Jetë në shoqërinë e minjve dhe varfëri të skajshme

  • 25 October 2016 - 18:34
Jetë në shoqërinë e minjve dhe varfëri të skajshme

Fazliu: Shpesh na janë ngushtuar punët, saqë nuk kemi pasur as bukë për të ngrënë

Shtëpia u ishte shembur vite më parë. Familja 5-anëtarëshe Fazliu tash po jetojnë në një banesë kolektive përballë Komunës së Shtimes, por as aty nuk u është bërë zgjidhje e duhur e banimit. Objekti ku janë duke e kaluar jetën tre fëmijët dhe dy prindërit Fazliu ishte si mos më keq. Familja Fazliu njoftuan se kanë ikur nga shtëpia e tyre, pasi ajo kishte filluar të shembej si pasojë e vjetërsisë, kurse nuk patën mundësi ta ndërtojnë një të re dhe kërkuan ndihmën e Komunës. Por, as këtu ata nuk e gjetën strehimin e duhur dhe tash e sa kohë po e mbajnë të njëjtin hall. Bëhej fjalë për një objekt të banimit të vjetër, me mure të plasaritura dhe dysheme të vjetërsuara. Familja shpjegon se jetojnë në shoqërimin e minjve, bubave dhe gjallesave të tjera , si pasojë e vjetërsisë së objektit. Afërdita Fazliu, nënë e tre fëmijëve, si dhe kryefamiljare në këtë shtëpi, shpjegon më tej:"Po jetojmë katastrofë, të pesë anëtarët e familjes kemi në dispozicion gjatë gjithë muajit vetëm 102 euro. Burri është i papunë, po kërkon punë, por nuk po gjen, ngase secili punëdhënës po i punëson të vetët", ka theksuar ajo, duke shtuar se keq janë edhe me çështje të banimit."Pasi na u rrëzua shtëpia, jemi në këtë objekt që pesë vjet, por edhe këtu nuk po jetohet. E kemi këtu një sallon dhe një dhomë, por kushtet po i shihni ju vetë. Po e shihni parketi është i gjithi i prishur, por edhe tavani është shkatërruar i tëri dhe po na pikon uji në të gjitha anët. Prandaj, këtu brenda shpesh shihen edhe bretkosa, skraja dhe zvarranikë të tjerë", ka shpjeguar ndër të tjera ajo.

Ballafaqohen me mungesë të ushqimit

Kur jemi te problemi i banimit, Afërdita ka bërë të ditur edhe për lajme të mira. Ka shpjeguar se falë ndihmës vullnetare të bamirëseve është duke e ndërtuar një shtëpi, por që deri në kulm kanë mbërritur pa pasur mundësi të investojnë vetë."Tash kemi filluar ta ndërtojmë shtëpinë, tani kemi edhe njoftimin nga Komuna se do të na ndihmojnë për kulm, por jo edhe për investime të tjera", është shprehur ajo, duke shtuar se nuk kanë mundësi vetë të investojnë asgjë."Nëse dikush nuk na ndihmon, ne nuk do të kemi mundësi të rregullojmë asgjë në shtëpi, sepse jetojmë me ndihma",u shpreh ajo, duke shtuar se përveç këtij problemi ajo në përditshmëri e ka edhe problemin e sigurimit të ushqimit të fëmijëve dhe veshmbathjet."Sot erdh një shok i burrit dhe na tha hajde merrni do rroba për fëmijë, se përndryshe nuk kanë pasur rroba të reja dhe nuk kam pasur mundësi t'ua blejmë vetë", thotë ajo. Në ndërkohë, Valbona ka shpjeguar se kanë hequr keq edhe për gjëra ushqimore, për miell, vaj, kripë e sheqer. "Shumë herë kemi mbetur keq dhe edhe tani jemi. Unë si zonjë e shtëpisë dhe nënë e tre fëmijëve ka ndodhur shumë herë që nuk kam pasur se çka t'i sjell në tryezë për të ngrënë familjes. Aq keq na janë ngushtuar punët saqë i kam thënë burrit merri fëmijët dhe shkoni dhe hani bukë tek vjehrrit se nuk kam çka t'ju sjell me ngrenë. Vetë më ka erdhe keq dhe kam duruar urie", është shprehur Fazliu. 

"Nuk jetohet duke pritur ndihmat e të tjerëve"

Në anën tjetër, Fazli Fazliu, kryefamiljar në këtë familje, është ankuar për mungesë të një vendi pune. Është shprehur se nuk po kalon jeta duke qenë të varur me një ndihmë sociale. Pohon se ndihma sociale prej 102 eurosh nuk u mjafton për të siguruar as miellin për një muaj. Thekson se po të mos ishte ndihma e të tjerëve nuk do të kishte mundësi kurrë vetë të ngrejë çati mbi kokë. Ndërsa u është falënderues të gjithë atyre që i ndihmuan deri më tani. "Falë ndihmës së të tjerëve, kemi arritur me shtëpi deri këtu. Tani edhe Komuna ka kontribuar për kulm. Po e kam hallin se si do ta përfundojmë këtu vetë, nuk kam mundësi asgjë të investoj. Andaj, do të apeloja për ndihmë, të paktën të kemi mundësi të largohemi nga ai strehim dhe të kemi një jetë normale", thoshte ai. Ndryshe, familja aktualisht po bënin jetë jonormale, duke u përballur edhe me gjallesa të tjera "mysafirë të padëshiruar" dhe në një ambient aspak të përshtatshëm për të jetuar. Familja thonë se për shkak të vjetërsisë së objektit nuk arrijnë asnjëherë të ngrohen gjatë dimrit. Kurse edhe drutë njoftuan se janë në mungesë. Të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë familjes në fjalë mund ta bëjnë këtë duke kontaktuar direkt familjen në numrin e tufonit: 044 381 248. 

(Kosova Sot) 

 

Image
Image
Image
Image
Image