Serbia merr miliarda nga Kosova

  • 27 October 2016 - 07:52
Serbia merr miliarda nga Kosova

Deficit i thellë tregtar dhe mungesë reciprociteti.

"Kjo në Kroaci nuk ndodh, sepse produktet e Serbisë në këtë shtet janë të sanksionuara me ligj, dhe Kosova nuk e ka atë guxim dhe në mungesë të këtij guximi ne eksportojmë mbi 300 milionë euro para të thata, që janë shifra zyrtare gjatë një viti për të importuar këto produkte, që shumica prej tyre, po të kishte pak nacionalizëm ekonomik, do të mund të zëvendësoheshin me prodhime vendi ", thekson kreu i AKB-së, Agim Shahini,raporton Gazeta Kosova Sot

Kosova vazhdon të jetë një treg i mirë për Serbinë, ndërsa produktet kosovare gjejnë fare pak vend në tregun fqinj. Bilanci është thellësisht negativ për vendin tonë. Importet janë 300 milionë euro në një vit, kurse eksportet nuk arrijnë as 15 milionë euro gjatë një viti. Sipas njohësve të kësaj fushe, fajtore për këtë bilanc katastrofal janë të gjitha qeveritë e pasluftës. Analistët theksojnë se e tëra kjo po vjen si pasojë e veprimit të papërgjegjshëm të pronarëve të kompanive oligarkike pasi shumica prej tyre janë të lidhura me pushtetin tash e 17 vjet, duke e bërë Kosovën të varur nga produktet serbe. Lideri i AKB-së, Agim Shahini tha për "Kosova Sot" se është për keqardhje që Kosova ende po vuan nga mungesa e nacionalizmit ekonomik dhe si pasojë e saj po na mungon ende vetëdija kombëtare për konsum të prodhimeve vendore.

Informaliteti dëmton konkurrencën Sipas Shahinit, më së shumti importin e produkteve të Serbisë po e stimulojnë politikat aktuale qeveritare. "Kjo në Kroaci nuk ndodh, sepse produktet e Serbisë në këtë shtet janë të sanksionuara me ligj dhe Kosova nuk e ka atë guxim dhe në mungesë të këtij guximi ne eksportojmë mbi 300 milionë euro para të thata që janë shifra zyrtare gjatë një viti për të importuar këto produkte që shumica prej tyre, po të kishte pak nacionalizëm ekonomik, do të mundej që të zëvendësoheshin me prodhime vendi ", potencon ai. Sipas liderit të AKB-së, Shahini, e keqja është se njëkohësisht informalitetin më të madh Kosova e importon nga Serbia nëpër rrugët e tjera alternative e që janë konkurrencë e drejtpërdrejtë e prodhimeve vendore dhe kjo po vazhdon që nga paslufta e deri më sot. "Sipas një analize që AKB-ja e ka bërë 1 vit më herët, mësohet se që nga pas lufta e këtej, Kosova ka eksportuar para të gatshme në Serbi mbi 5 miliardë euro dhe këto para e kanë meremetuar infrastrukturën dhe ekonominë e Serbisë duke e varfëruar në të njëjtën kohë Kosovën", tha Shahini. 

Të ndalet pabarazia tregtare Bankieri Milazim Abazi tha për "Kosova Sot" se raportet ekonomike me Serbinë vazhdojnë të jenë po aq të këqija sa edhe ato politike. "Andaj, unë nuk pajtohem assesi që marrëdhëniet ekonomike i kemi të shkëlqyera, siç po shprehen disa. Me vetë faktin se ne me Serbinë kemi një bilanc tregtar katastrofal, mbulimi i importit me eksport është vetëm 5 për qind, importi 300 milionë, ndërsa eksporti vetëm 15 milionë, i bie se Kosova në Serbi eksporton para, ndërsa Serbia eksporton mallra në Kosovë", theksoi ai. Bankieri Abazi tha se mallrat kosovare për të depërtuar në Serbi duhet të kalojnë nëpërmes barrierave të panumërta, ndërsa ato nga Serbia shpeshherë nuk i nënshtrohen as doganës. "Njëjtë ndodh edhe me lëvizjet e afaristëve kosovarë në Serbi. Ata maltretohen dhe trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, duke u ç'njerëzuar në çdo pikë të kalimit kufitar", tha ai. Andaj, sipas Abazit, është koha e fundit që edhe si shtet, edhe si shoqëri, por edhe si afaristë t'i themi stop trajtimit të pabarabartë në raport me Serbinë. "Secili faktor kosovar duhet ta kryejë detyrën e vet, edhe qytetare, që në raport me Serbinë të sillemi me integritet dhe dinjitet. Këtë mundësi e kemi. Mallrat serbe kanë shumë nevojë për tregun kosovar dhe këtë nevojë ne duhet ta kapitalizojmë për heqjen e të gjitha barrierave që po na i vendos shteti serb", potencoi Abazi

