhet bërë sa më parë", u shpreh ai.
 

(Kosova Sot)