PDK-ja, në shënjestër të Speciales

  • 26 October 2016 - 07:38
PDK-ja, në shënjestër të Speciales

Partia e Thaçit dhe Veselit, në ditët e saj më të vështira.

"Gjykata Speciale më së shumti do ta godasë PDK-në, subjekt politik ky që për një kohë të gjatë është edhe në shënjestër të EULEX-it, përplot me njerëz të këtij subjekti në funksione të larta që janë të përfshirë në korrupsion,tenderë dhe punësime të kundërligjshme", theksoi analisti Blerim Burjani,raporton Gazeta Kosova Sot.

Funksionalizimi i Gjykatës Speciale, sipas njohësve të sundimit të ligjit dhe analistëve politikë, ka gjasa reale që të ketë ndikim edhe në pastrimin dhe rikonfigurimin, rirreshtimin e skenës politike në vend. Nëse dalin të sakta akuzat në raportin që i referohet Gjykata Speciale, atëherë është e pritshme që më së rëndi të goditet PDK-ja. Duke marrë parasysh faktin se tani ka edhe më së shumti kryetarë komunash të dënuar, nuk përjashtohet mundësia që ky subjekt politik në zgjedhjet e radhës të jetë viktima kryesore që do të korrë edhe të gjitha frytet e paligjshmërisë, për çka mund të ketë rënie të shpejtë në elektorat. Një parashikim të tillë e bën profesori i së drejtës, Riza Smaka."Përgjegjësia objektive do të duhej të aplikohej kundër individëve në poste qeverisëse, në kuadrin e institucioneve përkatëse, nëse do të rezultonte se individi apo individët e caktuar janë të përgjegjshëm. Përveç përgjegjësisë penale e morale, përgjegjësia politike do të rezultonte pashmangshëm edhe në procesin e zgjedhjeve lokale e të përgjithshme. Sigurisht që subjekti politik, nga kuadri i të cilit do të rezultonin penalisht të përgjegjshëm individët apo funksionarët e caktuar publikë, në rrethanat normale, do të pritej të pësonte edhe rënie të dukshme elektorale", tha Smaka për "Kosova Sot"

Të zbardhen vrasjet enigmatike Pritje të ngjashme ka edhe profesor Muhamet Kelmendi. Ai beson që sa u takon rasteve paragjykuese të krimeve kundër serbëve, të cilat janë objekt trajtimi nga Gjykata Speciale, ato që në start do të dalin si fabrikime qëllimkëqija ndaj ushtarëve të lirisë - UÇK-së, por enigmë e pazgjidhur mbetet trajtimi po nga kjo gjykatë i pjesës tjetër që ka të bëjë me vrasjet e karakterit politik të pasluftës dhe mundësinë e infiltrimit në këto vrasje të individëve nga strukturat politiko ushtarake të pasluftës. "Unë e kam theksuar edhe në disa raste të tjera së dhënia e një përgjigjeje adekuate lidhur me atë zhvillim në pritje do të varet kryesisht nga fakti se kush do të mundë të përfshihet në këtë proces hetimor dhe ngritje eventuale të aktakuzave se kush janë dorëvrasësit dhe kush janë organizatorët që qëndrojnë prapa organizimit të akteve të tilla të ndaluara me të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës. Sidoqoftë, është tepër e rëndësishme që rastet të zbulohen. Prandaj, nëse dalin disa nga ata të apostrofuarit e deritanishëm, qoftë si ekzekutorë apo organizatorë, gjithsesi që do të jetë një situatë e rëndë dhe nuk përjashtohet as mundësia që edhe skena politike të çrregullohet, sepse tronditjet do të jenë shumë të rënda", tha prof. Kelmendi.