Qeveria kosovare e injoroi prodhuesin vendor Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi, Nehat Maxhuni tha për "Kosova Sot" se për vite me radhë jemi dëshmitarë që produktet e Serbisë janë duke u konsumuar me të madhe në Kosovë. Sipas tij, këtë e dëshmon edhe raporti i Doganës ku deficiti tregtar nga viti në vit është duke u rritur. "Ekzistojnë një mori faktorësh që ndikojnë në këtë deficit tregtar me Serbinë. E para është që qeveritarët tanë edhe ato fabrika që i patëm i shkatërruan duke i privatizuar shkel e shko, duke e shitur makinerinë e tyre për skrap, ndërsa objektet i ridestinuan për depo të ndryshme të mallrave të gatshme të importuara nga Serbia dhe nga vendet e tjera. Tokat bujqësore i shkatërruan me ndërtime, rërë e beton", tha ai. Maxhuni thotë se politikat e gabuara të privatizimit dhe politikat e gabuara fiskale e shkatërruan prodhuesin vendor dhe Kosova mbeti vetëm treg i shitjes për Serbinë dhe vendet e tjera. "Kjo gjendje është se Serbia i ka kushtuar shumë rëndësi prodhimit, ku prodhuesit janë financuar dhe stimuluar nga ana e qeverisë së Serbisë, investitorëve të huaj u janë ofruar të gjitha kushtet për të investuar në Serbi, me çka ka bërë që për tregun kosovar mallrat e tyre të jenë atraktive dhe të lira", theksoi Maxhuni. Gjithnjë sipas Maxhunit, kontribut shtesë që të kemi këtë deficit tregtar me Serbinë, më të madhin në vend, ka dhënë Qeveria jonë, e cila në raport me Serbinë që nga pas lufta e ka hequr doganën për të gjitha produktet e Serbisë, gjë që nuk ka ndodhur edhe me vendet e tjera. "Serbia jo që nuk ka bërë asgjë për produktet e Kosovës, por i ka penguar që ato të depërtojnë në tregun e Serbisë sot e kësaj dite". Maxhuni thotë se Qeveria jonë, për ta zvogëluar këtë deficit tregtar me Serbinë dhe të gjitha vendet e tjera ,është dashur ta ruajë prodhuesin vendor nga konkurrenca e jashtme, ta financojë dhe t'i ndihmojë prodhuesit qoftë me donacione edhe lirim nga obligimet tatimore.

Serbët me strategji të qartë, favorizohen nga oligarkët Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (Konsumatori) tha se shumica e produkteve nga Serbia janë franshiza ose produkte me licenca të blera në Evropë, ku kushtojnë më lirë dhe niveli i kontrollit të cilësisë e sigurisë së tyre është më i besuar. Ai tha se janë investimet e shtetit dhe të bizneseve të Serbisë në Kosovë, investime të fshehta - të padeklaruara publikisht, e që qytetari konsumator jo rrallë i quan " ambasada - konsullata ekonomike të Serbisë në Kosovë ". "Pra, ato kryesisht janë markete, të cilat, thjesht, ia imponojnë qytetarit konsumator produktet e caktuara. Janë " inkompetencat " e shtetit ndaj vijës së kufirit poroz, kontrollit të pamjaftueshëm të hyrjes - importit të mallrave nga Serbia, kontrollimi pamjaftueshëm i cilësisë e sigurisë së produkteve të importuara kryesisht ilegalisht - kontrabandë", theksoi Kaçaniku. Sipas tij, dominojnë interesat e oligarkëve politikë-institucionalë, biznesorë- meritokratë...të rrjetëzuar e të organizuar rreth sabotimit të ekonomisë, të bizneseve, të prodhimeve dhe të interesave të shtetit, si dhe të qytetarit konsumator. E keqja, sipas Kaçanikut, është se institucionet, asociacionet dhe mekanizmat e Republikës së Kosovës, sikur kanë frikë dhe hezitojnë të kryejnë obligimin që del nga mandati i tyre, e që është informimi, edukimi, arsimimi e vetëdijesimi i qytetarit konsumator.

(Kosova Sot)