Lidhjet kriminale amnistojnë pushtetarët

  • 25 October 2016 - 07:45
Lidhjet kriminale amnistojnë pushtetarët

Politikanët, mburojë e krimit

Privilegjet e filluara nga misioni ndërkombëtar i OKB-së, i instaluar në Kosovë, i njohur me emrin UNMIK, e që ka vepruar menjëherë pas luftës e deri më sot, por edhe pas pavarësisë së Kosovës, nuk kanë pasur të ndalur privilegjet në proceset e caktuar gjyqësore dhe përgjithësisht në sistemin gjyqësor të vendit,shkruan gazeta Kosova Sot.
Kështu kanë vlerësuar të paktën njohësit dhe specialistët e kësaj fushe, të cilët kanë veçuar se një praktikë e tillë do të zgjasë vetëm derisa të ndryshojë vullneti politik. Ndaj është shtruar edhe pyetja se a po i amniston drejtësia e vendit korrupsionin e krimin e organizuar, por edhe dukuritë e tjera negative, ngase sipas praktikave të deritanishme, por edhe rasteve konkrete, janë ngjallur dyshimet se askush nuk gjykohet për dukuritë e lartpërmendura nëse je i lidhur me pushtetarët, pasi gjyqësori në vazhdimësi gjen vjetërsimin e lëndës apo edhe diçka tjetër për të amnistuar ata që kryen krime, e të cilët janë të lidhur me pushtetarët? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se derisa drejtësia nuk ka treguar vullnetin, guximin dhe dinjitetin të përballet me krimin dhe kriminelët, derisa siç tha jemi dëshmitarë të asaj se asnjë nga rastet e rënda të krimit e korrupsionit në këtë vend nuk është gjykuar, e që lëndët edhe të këtyre rasteve të të akuzuarve vazhdojnë të zvarriten nëpër sirtarët e drejtësisë, teksa dikur edhe thonë "janë vjetruar!". Andaj, sipas tij, së këndejmi, mund të thuhet se drejtësia ka dështuar të gjykojë me efikasitet krimin e organizuar dhe kriminelët e shumë veprave të krimit t'i nxjerrë para drejtësisë.

Drejtësia po vendnumëron

Sipas Kelmendit, nga i tërë ky dështim për të qenë më efikase dhe më këmbëngulëse në gjykimin dhe dënimin e krimit dhe për të funksionuar sundimi i ligjit në Kosovë, drejtësia jonë sikur po vendnumëron, prandaj edhe vazhdimisht është në objektiv të kritikës nga ana e BEsë."Tërë këtë e arsyeton vetë fjala publike e ambasadorit amerikan, Delawie, se tani ka ardhur koha që në Kosovë të ketë një gjyqësor me integritet, e që nënkupton se më në fund drejtësia, gjykatat dhe prokuroria kosovare, nuk duhet që edhe më tutje të bëjnë sehir, por të zgjohen nga apatia dhe neglizhenca në drejtim të gjykimit dhe dënimit të krimit të të gjitha formave, ngase sistemi i drejtësisë ka degraduar në tërësi, duke e humbur edhe besimin e qytetarit", u shpreh ai. "Andaj, sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë permanente për një reformë rrënjë- sore dhe gjithëpërfshirëse të të tri niveleve për të qenë drejtësia me integritet dhe me përgjegjshmëri e ndershmëri, por njëherëësh edhe e guximshme dhe me etikën profesionale për të gjykuar rastet, qoftë të veprave të rënda penale, qoftë edhe ato të natyrës civile etj. Në anën tjetër, lëre që lëndët presin me vite apo mënjanohen pa u gjykuar, por edhe dikur qëllimshëm, aty ku ka ndikimin e vet politika, po nga kjo drejtësi lihen për t'u vjetruar si lëndë, në mënyrë që t'u kalojë afati ligjor dhe dikur edhe nga ndonjë vepër tjetër amnistohen apo gjykohen me kusht", u shpreh Kelmendi

Disa hallka çaluan

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se pothuajse objekt i shumicës së analizave të bëra gjatë periudhës së administrimit ndërkombëtar, UNMIK-ut në Kosovë, por edhe më pastaj sistemi i drejtësisë, hallkat të cilat kanë çaluar njëra ndër to ka qenë edhe çështja e privilegjimit për siç tha qasjeve të caktuara formale dhe joformale, eksponentëve të caktuar të grupeve të caktuara edhe institucionale ndonjëherë, por edhe atyre formale dhe joformale, të cilët kanë pasur trajtim të privilegjuar në proceset gjyqësore dhe përgjithë- sisht në sistemin gjyqësor."Pra, është fenomen i pranishëm dhe do duhej të tejkalohej dhe të mos ndodhte pra krahas korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe privilegjimi i strukturave të caktuara, segmenteve të caktuara të individëve dhe të grupeve formale nga ana e gjyqësorit, pra është një 'thembër akili' se kjo nuk do duhej të ndodhte", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" profesori Mazllum Baraliu. 

Duhet ndryshuar lidershipi politik

Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se kjo do të zgjasë vetëm derisa të ndryshojë vullneti politik, ndërsa vullneti politik, sipas tij, duket se nuk do të ndryshojë kurrë me këta politikanë apo me shumicën e këtyre politikanëve, por duket që ata do të jenë të detyruar nga bashkësia ndërkombëtare që ta ndërrojnë një qasje të tillë. Ndërsa sa i përket ndryshimit të vullnetit politik, Gashi thotë se duket që kjo ngadalë është edhe duke u krijuar, për shkak të presioneve ndërkombëtare, por edhe për shkak të dëshirës që secili të paraqitet si kontribuues në stabilitetin e Kosovës që në këtë aspekt edhe në drejtësinë e Kosovës apo në imponimin e sundimit të ligjit të Kosovës."Një prej deklaratave që mund ta vërtetojnë këtë janë edhe katër shkresat e presidentit Hashim Thaçi, që i janë dërguar kohë më parë kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, ku në ato letra shihet haptas se personi i cili ka qenë alfa dhe omega për një periudhë kohore të gjatë në Kosovë tanimë kërkon drejtësi dhe kërkon që të zbulohen dhe të dënohen faktikisht kryesit e veprave shumë të rënda penale", theksoi Gashi. 
 

(Kosova Sot)