Drejtësia, për disa nënë, për të tjerët njerkë

  • 27 October 2016 - 07:47
Drejtësia, për disa nënë, për të tjerët njerkë

Oligarkët kontrollojnë edhe përzgjedhjen e lëndëve.

" Pra, fatkeqësisht, kjo është një praktikë e vazhdueshme në prokuroritë dhe gjykatat tona, derisa se a do të futet një lëndë urgjentisht në procedurë apo do të lihet të vjetrohet varet kryekëput se si e kërkon shefi, 'Pronto'. Andaj, drejtësia te ne është komprometuar aq shumë saqë pakkush më i beson asaj", tha deputeti Adem Salihaj,raporton Gazeta Kosova Sot

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë ngritur shqetësimin e tyre për ndarjen në mënyrë të padrejtë të lëndëve nëpër gjykatat e vendit, ngase, sipas tyre, aty mund të ndikohet në zvarritje ose mos zvarritje varësisht nga lidhjet që mund të kenë personat e caktuar fizikë dhe juridikë me institucionet gjyqësore. Ata po ashtu kanë thënë se marrja e një lëndë me urgjencë në procedurë apo lërja e saj që të vjetrohet varet kryekëput prej kërkesës së shefit apo klanit "Pronto". Ndaj është shtruar edhe pyetja se a po bëhet përzgjedhja e lëndëve në gjykatat e vendit, varësisht nga interesat e personave të caktuar nga politika dhe nga kryetarët e gjykatave përkatëse, duke i ndarë kësisoj lëndët e tilla me prioritet, ndërkaq lëndët e tjera ua caktojnë gjyqtarëve, të cilët i kanë nën kontrollin e vet të plotë me qëllim të bllokimit të lëndëve për një kohë sa më të gjatë thuajse deri në pafundësi, përmes gjyqtarëve trafikantë të drejtësisë? Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se tashmë dihet edhe publikisht se disa lëndë futen në procedurë menjëherë, pa pritur fare në rend, e disa të tjera lihen qëllimisht me vite, duke mos u futur në procedurë, me qëllim, siç tha, që të vjetrohen. "Pra, fatkeqësisht, kjo është një praktikë e vazhdueshme në prokuroritë dhe gjykatat tona, derisa se a do të futet një lëndë urgjentisht në procedurë apo do të lihet të vjetrohet varet kryekëput se si e kërkon shefi, 'Pronto'. Andaj, drejtësia tek ne është komprometuar aq shumë saqë pakkush më i beson asaj", tha Salihaj

Drejtësia, hallka më e dobët shtetërore {Analisti Shefqet Dibrani thotë se atë se si po ndodh seleksionimi i lëndëve nëpër gjykata mund ta dinë vetëm ata që janë pjesë e atyre klaneve që kanë ngulfatur jetën në Kosovë, e që qartë shihet se kjo ndodh në mënyrë selektive, për t'ua lehtësuar veprimin e grupeve kriminale në dëm të ardhmërisë së këtij vendi, ngase e tashmja është shantazhuar e kriminalizuar tej mase. "Ne jemi dëshmitarë të dhjetëra rasteve të iniciuara, për të cilat është bërë vetëm një spektakël mediatik, i cili pastaj është shuar si flluska e sapunit mbi ujë, pasi çdo gjë i është nënshtruar ligjit të harresës. Prandaj, nuk kemi pse të dyshojmë për drejtësi selektive në Kosovë, derisa këtë e thonë të gjitha organizatat dhe qeveritë e huaja që monitorojnë zhvillimin ekonomik dhe politik, e ku hallka më e dobët e sistemit llogaritet pikërisht drejtësia në Kosovë, e cila është treguar tejet e pafuqishme për të vepruar karshi grupeve të interesit dhe udhëheqjes oligarkike politike", ka vijuar më tej ai. Ndërsa, se janë mirë të organizuar grupet politike Dibrani thotë se kjo s'ka dyshim, pasi, siç shihet, ato fillimisht kanë kapur drejtësinë, e cila nëse është e pafuqishme për t'i mbuluar të gjitha veprimet kriminale, të paktën është treguar e suksesshme për t'i neglizhuar e shtyrë rastet e caktuara. "Së këndejmi, flitet se janë shumë lëndë të bllokuara, janë shumë procese që nuk janë lejuar as të iniciohen, kurse ato që janë bërë publike, siç ka qenë rasti me afera të mëdha korruptive, siç ka qenë rasti i vjedhjeve në dhomat e sigurisë brenda policisë për të cilat është folur e shkruar mjaft, por askush nuk e di përfundimin e atij procesi, ashtu siç nuk dihet se në cilën fazë janë ndërprerë ndjekjet dhe hetimet e mëtutjeshme. Prandaj, nëse edhe këto raste që dihen fort mirë janë heshtura si mund të pretë qytetari për një drejtësi profesionale. Por, ka rrezik se nëse lënda vjetrohet të mos trajtohet fare, e nëse kjo nuk mund të pezullohet ato lëndë do t'i ikin aktualitetit dhe ashtu të vjetruara do të mbetet shumë pak me interes për t'u trajtuar e gjykuar, prandaj nëse lëndët zvarriten ato kanë qëllim për t'i shpëtuar grupet e kriminalizuara, sepse edhe ashtu nuk e kanë të njëjtin efekt ndikimi, sikurse ato lëndë që trajtohen në kohën dhe momentin e duhur", u shpreh më tutje Dibrani. 

