Pasiviteti i qytetarëve po u ndihmon të korruptuarve

  • 26 October 2016 - 18:42
Pasiviteti i qytetarëve po u ndihmon të korruptuarve

Opozita: Korrupsioni në komunë ka ndryshuar formë

"Kujtoj se korrupsioni është çdo veprim i kundërligjshëm që favorizon dikë tjetër kundrejt një shpërblimi çfarëdo qoftë ai. Të themi të drejtën, siç po e tregojnë edhe hulumtimet e shoqërisë civile, favorizime nga ana e organeve të pushtetit ka pasur në vazhdimësi dhe vazhdon të ketë edhe tash. Ka favorizime në arsim, në tenderim, në ofrimin e shërbimeve publike, në punësim dhe në inspektim, dhe këto tregojnë qartë që korrupsioni (jo vetëm me para) është ende i pranishëm në komunën tonë", shprehet për gazetën Agon Batusha

Sa herë që në Kosovë, në periudhën e pasluftës, janë bërë analiza për gjendjen aktuale dhe problemet me të cilat ballafaqohet popullata kosovare, një ndër problemet që vazhdimisht ka pasur pozitë të lartë në "top-listë", ka qenë korrupsioni. Këtë e kanë konstatuar organizmat vendorë të shoqërisë civile, por edhe ato ndërkombëtare, duke thënë madje se pa luftimin e korrupsionit Kosova vështirë se mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian! Kuptohet se këtu bëhet fjalë për korrupsionin në nivele të larta, por kjo dukuri nuk është prezent vetëm në ato nivele, por thuajse në të gjitha nivelet e shoqërisë kosovare, duke arritur madje edhe tek këshillat lokale në lagjet e qytetit apo nëpër fshatra! shkruan gazeta Kosova Sot.

Lëvdatat nuk e ndërrojnë perceptimin e qytetarëve

Karshi kësaj të keqe të shoqërisë nuk ka se si të jetë imune as Komuna e Gjakovës, sado që përfaqësuesit e pushtetit lokal këtu vazhdimisht lavdërohen se kanë arritur rezultate shumë të mira në luftimin e korrupsionit. "Që nga dita e parë kur e kemi marrë pushtetin kemi bërë çmos që puna jonë të jetë sa më transparente, sepse e kemi vlerësuar se kështu luftohet më së miri korrupsioni. Vazhdimisht i kemi ftuar qytetarët në bashkëpunim, vazhdimisht kemi qenë të hapur ndaj vërejtjeve dhe ankesave të tyre që kanë të bëjnë me korrupsionin e supozuar dhe kur ka pasur ankesa të tilla nuk kemi qëndruar duarkryq, por kemi vepruar", ka thënë për gazetën Armend Vokshi, udhëheqës i Drejtorisë Komunale për punë administrative, duke shtuar se për këtë kanë marrë mirënjohje nga shumë organizma ndërkombëtarë. Ky pohim nuk i bind kurrsesi gjakovarët se në organet komunale nuk ka korrupsion, pasi perceptimi i tyre është se korrupsion në këto organe ka pasur që nga përfundimi i luftës e vazhdon të ketë edhe sot. "Gjithsesi se ka korrupsion. Unë nuk e mendoj korrupsionin vetëm si mitë, pra vetëm si dhënie të ryshfetit me para, pasi ai shprehet edhe në forma të tjera. Këtë nuk e them rastësisht, por siç kam pasur rast të shoh dhe të dëgjoj, nëse nuk e ke ndonjë lidhje e ke shumë të vështirë të zgjidhësh ndonjë problem, të gjesh ndonjë vend pune apo të marrësh ndonjë tender. Edhe ky është korrupsion", ka thënë Abdyl Hyseni, qytetar i Gjakovës.

Korrupsion nuk është vetëm dhënia e parave

"Ne e kemi shumë të vështirë të ndryshojmë perceptimin e qytetarëve, por mund t'u themi se gjatë këtyre gati 3 viteve sa jemi në pushtet kemi pranuar diku rreth 60 ankesa të kësaj natyre, shumica e së cilave nuk janë shoqëruar me asnjë dëshmi, bile kur ankuesit i kemi ftuar që të nënshkruajnë denoncimin, ata kanë hequr dorë nga ankesa! Atëherë kur këto ankesa janë dëshmuar, ne kemi marrë masa ndaj shkelësve të ligjit duke i pezulluar për afat të caktuar. Kështu, aktualisht, një procedurë e tillë është duke u zhvilluar ndaj 4 vetave", ka sqaruar Vokshi. Sipas kësaj del se, edhe pse në opinion vazhdimisht flitet për nivelin e lartë të korrupsionit, çuditërisht, qytetarët për këtë heshtin, duke mos e denoncuar aty ku duhet, madje as në debatet publike që bisedohet për këtë çështje. Kështu ndodhi edhe këto ditë, kur UNDP-ja organizoi debat publik lidhur me nivelin e korrupsionit në organet komunale të Gjakovës. Në këtë debat, edhe pse ishin të ftuar, kishte fare pak, për të mos thënë aspak, qytetarë apo përfaqësues të shoqërisë civile! Si do që të jetë, edhe opozita komunale është e bindur se ka korrupsion, por se ai ka ndryshuar formën. Këtë e thotë edhe këshilltari komunal nga 'Vetëvendosje', Agon Batusha. "Kujtoj se korrupsioni është çdo veprim i kundërligjshëm që favorizon dike tjetër kundrejt një shpërblimi, çfarëdo qoftë ai. Të themi të drejtën, siç po e tregojnë edhe hulumtimet e shoqërisë civile, favorizime nga ana e organeve të pushtetit ka pasur në vazhdimësi dhe vazhdon të ketë edhe tash. Ka favorizime në arsim, në tenderim, në ofrimin e shërbimeve publike, në punësim dhe në inspektim, dhe këto tregojnë qartë që korrupsioni (jo vetëm me para) është ende i pranishëm në komunën tonë. Jam në dijeni se janë marrë disa masa nga ana e organeve komunale dhe ato duhet përshëndetur, por gjithsesi jemi larg asaj që në të vërtetë duhet të jemi" ka thënë për "Kosova Sot" Agon Batusha.

(Kosova Sot)