Krimet e Rënda lënë në burg tre organizatorët e grupit të drogës, punëtorët vetëm 1 muaj

  • 27 October 2016 - 10:09
 Krimet e Rënda lënë në burg tre organizatorët e grupit të drogës, punëtorët vetëm 1 muaj

Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda u caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg pa afat” tre të dyshuarve Leo Tafa, Mehmet dhe Meto Skenderaj të arrestuar ne fshatin Ninesh te Mallakastrës për akuzën e kultivimit të narkotikeve ne kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa për pesë punëtorët e gjetur në ambientet e tharjes së hashashit gjykata caktoi masën e “Arrestit me burg” me afat 30 ditor. Prokuroria për Krime të Rënda zbardh detaje të operacionit të policisë të koduar “Gryka” ku u arrestuan 8 persona dhe 6 të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë, ku u sekuestruan rreth 350 kg hashash dhe 425 fara të kanabis sativës. Sipas akuzës, shtetasit e arrestuar Leo Tafa dhe dy kushërinjtë Mehmet e Meto Skenderaj, dyshohet se janë personat kryesor në kultivimin e lëndës narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në dosje thuhet se hetimet kanë nisur në qershor të këtij viti, pas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Gjatë veprimeve hetimore, u bë me dije se Mehmet Skenderaj ka përshtatur shtëpinë e tij në fshatin Ninesh, Komuna Fratar të Mallakastrës për tharjen e kanabis sativës, duke zhvendosur familjen në Vlorë. Hetuesit thonë se me kultivimin e kanabisit në parcelë dyshohet se është marr i arrestuar Leo Tafa i cili bashkë me Meto Skenderaj gjenin edhe punëtorët për korrjen, tharjen dhe krasitjen e hashashit. Për këto dyshime të referuar edhe në gjykatë, kjo e fundit tre të dyshuarve me cilësinë e organizatorëve, i caktoi masat e sigurisë “Arrest me burg” deri në një vendim tjetër. Po me kërkesë të prokurorisë, deri në sqarimin e roleve të tyre, gjykata i caktoi masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditor shtetasve Indrit Tafa, Dorjan Tafa, Englatin Tafa, Artan Skenderaj dhe Miklovan Tafa.

Operacioni për arrestimin e tyre u organizua pak ditë më parë në fshatin Ninesh, Komuna Fratar të Mallakastrës, ku nga kontrolli i banesave efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, gjetën dhe sekuestruan një sasi prej rreth 350 kg hashash të tharë dhe 425 fara të kanabis sativës me peshë rreth 27 kg dhe disa armë me cilësinë e provës materiale. Për llogari të kësaj dosje, janë shoqëruar edhe 6 persona të tjerë, mes tyre edhe gra që punonin në tharjen dhe krasitjen e lëndës narkotike brenda banesës së Mehmet Skenderajt, ku edhe u gjet sasia më e madhe e lëndës narkotike.

(Kosova Sot)