Replika të ashpra Rama – Paloka, lojëra fjalësh kush e ka pasur babanë partizan dhe kush ballist

  • 27 October 2016 - 12:22
Replika të ashpra Rama – Paloka, lojëra fjalësh kush e ka pasur babanë partizan dhe kush ballist

Seanca e sotme plenare nisi me replika të ashpra mes kryeministrit Edi Rama dhe nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka.

Nga kanabisi dhe investimet në bujqësi debati agravoi në temën e partizanëve dhe ballistëve.

Rama: Mirë që s’bëtë asgjë për të krijuar tregun e tokës, mirë që i latë fermerët në mëshirën, mire që nuk lëvizët as gishtin që t’i çonit ujin në parcela dhe nxorët jashtë përdorimit mijëra hektarë për shkak të mungesës së ujit, por vini këtu dhe kërkoni llogari ndërkohë qe ne jemi angazhuar në një bashkëpunim konkret me Universitetin Bujqësor me rektorin e universitet për ta rikthyer Universitetin Bujqësor  në krye të detyrës së vet që nuk është thjesht të japë leksione me llafe, por të jetë një vend ku zhvillohen praktika të standardeve europiane dhe ku referohet çdo sipërmarrës dhe fermer për të rritur cilësinë.

Do ishte mirë që Universitetit Bujqësor të mos i kishit vënë kazmën paraprakisht. Për ju ishe hapësira e lëmoshave, për ne është hapësira e një zhvillimi, që bazohet tek investime të bazuara në logjikën e tregut. Mirë që nuk bëtë asgjë për të krijuar tregun e tokës, mirë që i latë fermerët në mëshirën e fatit, pa pronën e tyre, bazuar mbi ligji 7501, mirë që nuk lëvizët as gishtin që t’i çonit ujin në parcelë dhe nxorët jashtë përdorimit me mijëra hektarë për shkak të përdorimit të ujit. Bllokuat qindra kilometra të kanaleve kulluese për shkak të rrugëve pa plan.

E shkatërruat Universitetin Bujqësor, atë qendër ekselencë që sot duhet të ishte pararoja e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë. Ne jemi angazhuar në një synim konkret për ta rikthyer Universitetin Bujqësor në krye të detyrës së vet. Nuk duhet të jepen vetëm leksione, por të zhvillohen praktika të standardeve europiane. Aty duhet të drejtohet çdo biznes e fermer për të marrë informacionin e duhur për zhvillimin e projekteve të tyre. Jeni shkatërruesit në çdo sektor. Mundohuni që përveç kritikave, që është detyra juaj, të jepni edhe një ide. Na thoni si mund të bëhet më mirë, nëse ne po e bëjmë gabim. Sa për kanabisin mos u shqetësoni fare, se nuk është si thoni ju. Referojuni shifrave të eksporteve bujqësore, dhe do të shihni se janë më të lartat ndonjëherë. Janë produkte që tregtohen jashtë vendin tonë, dhe s’kanë asnjë lidhje me kanabisin që thoni ju.

Paloka: Ju përkeqësuat gjendjen e fermerëve. Premtuat shumë gjëra, po s’bëtë gjë. Rritet çmimin e energjisë, të naftës, taksat, TVSH. Këto po ua thonë fermerët çdo ditë, por ky nuk e pranon. E kalon me batuta pa kripë me fermerët. Ky thotë janë rritur eksportet për prodhimet bujqësore. Po është rritur eksporti i kanabisit. 20 ton në dy javë janë kapur. Ky është realiteti i bujqësisë së këtij zotërisë.

Rama: Unë jam me Partizanin, nuk jam me Ballin Kombëtar. Nuk ka arsye për të dalë këtu në emër të Ballit Kombëtar, në emër të Ballit këtu mund të kujtoni sa pula keni shqyer kur keni qenë në qeveri. E keni trajtuar vendin si një pulë që e keni shqyer nga të gjitha anët. Keni shumë të drejtë t’i dekoroni, sepse jeni njësoj si ata. Kur shkoni aty te varrezat e dëshmorëve dhe shkoni përkuleni aty, se s’keni rrugë tjetër, të partizanët jeni. Aty do përkuleni se s’keni ç’bëni.

Sa për fermerët, janë shumë më të zgjuar nga sa i kujtoni ju. Eksperienca e tyre është mëse e mjaftueshme për të kuptuar se ju silleni si në cirk, kur u thoni se u janë rritur taksat. Asnjë taksë nuk është rritur në fshat. Ama u është rritur rimbursimi i TVSh për prodhimet bujqësore.

(Kosova Sot)