Nishani u shpreh ngushëllimet familjarëve të Akademikut Alfred Uçit

  • 27 October 2016 - 10:18
Nishani u shpreh ngushëllimet familjarëve të Akademikut Alfred Uçit

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, u shprehu ngushëllimet e sinqerta personale dhe institucionale për ndarjen nga jeta të Akademikut të shquar, studiuesit të estetikës dhe profesorit të filozofisë, Alfred Uçi.

Në telegramin e ngushëllimit të Nishanit drejtuar familjes Uçi thuhet:

“Të nderuar familjarë të Profesor Uçit,

Me dhimbje dhe keqardhje të thellë mësova lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të filozofit dhe estetit sui generis, akademikut të shkëlqyer me shpirt aq të madh njerëzor, Alfred Uçi, i cili gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore ua kushtoi studimeve estetike, filozofike dhe nxjerrjes në pah të vlerave më të çmuara të letërsisë e kulturës sonë kombëtare.

Me këtë rast më lejoni, që në cilësinë e Kreut të Shtetit si dhe në emër të qytetarëvë shqiptarë, t’ju shpreh ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj të dashur e të pazëvendësueshëm!

Profesori i ndjerë, përveç veprave të shumta që na ka lënë pas, duke e pasuruar ndjeshëm trashëgiminë estetike, letrare dhe kulturore shqiptare, iu përkushtua me mish e me shpirt studimeve si estet akademik duke u angazhuar tërësisht në interpetimin filozofik dhe estetik që nga Rilindja jonë Kombëtare e deri tek shkrimtarët më të spikatur bashkëkohorë.

Me largimin e Tij nga kjo jetë, filozofisë, letërsisë, kulturës dhe akademizmit shqiptar do t’i mungojë pamasë ky personalitet i rrallë dhe aq i vyer, me dijet e pashtershme filozofike dhe estetike dhe natyrën e tij aq të qetë dhe mbresëlënëse, i cili la gjurmët e veta të pashlyeshme në disa fusha të dijeve albanologjike duke mundësuar njëkohësisht edhe zhvillimin e mëtejshmë të mendimit shkencor filozofik shqiptar.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Profesor Uçit dhe shpirti i tij u prehtë në paqe!” – shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Nishani.

(Kosova Sot)