Obama viziton Greqinë, Gjermaninë dhe Perunë në turin e fundit presidencial

  • 25 October 2016 - 19:55
Obama viziton Greqinë, Gjermaninë dhe Perunë në turin e fundit presidencial

Presidenti amerikan, Barack Obama, do të zhvillojë muajin nëntor turin e tij të fundit ndërkombëtar presidencial, duke vizituar Greqinë, Gjermaninë dhe Perunë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Turi do të zhvillohet nga data 14 deri në 21 nëntor dhe vjen vetëm pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, ku do të zgjidhet pasuesi i Obamas. Ky tur do t’i mundësojë presidentit të ri që të përfitojë nga trashëgimia e Obamas në politikën e jashtme.

Në Greqi, Obama synon të takohet me liderët dhe të shprehë mbështetje për reformat ekonomike të vendit si dhe për përforcimin e demokracisë.  Në Gjermani, pritet të zhvillojë bisedime me kancelaren, Angela Merkel, për Ukrainën, Sirinë, luftën kundër ISIS-it dhe për çështjet ekonomike transatlantike.

Në Peru, Obama do të marrë pjesë në Mbledhjen e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Lima, duke i dhënë atij mundësinë që të theksojë fokusin e administratës së tij mbi Azinë, duke përfshirë edhe marrëveshjen tregtare mes 12 kombe të Paqësorit.

(Kosova Sot)