Kosova në qorrsokak

  • 26 October 2016 - 07:45
Kosova në qorrsokak

Shumica e të anketuarve kundër drejtimit aktual politik.

"Vazhdimi i një trendi të tillë negativ - moszhvillimit të vendit, vjen si pasojë e pasjes në krye të shtetit të një klase politike të inkriminuar, duke pasur një qeverisje të shantazhuar kuislinge, e cila nuk ka bërë gjë tjetër për kaq vite në të kaluarën, por edhe tani, veç instalimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit dhe familjarizimit në të gjitha nivelet e institucioneve të shtetit", tha analisti Ali Hertica për "Kosova Sot"

Rezultatet e hulumtimit të opinionit me qytetarë, të realizuara së fundi nga UNDP-ja, tregojnë se korrupsioni vazhdon të renditet si një nga problemet më të rëndësishme me të cilin ballafaqohet Kosova, ku 18% e qytetarëve të intervistuar janë të mendimit se korrupsioni është problemi më i rëndësishëm në Kosovë, duke e renditur atë menjëherë pas papunësisë si çështje më problematike në Kosovë e cilësuar nga 39% e të anketuarve. Sipas shumicës së të anketuarve (58%), niveli i korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar pozitivisht për asnjë masë gjatë 12 muajve të fundit. Nga ana tjetër, 31% e tyre besojnë se korrupsioni në vend se të ulet, ai është rritur, në krahasim me vetëm 12% që mendojnë se niveli i korrupsionit është ulur. Po ashtu, të anketuarit e pyetur në lidhje me perceptimin e tyre të përgjithshëm të drejtimit të qeverisjes në Kosovë kanë dhënë rezultatet të cilat tregojnë se 57% e kosovarëve janë të mendimit se Kosova është duke shkuar në drejtim të gabuar, ndërsa vetëm gjashtë (6)% besojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, ndërsa 31% mendojnë se gjërat në Kosovë janë duke qëndruar në të njëjta pozita, në vendnumërim. 

Opozita akuzon koalicionin e elefantëve Përfaqësues të partive politike opozitare dhe analistët politikë e shohin këtë raport dhe këto të dhëna si një analizë reale, e cila flet për gjendjen konkrete që vazhdon të mbretërojë në Kosovë, e që është pasojë e vazhdimit të degradimit nga qeverisja e keqe e koalicionit aktual PDK- LDK, që është një vazhdimësi e kapjes së shtetit. "Jo rastësisht, edhe ne si opozitë po kërkojmë vazhdimisht që kjo qeverisje të lirojë rrugë, që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje të reja dhe qytetarët ta ndëshkojnë atë politikë që po i sjell fatkeqësi vendit, që nuk po tregohet e përgjegjshme për zgjidhjen e problemeve të përditshme, përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme, por që varfëria dhe papunësia po vijnë duke u thelluar në vazhdimësi", tha deputetja Teuta Haxhiu nga AAKja. Edhe Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, ka pohuar se jo vetëm ky raport, por edhe raporte të ngjashme të mëhershme nga organizata kredibile ndërkombëtare e vendore e kanë nxjerrë në analizat e tyre, plotësisht në sipërfaqe qeverisjen e dështuar të këtij koalicioni të të ashtuquajtur të elefantëve, koalicion i premtimeve të mëdha mashtruese, të cilat nuk po arrijnë të realizohen as në masën më minimale. "Ato që janë fokusuar si konstatime nga anketimet e qytetarëve në raportin e UNDP-së janë vetëm një pjesë e realitetit të hidhur, i cili vazhdon të mbretërojë në Kosovë për shkak të qeverisjes së keqe, të instalimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga kapësit e shtetit. Mbase raporti edhe nuk ka arritur ta konstatojë gjendjen e plotë reale, ngase në terren ajo mund të jetë akoma edhe më alarmante dhe më negative se sa që është përshkruar aty", tha Berisha për "Kosova Sot".

Qeveria e shantazhuar dhe e inkriminuar Gjykim të ngjashëm kanë edhe analistët politikë. "Kosova tani me shumë argumente negative e ka humbur drejtimin e saj të konsolidimit të mundshëm si shtet serioz zhvillimor dhe prosperues, dhe tërë ky moszhvillim ose degradim i përgjithshëm është derivat nga mendësia e qeverisjes së korruptuar klanore e jashtë- institucionale. Kjo është edhe një arsye pse nuk mund të ndryshojë edhe perceptimi qytetar karshi proceseve e vijës së përgjithshme politike, pos ta nxjerrë në sipërfaqe situatën në lëvizje negative, vijën e çrregulluar dhe vazhdimin e thellimit të krizës", tha Arsim Haziri. "Kjo situatë vjen si pasojë e defekteve dhe parregullsive që në një shtet serioz të sundimit të ligjit do të duhej të ishin si objektiva themelore dhe parësore, për t'i dhënë qytetarit një qeverisje më kredibile dhe të përgjegjshme", tha analisti Haziri. Gjykim të ngjashëm ka edhe analisti Ali Hertica. Ai ka pohuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë vazhdojnë ta sfidojnë dhe rëndojnë gjithnjë e më shumë jo vetëm situatën politike, por edhe mirëqenien qytetare, përditshmërinë e tyre sociale. "Përpos moszhvillimit të shtetit apo ngadalësimit të rritjes ekonomike, këto dukuri negative po shkaktojnë edhe rritjen e papunësisë në vend. Vazhdimi i një trendi të tillë negativ - moszhvillimit të vendit, vjen si pasojë e pasjes në krye të shtetit të një klase politike të inkriminuar, duke pasur një qeverisje të shantazhuar kuislinge, e cila nuk ka bërë gjë tjetër për kaq vite në të kaluarën, por edhe tani, veç instalimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit dhe familjarizimit në të gjitha nivelet e institucioneve të shtetit", tha Hertica për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se për ta ndryshuar këtë gjendje alarmante, nevojitet ndryshim rrënjësor në mentalitetin politik dhe praktik të qeverisjes së vendit. 

(Kosova Sot)