Humbja e besimit Profesori universitar, Mazllum Baraliu, mendon se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura paraqet një problem shumë serioz dhe që kërkon trajtim të menjëhershëm e pa shtyrje derisa, sipas tij, shkaqet e faktorët e këtij grumbullimi të lëndëve ku janë mbi 400 mijë sosh, sipas disa të dhënave të bëra publike nga shoqëria civile janë të shumtë. "Kryetarët e gjykatave, pra përgjegjësit e tyre, janë ata që e bëjnë caktimin e lëndëve me prioritet në relacion me gjyqtarët, duke ua caktuar këtyre të fundit lëndën, dhe ata do duhej gjithsesi që me një sistem tashmë të aplikuar, e që besoj se do duhej të ishte në aplikim të ABC-së, renditjes sipas shkronjave të alfabetit, secila lëndë që vjen në ditën e caktuar për t'u trajtuar, qoftë në shkallën e parë ose me ankesë, nëse është fjala për Gjykatën e Apelit dhe gjykatën përkatëse do duhej që të ketë trajtim të barabartë dhe të caktohet menjëherë, sipas rendit dhe datës së ardhjes, dhe jo sipas lidhjeve që mund të kenë, e interesave që mund të kenë lidhje të personave të caktuar dhe grupeve formale dhe interesave që mund të kenë njerëzit e caktuar për t'i përshpejtuar rastet e tyre nëpër gjykata, në procedurë gjyqësore, prandaj është problem serioz dhe do duhej qasje serioze", ka vijuar më tej ai. Baraliu ka shtuar se mbase ky është edhe njëri nga problemet që shkakton edhe zhgënjim tek qytetarët, për shkak se zvarritet procedura, gjegjë- sisht kohëzgjatja e realizimit të drejtave të tyre, dhe në të njëjtën kohë humbet besimi, e si rrjedhojë edhe ulet imazhi i gjyqësorit dhe institucioneve të drejtësisë nga ana e qytetarëve. "Nuk kanë më besim se aty jo vetëm që mund të mos vendoset profesionalisht dhe vendoset padrejtë- sisht, ose edhe nën ndikimin e mitës dhe korrupsionit, por edhe mund të ndikohet në zvarritje ose moszvarritje, varësisht nga lidhjet që mund të kenë personat e caktuar fizikë dhe juridikë me institucionet e caktuara të niveleve të caktuara gjyqësore", ka potencuar për gazetën "Kosova Sot" profesori Mazllum Baraliu. KGJK-ja të marrë masa Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se gjykatat e kanë obligim që lëndët t'i zgjedhin në bazë të numrit rendor, ashtu siç regjistrohen në shkrimoren e gjykatës dhe nëse ato eventualisht zgjidhen me prioritet duhet të ketë ndonjë arsye ligjore dhe arsye ligjore janë lëndët penale, që është e vetmja kur dikush është në paraburgim, derisa zgjedhja me prioritet e atyre lëndëve është e përcaktuar me ligj."Ndërsa, sa u përket rasteve të tjera, besoj se me këtë duhet të merret KGJK-ja, pasi ka qasje në regjistrat e të gjitha gjykatave në Kosovë dhe duhet të ndërmarrin masa përkatëse ligjore për ta ndaluar këtë dukuri, sepse atëherë drejtësia mund të vijë për dikë shumë më shpejt e për dikë kurrë, kështu që një drejtësi shumë e vonuar faktikisht mund edhe të mos jetë fare drejtësi", ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot" avokati Tomë Gashi.

(Kosova Sot)