Prizreni, një parajsë turistike

  • 25 October 2016 - 18:44
Prizreni, një parajsë turistike

QYTETI HISTORIK SIPAS TURISTËVE NGA BRITANIA E DANIMARKA

Camilla Kjarvelff: Zëri i ezanit të xhamive të këtij qyteti më ka fascinuar 

"Dua t'ju porosis, ruani shtëpitë e vjetra, se ato i keni jashtëzakonisht të bukura. Keni një diversitet të mrekulluar, prandaj ruani këtë mrekulli. Unë kam një kategori turistësh të moshuar e që nuk janë alpinistë, prandaj sa më parë ju lutem merreni një vendim që në kala të bëni një teleferik, apo ndonjë tren elektrik, sepse nga atje qyteti duket madhështor", u shpreh turisti britanik, Mark Pauel

Turizmi i qytetit të Prizrenit ka tubuar të hënën 30 përfaqë- suese të njohur nga bota e turizmit nga 15 vende të botës për të marrë pjesë në Panairin e turizmit "Prizreni 2016", si nga Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe, Danimarka, Austria, Sllovenia , Mali i Zi e shtete të tjera. Drejtori i Drejtorisë komunale të Turizmit në Prizren, Haxhi Seferqaj, mendon se nga tani Prizreni do të ketë një turizëm më ndryshe dhe se do të jetë në agjendën primare të turistëve të huaj. "Vitin e kaluar një ngjarje është organizuar me gazetarë nga disa shtete të botës dhe nuk është vërejtur ndonjë shtim i veçantë i numrit të turistëve. Këtë vit jemi të bindur se këtu kemi përfaqësues të mbi 15 shteteve, pikërisht të këtij lëmi, dhe jemi të bindur se Prizreni tanimë ka epitetin qytet muze. Qëllimi është të bëjmë një strategji turistike, e cila edhe do të jetë dobiprurëse për këtë qytet", shprehet për "Kosova Sot", Seferqaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Mark Pauel: Kafenë e keni më të mirën në botë

"Ruani diverzitetin, edhe shtëpitë e vjetra kaq të bukura që i keni", theksoi Mark Pauel nga Britania e Madhe,që është një organizator i turneve turistike anekënd botës nga Britania e Madhe. Ai pohon ky qytet e ka fascinuar. "Këtu jam për të tretën herë dhe sa herë që vij më duket gjithnjë e më i mirë. Ka një trashëgimi të larmishme dhe ajo që freskon shpirtin e secilit turist është sheshi juaj këtu në Prizren. Keni tri konfeksione vetëm brenda sheshit. Keni xhami të bukura, keni edhe kishë ortodokse e katedrale katolike, pastaj keni teqe", thekson ai. Ajo që i lë përshtypje të madhe turistit anlgez është pikërisht Hamami i Mehmet Pashës. "Diçka të këtillë nuk kemi në Angli, kurse renovimi i tij vërtet më ka lënë një përshtypje karakteristike. Por, ajo që dua të porosis për juve është ruani shtëpitë e vjetra, se ato i keni jashtëzakonisht të bukura. Keni një diversitet të mrekulluar, prandaj ruani këtë mrekulli. Unë kam një kategori turistësh të moshuar e që nuk janë alpinistë, prandaj sa më parë ju lutem merreni një vendim që në kala të bëni një teleferik, apo ndonjë tren elektrik, sepse nga atje qyteti duket madhështor, ndërtoni një restorant atje. Prizreni ka një mikpritje të rrallë, ka një kujdes të veçantë për të huajin e turistin", thekson Mark Pauel. Ai tutje shton:" Ushqimet tuaja kanë rëndësi të madhe, sepse janë të lezetshme dhe jo shumë të kushtueshme, kurse kafen e keni më të mirë në botë".

Camilla: Kalaja është një mrekulli e këtij qyteti 

Pauel thekson se mikpritja është e rrallë." Më duhet të them se Prizreni është një parajsë. Unë bile bëj edhe skica nga gjithë kjo mrekulli, kurse ne krenohemi se nga atje do të sjellim shumë mysafirë këtu në këtë parajsë", pohoi për "Kosova Sot". Turisti britanik shprehet se ndjehet i fascinuar me shëtitjet gjatë ditës dhe mbrëmjes që bëhen në sheshin e këtij qyteti, si mundësia për t'u ushqyer me ushqime tradicionale e dëgjuar ezanin e xhamisë e kambanën e kishës. "Buzëqeshja e njerëzve këtu më befason, sa e ëmbël është", thekson ai. Camilla Kjarvelff nga Danimarka shprehet për 'Kosova Sot" se derisa ishte në kala të Prizrenit, ajo që e fascinoi ishte thirrja e ezanit. "Unë jam kalotlike dhe zëri i ezanit të xhamive të këtij qyteti më ka fascinuar atje në kala. Kjo ishte diçka përrallore për mua". Ajo ka folur edhe për sjelljen e njerëzishme dhe bujarinë e këtyre njerëzve. "Këtu jam në cilësinë e organizatores së turneve turistike nga Danimarka. Por, jam befasuar me faktin se këtu, edhe pse ka pasur një luftë, është ruajtur tradita dhe lashtësia e këtij qyteti. Asnjë nga qytetet e Ballkanit nuk e ka ruajtur kaq denjësisht të kaluarën si Prizreni. Ajo që më befason është ndërtimi dhe pamja e jashtme e xhamive. Vetëm të kalohet në shesh e të shihet Xhamia e Sinan Pashës si duket aq madhështore", u shpreh ajo. Shton se bujaria e kosovarëve është e mirë. 

(Kosova Sot)