Disa kryetarë komunash po fshihen pas statuseve të "Facebook"-ut

  • 25 October 2016 - 07:36
Disa kryetarë komunash po fshihen pas statuseve të

QEVERISJA KOMUNALE PA REZULTATE KONKRETE, E HUMBUR NË RRJETET SOCIALE

Të pafuqishëm për të përmbushur premtimet, liderët qendrorë dhe lokalë i shmangen ballafaqimit me publikun, duke u fshehur pas disa statuseve në rrjetet sociale. Në këtë mandat qeverisës nuk janë vetëm zyrtarët e lartë të pushtetit qendror ata që e kanë bërë "Facebook"-un mjet themelor të komunikimit me qytetarin, por një praktikë të tillë aspak transparente e kanë përvetësuar me të madhe edhe kryetarët e tanishëm të komunave,shkruan gazeta Kosova Sot.

 Bërja modë e këtij lloj komunikimi, që mban në distancë kryetarin e komunës nga qytetari, ndërlidhet me faktin se shumica e tyre nuk kanë arritur të ndryshojnë aspak për të mirë jetën e qytetarëve. Përveç "Facebook"-ut, kryetarët e komunave pjesën dërmuese të kohës po e kalojnë edhe në vizita jashtë vendit me strukturat partiake për probleme që nuk kanë të bëjnë fare me jetën e qytetarëve të komunave që udhëheqin, duke vrapuar poshtë e lart, madje edhe duke mos jetuar fare në komunat ku ua kanë kërkuar votën qytetarëve. Analistët politikë theksojnë se të tillët duhet të tërhiqen nga politika dhe të mos provojnë të kandidojnë përsëri.

Injorimi i qytetarëve

Sipas analistit politik Nexhmedin Spahiut, kjo formë e injorimit të qytetarit nga shumica e kryetarëve të komunave, komunikimi jotransparent dhe jeta larg atyre që i kanë votuar, vjen si pasojë që ekziston një zbrazëtirë e madhe ligjore në përcaktimin e kritereve për kandidim, e ku për kryetar komune mund të kandidohet edhe dikush që kurrë nuk ka jetuar as nuk jeton në atë rreth qytetarësh. "Madje, nëse një kryetar komune dëshmohet se ka ndërruar vendbanimin jashtë komunës përkatëse gjatë mandatit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të ishte dashur t'ia nisë edhe procedurën e shkarkimit", tha Spahiu për "Kosova Sot". Këtë fenomen të shpërfilljes së votës qytetare nga shumë kryetarë komunash, e sheh si joserioz edhe analisti politik Florim Zeqa. "Shpërfillja e votës së qytetarëve nga kryetarët e komunave është e gjerë dhe e shumëllojshme. Padyshim se njëra nga metodat më perfide është edhe ajo e përdorimit të 'Facebook'-ut gjatë orarit të punës, jo për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, por me 'fansat' e tyre, respektivisht me afaristët e preferuar të tyre, duke vrapuar nga njëri restorant luksoz në tjetrin, për të biseduar lirshëm dhe të papenguar nga trokitjet në derë apo cingërimat e telefonit zyrtar në vendin e tyre të punës", u shpreh ai. "Madje, në këto tre vjetët e fundit nuk më ka rënë të dëgjoj për një kryetar komune që ka organizuar një takim me qytetarë, për të dëgjuar zërin e tyre, hallet dhe problemet e shumta të përditshmërisë së tyre", theksoi Zeqa.

Politikanët takohen me votuesin vetëm për zgjedhje

Zeqa ka pohuar se, megjithatë, shpërfillja e votës së qytetarëve nga ana e kryetarëve të komunave nuk përfundon vetëm me përdorimin e "Facebook"-ut gjatë orarit të punës, por ajo shkon edhe më larg, me mosprezencën me orë të tëra dhe ditë në vendin e punës!

 "Kjo vjen si rrjedhojë e faktit se shumica e kryetarëve të komunave të Kosovës nuk janë banorë të përhershëm të komunave që qeverisin me to. Këtë e vërteton fakti se shumica e fëmijëve të kryetarëve të komunave të Kosovës shkollimin fillor dhe të mesëm e ndjekin në kryeqytet. Udhëtimi i përditshëm i kryetarëve të komunave nga kryeqyteti dhe anasjelltas me makinat zyrtare e ka një kosto të lartë financiare, e cila bie barrë e buxheteve komunale, apo thënë më qartë, abuzim i skajshëm me taksapaguesit e varfër, të cilëve ua kanë grabitur votën nën premtimin në mashtrim, gjoja për përmirësimin e jetës së tyre", vijoi më tej ai. Sipas Zeqës, në asnjë rrethanë shumica e kryetarëve të komunave të Kosovës nuk e meritojnë të rikandidojnë për postet aktuale. Po aq kritik është edhe analisti politik Arsim Haziri. "Politika e sotshme thuaja tërësisht ka humbur komunikimin publik me qytetarët e komunës së caktuar dhe e tëra është krijuar vetëm pas zgjedhjeve, atëherë kur u është marrë vota si votë", potencoi ai. "Çdo politikan ose kryetar komune tërë diskutimin dhe deklarimin politik e kryen përmes rrjeteve sociale dhe kjo vjen nga vullneti për të mos u shprehur publikisht ndaj problemeve sociale. Politika dhe qytetari takohen vetëm në rastin e zgjedhjeve dhe pastaj koha e tyre më nuk vlen. Kjo gjithnjë është rezultat i një mentaliteti josocial dhe të shpërfillshëm totalisht për të mos qenë asnjëherë i nevojshëm për shoqërinë tonë", tha Haziri për "Kosova Sot".

Propozohet masë e ashpër ligjore

Analisti politik, Ali Hertica konsideron se kjo shkëputje e madhe e komunikimit të kryetarëve të komunave, që është baza elementare e pushtetit për trajtimin e problemeve të përditshme, duhet të ndëshkohet seriozisht në zgjedhjet e radhës. "Këta "karapangjat" e politikës kosovare janë duke u paraqitur tepër arrogantë dhe në një formë të papërshkruar si politikanë të paprekshëm, që nga momenti kur po vijnë në krye të një institucioni, pavarësisht se ato ulëse po i fitojnë me votën e qytetarit, duke premtuar paraprakisht se ata do të jenë 24 orë në shërbim të votuesit, sovranit të ligjshëm të votës. Tani ky zhvillim i hovshëm i teknologjisë moderne edhe në Kosovë thuajse është bërë tellalli më i mirë për të gjithë ata që kanë dëshirë për të komunikuar me qytetarin, dhe këtë formë komunikimi po e përdorin duke u izoluar nga qytetari shumica e politikanëve në nivelin qendror e lokal", u shpreh ai. "Tani është një çmenduri e llojit të vet dhe turp i pafalshëm kur një kryetari i komunës vendos të bëjë paraqitje për publikun në 'Facebook'", theksoi Hertica. Sipas tij, kjo dukuri e shëmtuar dhe shumë jotransparente e komunikimit zyrtar duhet të ndalohet edhe me ligj.
.

(Kosova Sot)