Projekt 25 milionësh për trajtimin e ujërave të zeza

  • 26 October 2016 - 21:35
Projekt 25 milionësh për trajtimin e ujërave të zeza

DONATORËT E HUAJ INVESTOJNË NË NJË IMPIANT NË PEJË

Ky projekt do të financohet bashkërisht prej Qeverisë gjermane - bankës KFW, Konfederatës Zvicerane përmes ESCO-s, Komunës se Pejës dhe Kompanisë rajonale "Hidrodrini" 

Projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë i bëri së bashku përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, asaj gjermane dhe të Konfederatës zvicerane dhe zyrtarët komunalë, ku u nënshkrua marrëveshja e përbashkët për mënjanimin e ujërave të zeza, një projekt që kap vlerën 25 milionë euro. Ky projekt do të financohet bashkërisht prej Qeverisë gjermane - bankës KFW, Konfederatës Zvicerane përmes ESCO-s, Komunës së Pejës dhe Kompanisë rajonale "Hidrodrini", e që do të realizohet brenda tri viteve. Kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, tha se ky është projekti më i madhi dhe më i rëndësishmi për mbrojtjen e ambientit për qytetarët e Pejës në këto 35 vitet e fundit, shkruan gazeta Kosova Sot.

Gjysma e popullatës e kyçur në rrjet

Nëntë milionë euro investon KFW nga Gjermania, shtatë i jep Konfederata zvicerane përmes ESCO-s, tre milionë euro do të investojë Komuna. Christoph Tisens, drejtor për Evropën Juglindore dhe Turqinë në Bankën gjermane KFW, ka thënë se uji në Kosovë është një artikull shumë qenësor për popullatën e kësaj treve, sepse vetëm 50-60 % e popullatës së këtij vendi kanë qasje në rrjetet e ujësjellësit dhe kjo është kuotë e ulët, prandaj edhe duhen investime. Ai më pas shtoi se përmes këtij projekti të përbashkët Komuna e Pejës do të ketë një fabrikë për mënjanimin e ujërave të zeza, rrjetin e ujërave të zeza dhe kolektorin për kyçje në fabrikë, e cila do ta ndihmojë edhe kompaninë "Hidrodrini" në mbrojtjen e mjedisit.

Kolektor edhe në Bogë të Rugovës

Patrick Etieene, nga zyra Zvicerane për Kosovë, u shpreh i lumtur që edhe kësaj radhe shteti prej nga vjen po investon në këtë projekt shumë të rëndësishëm për qytetarët e kësaj komune dhe shtoi se Zvicra për këto 17 vite ka investuar në Kosovë mjete që i tejkalojnë ato të rajonit. Ai ka vlerësuar se në Kosovë ka shumë njerëz të mirë dhe të përkushtuar për vendin. Ndërsa, Muhaxheri premtoi se do të punojë edhe për studimin e fizibilitetit për një projekt për mbrojtjen e Drinit të Bardhë nga ujërat e zeza si dhe ndërtimin e disa kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza në Bogë te Rugovës dhe disa fshatra të tjera në Rugovë.

(Kosova Sot)