Jetëgjatësia e Kosovës A varet nga Kosova e RE

  • 26 October 2016 - 18:04
Jetëgjatësia e Kosovës A varet nga Kosova e RE

Zotimi i Qeverisë se Kosovës për mbylljen e ndotësit më të madh në vend, Termocentralit Kosova A në vitin 2017 duket se nuk do të jetë i mundshëm . Zyrtarë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se sipas draft strategjisë së energjisë, mbyllja e Kosovës A bëhet në momentin kur kemi njësinë e re gjeneruese TC “Kosova e Re”.

“Do të jetë e pa mundur për shkak të gapit të madh që krijohen në terma të sigurisë së furnizimit”, thonë në MZHE.Strategjia e energjisë së Republikës së Kosovës 2013 – 2022 bazohet në tri shtylla të cilat paraqesin kornizën për krijimin e politikave dhe planeve të veprimit për zhvillimin e sektorit të energjisë. Lidhur më këtë në MZHE thonë së Qeveria ende nuk është përcaktuar për ndonjërën nga shtyllat. 

“Opsionet ende janë draft, do të selektohet ai i cili nuk rrezikon sigurinë e furnizimit me energji për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thonë në MZHE. Në MZHE deklaruan se përparësitë e Termocentralit Kosova e RE me termocentralet ekzistues janë shumë të mëdha. 

“Termocentrali ‘Kosova e Re’ do të ndërtohet në tërësi me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian, siç janë ‘Teknikat më të mira të mundshme (BAT)’, me emetime të ulëta (IED), njësia me koogjenerim, si dhe mundësia e ekstraktimit të CO2”, thuhet në përgjigjet e Divizionit për Komunikim me Publikun në MZHE.  

Mbylljen e TC Kosova A nuk e sheh edhe aq të nevojshme, Skënder Bucolli, drejtor në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun të KEK-ut. Sipas tij KEK-u tashmë e ka dëshmuar se është faktor stabiliteti sa i përket sektorit energjetik.

“Në bazë të procedurave të gjitha remontet e planifikuara në TC-A dhe TC-B kanë rezultuar të suksesshme, me këtë edhe besueshmëria në të gjitha blloqet është rrit në nivelin e duhur”, tha Bucolli. Ai tha se KEK-u gjatë nëntë mujorit të këtij viti ka arritur me sukses të realizojë prodhimin konform planifikimeve dhe bilancit energjetik. 

“Ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për sezonin dimëror dhe nuk ka mëdyshje se prodhimi do të vazhdojë me të njëjtin ritëm” tha ai.  Por nevojën emergjente për mbylljen e Kosovës A e përsërisin për të satën herë ambientalistët.

Daut Maloku kryetar i Partisë së Gjelbërt të Kosovës tha se Kosova A për shumë dekada ka shkaktuar impakt mjedisor që tejkalon dhjetëra here standardet mjedisore e shëndetësore . “ Mbyllja ishte paralajmëruar në vitin 2006 , mirëpo akoma vazhdon te zvarritet. Viti 2017 do të duhej të ishte viti i fundit eksploativ për TC Kosova A”, tha Maloku. 

Edhe shumë grupe tjera ambientaliste në raportet e tyre vazhdimisht e kanë konsideruar Termocentralin Kosova A si ndotësin më të madh në vend dhe kanë kërkuar që sa më shpejt të bëhet e mundur mbyllja e tij.

(Kosova Sot)