Muhaxheri lë punëtorët E ‘Ambientit’ pa bukë

  • 25 October 2016 - 21:01
Muhaxheri lë punëtorët E ‘Ambientit’ pa bukë

PUNËT E NDËRMARRJES PUBLIKE KOMUNALE I JEPEN KOMPANISË PRIVATE

"Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, në vend se t'i ofrojë më shumë përkrahje dhe t'i sigurojë edhe punë të tjera, për të cilat ka mundësi, ai para një jave e goditi rëndë këtë ndërmarrje publike, duke ia marrë punët për mirëmbajtjen e parqeve si dhe fshirjen dhe larjen e rrugëve", ka thënë Sahit

Komuna i ka borxhe ndërmarrjes publike 120 mijë euro, punët ia jep privatëve

Komuna e Pejës i ka 120 mijë euro borxh për kryerjen e punëve të larjes së rrugëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara për këta dhjetë muaj të këtij viti. Megjithatë, Komuna ka vendosur që tenderin për kryerjen e këtyre punëve t'ia ndajë një kompanie tjetër. Opozita në Pejë ka akuzuar ekzekutivin komunal dhe kryetarin Muhaxheri për keqmenaxhim dhe vendime që dëmtojnë interesat e qytetarëve të kësaj komune. Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë konstaton se kryetari Muhaxheri kësaj radhe goditi shumë rëndë ndërmarrjen publike "Ambienti", e cila që nga themelimi i saj si ndërmarrje publike e Komunës së Pejës, përpos menaxhimit me mbeturina dhe bartjes së tyre në depon qendrore, ka pastruar edhe rrugët e qytetit, ka bërë larjen e tyre, ka mirëmbajtur edhe gjelbërimin e qytetit si dhe varrezat, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas menaxhmentit të kësaj kompanie, për kryerjen e këtyre punëve deri tash kanë qenë të angazhuar afro 40 punëtorë. Naim Sahiti, kryetar i AAK-së në Pejë, thotë se këta punëtorë kanë qenë shembull për të mirë dhe se përderisa ata mirëmbanin gjelbërimin e qytetit, parkun e madh prej dhjetëra hektarëve, parkun "Ibrahim Rugova" dhe atë në Jarinë si dhe mbi 30 hapësirat e tjera të gjelbëruara, ishin shembull për të mirë jo vetëm në nivel të komunës, por edhe në nivel vendi, për çfarë Peja ishte e njohur në këtë drejtim. "Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, në vend se t'i ofrojë më shumë përkrahje dhe t'i sigurojë edhe punë të tjera, për të cilat ka mundësi, ai para një jave e goditi rëndë këtë ndërmarrje publike, duke ia marrë punët për mirëmbajtjen e parqeve si dhe fshirjen dhe larjen e rrugëve, punë këto të cilat që nëntë muaj të këtij viti kjo ndërmarrje i ka kryer si gjithherë e për çfarë Komuna e Pejës i ka borxh rreth 120 mijë euro. Në vend që të shpërblehet, në tenderin e shpallur nga Komuna për këto punë, edhe pse Kompania 'Ambienti' kishte marrë pjesë në tender, thuhet se këto punë iu dhanë një ndërmarrje private ËMOR", ka thënë Sahiti.

Ankesa në OSHP

Sahiti thotë se nuk janë kundër asnjë ndërmarrje private, por e quajnë të panevojshme që t'i merret puna ndërmarrjes publike "Ambienti" dhe t'i jepet një ndërmarrje private. Sipas AAK-së, ky veprim skandaloz ka rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes publike dhe ka rrezikuar që afër 40 të punësuar në këtë ndërmarrje të mbesin pa të ardhura. Edhe Nexhat Avdullahu, menaxher i ndërmarrjes publike "Ambienti" thotë se kompania që ai i prin, që nga themelimi i saj, i kryen këto punë. "Por, këtë vit na ka skaduar kontrata me Komunën. Pasi askush nuk kishte që këto punë t'i kryejë, në marrëveshje me Komunën, ne kemi vazhduar punën tutje", thotë Avdullahu, duke shtuar se Komuna u ka borxh një vlerë prej 120 mijë eurosh. Sipas tij, në tenderin e fundit për këto punë, ku kishte konkurruar edhe kompania publike, fitues ka dalë kompania private ËMOR, e cila ka qenë më e lira. Mirëpo, merret vesh se Komuna ende nuk e ka nënshkruar kontratën me operatorin e përzgjedhur, ngase një kompani tjetër që kishte marrë pjesë në këtë tender është ankuar në OSHP.

Rrezikohen vendet e punës

Ukë Selimaj, drejtor për Punë komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës, që mbikëqyr punën e ndërmarrjeve publike komunale, thotë se me këtë përzgjedhje rrezikohen 40 punëtorë të ndërmarrjes publike "Ambienti", të cilët me vite i kanë kryer këto punë. Ai nuk dëshiron të komentojë këtë vendim të Zyrës së Prokurimit, por shprehet se ka drojë për funksionimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes publike. Gjithashtu opozita ka kontestuar edhe ridestinimin e disa mjeteve për asfaltimin e rrugëve nga disa projektet e aprovuara në Kuvendin Komunal, siç është projekti i ujësjellësit të fshatrave të Lugut të Baranit. Ndryshe, ka katër vjet që banorët e 20 fshatrave të Lugut të Baranit, si dhe fshatit Llozhan, Grabovc dhe Dobërdol presin që të bëhen me ujë të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit, por gypi kryesor ende nuk është shtruar i tëri për shkak se këtij projekti prej dy vjetësh Komuna ia merr mjetet dhe i shpenzon për qëllime të tjera.

(Kosova Sot)