Partitë e mëdha meritojnë ndëshkim elektoral Sido që të jetë rezultati dhe e vërteta që do të nxjerrë Gjykata Speciale, analisti politik, Florim Zeqa, thotë se skena e inkriminuar politike e meriton të ndëshkohet rëndë nga elektorati kosovar, shkaku i paligjshmërisë, skandaleve të njëpasnjëshme qeveritare, aferave të shumta korruptive, e për më tepër për rëndimin e jetës së qytetarëve, si pasojë e moszhvillimit ekonomik dhe izolimit 17-vjeçar. "Një parti politike, siç është PDK-ja, me shumë kryetarë komunash të dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar, e sa të tjerë me aktakuza të ngritura nga gjykatat vendore, pa dyshim se do të jetë në shënjestër edhe të Gjykatës Speciale. Teorikisht, pritjet janë të mëdha që Gjykata Speciale, përveçse ta pastrojë edhe të determinojë rikonfigurimin e skenës politike", theksoi ai. "Nga cilido këndvështrim ta analizojmë qeverisjen tetëvjeçare të vendit, dy partitë e mëdha të koalicionit qeverisës, PDK-LDK, e meritojnë largimin nga qeverisja e vendit, ngase për këta tetë vjet të qeverisjes së vendit edhe kur nuk kanë qenë në bashkëqeverisje e kanë ndihmuar njëra-tjetrën në zhvatjen e buxhetit të shtetit, në arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në dëme të vendit (Asociacioni i komunave serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi) dhe ndarjen e tenderëve militantëve partiakë dhe familjarëve të tyre. Zgjedhjet e paralajmëruara (të jashtëzakonshme) parlamentare do të jenë sfidë e vështirë për partitë në pushtet, e në veçanti për PDK-në e Veselit, pas publikimit të aferave korruptive të klanit "Pronto 2", ku protagonist kryesorë janë krerët më të lartë të saj", tha Florim Zeqa. Megjithatë, ai ka pohuar se e gjitha varet nga motivimi i daljes së votuesve në zgjedhje."E kur dihet fakti se pothuajse të gjithë të punë- suarit në sektorin publik janë të varur nga PDK-ja, për çka janë të detyruar të votojnë të njëjtit për ruajtjen e vendeve të punës", u shpreh Zeqa.

Rikonfigurimi, i pashmangshëm Më të goditurin subjekt politik nga Specialja e sheh PDK-në edhe analisti Blerim Burjani."Gjithsesi që Gjykata Speciale më së shumti do ta godasë PDK-në, subjekt politik ky që për një kohë të gjatë është edhe në shënjestër të EULEX-it, përplot me njerëz të këtij subjekti në funksione të larta që janë të përfshirë në korrupsion,tenderë dhe punësime të kundërligjshme. Ky subjekt me këtë qasje duket si një parti politike që funksionon vetëm sot për nesër, për shkak se fare nuk po tenton ta lirojë funksionimin e shtetit nga strukturat e inkriminuara që shteti të jetë në përputhje me rendin dhe ligjin", theksoi ai. "Është e pritshme që pa një reformë kadrovike ky subjekt nuk do të ketë të ardhme dhe perspektivë politike në zgjedhjet që pasojnë, sepse klientela e këtij subjekti politik është krijuar vetëm nëpërmes të bërjes së favoreve të shumta për grupet dhe individët e caktuar. Tani koha po vjen duke u ofruar me ndryshime dhe në mandatin vijues do të jetë gati e pamundur që t'u premtojë punë e tenderë bizneseve ta afërta me këtë subjekt politik, nuk do të ketë mundësi për premtime punësimi as nëpër ambasada, borde publike, një dëm i madh që i është bërë shtetit deri më tani me këtë formë klienteliste të qeverisjes", tha Blerim Burjani. Tërmet të madh në skenën politike me rirreshtim dhe rikonfigurim pas Gjykatës Speciale pret edhe analisti Islam Krasniqi. Sido që të jetë, ai thotë se vendimtare për ndëshkim do të jetë vota qytetare dhe jo gjykata e cilitdo nivel qoftë ajo. "Pa dyshim së kjo gjykatë do ta drejtojë gishtin nga PDK-ja dhe do ta dëmtojë këtë parti më së shumti, sepse të gjithë zyrtarët i ka nën hetime, pa i harruar kryetarët e komunave, ministrat, por nuk besoj së do t'i prekë aktorët kryesorë brenda PDK-së, për të cilët rëndon një histori e errët. Kjo parti do të ketë rënie në zgjedhjet e ardhshme, por në numër të vogël, sepse tani për tani ka kapur çdo gjë mbi këtë tokë dhe është shumë problem të lëkundet seriozisht nga themelet e saj", u shpreh analisti Krasniqi. 

 

(Kosova Sot)