Ish-punëtorët, pa të ardhura dhe pa të ardhme

  • 25 October 2016 - 19:05
Ish-punëtorët, pa të ardhura dhe pa të ardhme

Një numër i punëtorëve i mbajnë në xhepa, prej 12 vjetësh, vendimet përfundimtare të gjykatave, që AKP-ja nuk i përfill  .

"Në disa ndërmarrje madje punëtorët nuk i kanë marrë as mjetet e 20 përqindëshit nga procesi i privatizimit, të garantuara me ligj", thotë Aziz Azizi, koordinator i Zyrës Regjionale,raporton Gazeta Kosova Sot

Mijëra punëtorë të ishndërmarrjeve shoqërore në Gjilan kanë ngelur rrugëve që prej 17 vjetësh e këndej. Llogaritet se vetëm 10-15 për qind e numrit të përgjithshëm prej 18 mijë punëtorëve kanë arritur të gjejnë ndonjë punë tjetër në sektorin privat. Të tjerët nuk kanë mundur, qoftë për shkak të moshës, qoftë për shkak të mungesës së vendeve të lira në tregun e punës. Gjilani, që dikur ishte një qendër e njohur industriale në Kosovë, tashti është shndërruar në një qytet me qendra të mëdha tregtare e restorante. Shumë prej punëtorëve kanë vdekur pa e marrë 20 përqindëshin nga privatizimi i ndërmarrjeve ku kanë punuar për vite të tëra, disa nuk e kanë pritur as pensionin. Gati se asnjëra nga ndërmarrjet e reja, që u krijuan nga privatizimi, nuk ka arritur të rikthehet në prodhim. Ekspertët e ekonomisë në Kosovë e vlerësojnë të dështuar privatizimin, i cili ka krijuar emra ndërmarrjesh të reja, por jo edhe kompani të suksesshme që operojnë dhe ofrojnë vende pune. E punëtorët e mbetur pa punë, në vend se t`i kenë në xhep paratë që u takojë, një numër i madh i tyre vazhdojnë t`i mbajnë në xhepa prej 12 vitesh vendimet përfundimtare të gjykatave, që AKP-ja nuk i përfill. Ata bredhin rrugëve, pa të ardhura dhe pa të ardhme. 

Kush është më i forti? Ish-punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore në Gjilan, pas një pushimi të gjatë, janë detyruar t`iu rikthehen protestave, për shkak se nuk u janë dhënë pagat e mbetura, pas likuidimit, për të cilat ata kanë edhe vendime të plotfuqishme nga gjykatat."Në disa ndërmarrje, madje punëtorët nuk i kanë marrë as mjetet e 20 përqindëshit nga procesi i privatizimit, të garantuara me ligj", thotë Aziz Azizi, koordinator i Zyrës Regjionale. "Protestat nuk i dëshirojmë as ne, por na janë imponuar", thotë ai. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) diti t'i shesë ndërmarrjet shoqërore, ndërsa nuk po i kryen obligimet e veta ndaj punëtorëve. Sipas Azizit, Bordi i AKP-së, deri tani, në Anamoravë ka bërë likuidimin për 13 ndërmarrje shoqërore, që kryesisht ishin të vogla dhe me pak punëtorë, por jo edhe për tjerat. "AKP-ja po tregohet më e fortë se ligji, sepse nuk po i respekton as vendimet gjyqësore", ka thënë ai. AKP-ja po luan kështu me ishpunëtorë, tashmë të shtyrë në moshë e, një numër i tyre edhe me probleme shëndetësore. Disa kanë vdekur ndërkohë. Azizi kërkon edhe nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës që t'i përshpejtojë lëndët të cilat janë në proces, sepse AKP-ja, për shkak të atyre lëndëve, në disa ndërmarrje nuk e ka shpërndarë 20 përqindëshin. Po ashtu, gjykatat duhet ta detyrojë AKP-në t'i ekzekutojë vendimet e tyre, të cilat janë të plotfuqishme. Përndryshe, nëse APK-ja nuk reagon, Azizi nuk e përjashton mundësinë që punë- torët të acarohen edhe më tepër. 

Gjilani me 100 milionerë Sindikata me të drejtë kërkon formimin e një komisioni hetimor, i cili do t'i rishikojë të gjitha kontratat, sepse janë mbyllur fabrika dhe në vend të tyre janë ndërtuar supermarkete, depo e banesa, me çka iu është mundësuar individëve të caktuar që të pasurohen brenda natës. Punëtorët që po protestojnë nuk kërkojnë as më tepër e nuk pranojnë as më pak sesa u takon, thotë Azizi. Shteti i Kosovë duhet të tregohet më i mëshirshëm me ish-punëtorët, duke krijuar një fond social nga mjetet e likuidimit të ndërmarrjeve, përkatësisht nxjerrjen e një ligji për pensionimin e tyre në moshën 60 vjeçe. Ata kërkojnë nga Qeveria që të obligojë Bordin e AKP-së që sa më shpejt të bëjë likuidimin e ndërmarrjeve dhe të bëjë shpërndarjen e përkohshme të mjeteve nga fondet e likuidimit. Përndryshe, sa i përket zhvillimit ekonomik, Gjilani nuk mund të bazohet më në ekonominë që kishte dikur, sepse tani është koha e ekonomisë së tregut, por duhet të forcohen sektori privat dhe ekonomia private. Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se në procesin e rimëkëmbjes ekonomike, duhet shfrytëzuar edhe potencialin e mërgimtarëve, duke nënvizuar se vetëm nga Gjilani janë mbi 100 mërgimtarë milionerë, të cilët mund të investojnë në vendlindjen e tyre. Haziri thotë se duhet të ketë më shumë investime në sektorin privat.

(Kosova Sot)