Nëntëvjeçarit me sëmundjen e zemrës dhe mushkërive i duhet shërim jashtë

  • 27 October 2016 - 15:49
Nëntëvjeçarit me sëmundjen e zemrës  dhe mushkërive i duhet shërim jashtë

Shenaj Agushi:Te mjekët e publikut nuk po i gjendet ilaç djalit.

Të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familje këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit që është 044 846 155

Ka nëntë vjet që gruas së Shenaj Agushit i ka humbur burri dhe për fatin e tij ajo nuk di asgjë. Që nga ajo kohë ka mbetur të përkujdeset për të dy fëmijët, të cilët kanë ndërprerë shkollimin, djali që ka probleme të mëdha në shëndetin e tij dhe vajza për mungesë të kushteve. E ëma, Shenaj Agushi, del e kërkon lëmoshë te xhamitë, ngase rrugë tjetër nuk di për t'i ushqyer fëmijët e saj dhe veten,raporton Gazeta Kosova Sot

Në vend se të shkonte në shkollë, të lozte me bashkë- moshatarët e tij, t'i shijonte ëndrrat fëmijërore, Dior Agushi, nëntëvjeçar nga Prishtina, po përballet me sëmundjen e rëndë. I shtrirë në një shtrat në një skaj dhome të zbrazët dhe pa kushte, Diori po frymonte me vështirësi. Ai tashmë kishte ndërprerë edhe shkollimin dhe më shumë se kurrë ka nevojë për trajtimin e duhur mjekësor. Sipas nënës së tij, Shenaj Agushi, djali i saj, Diori, po vuante nga dy sëmundje, ajo e mushkërive dhe e zemrës. Nëna e tij ankohet për mungesë të kushteve për trajtimin e sëmundjeve të djalit. Theksoi se në Kosovë nuk po gjen shërim, andaj dëshira e saj është që djalin ta dërgojë për trajtim mjekësor jashtë vendi. "Këtu i kam humbur të gjitha shpresat se ai do të gjejë shërim, jashtë nuk po kam mundësi ta dërgoj. Problemi im është që djalin e kam të sëmurë nga zemra, nga mushkëritë dhe njëri sy. Andaj po apeloj te të gjithë ata që kanë mundësi të më dalin në ndihmë. Te mjekët privatë nuk po kam mundësi ta dërgoj djalin, e në të shtetit më nuk po kam shpresa se do t'i dalë ilaçi", ka theksuar ajo, duke shtuar se shërimi i djalit në Zvicër mund t'i kushtojë 50 deri në 60 mijë euro.

As Komuna e KEK-u nuk i dolën në ndihmë Sipas saj, djali është i diagnostikuar nga sëmundja e zemrës që një vit, kurse problemin në mushkëri e ka pasur që nga lindja. Në anën tjetër, ajo është ankuar edhe për kushte të vështira ekonomike. Shenaj shprehet se nuk gëzojnë as një ndihmë sociale të vetme. Për të mbajtur tri frymë gjallë, Shenaj del për çdo ditë tek xhamitë për të kërkuar lëmoshë. Në këtë mënyrë thotë se i ka rritur fëmijët, pasi burri kishte vite që iu kishte larguar nga shtëpia dhe nuk dinte gjë për fatin e tij."Ai është larguar para nëntë vjetësh dhe nuk di nga ka shkuar", u shpreh ajo për Gazetën. Tregon se para dy vjetësh i është djegur kulmi i shtëpisë nga energjia elektrike dhe që atëherë nuk i doli askush në ndihmë për ta rinovuar. Vetë thotë se ka arritur të mbulojë gjysmën. Ndërkaq, theksoi se mungesa e kulmit tjetër po i sjell telashe sa herë që ka të reshura." E kam lajmëruar edhe Komunën e Prishtinës, por edhe KEK-un, por askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Edhe pse askush nuk na doli në ndihmë, tash edhe po na ndalin rrymën. Unë nuk kam asnjë të ardhur në shtëpi, u kam treguar, dhe kjo nuk po merret parasysh nga ata, e as që unë jam nënë e dy fëmijëve pa baba", është shprehur Shanaj.

Image

 

 Dyshemeja e ftohtë Në anën tjetër, përveç Diorit, që sëmundja kishte ndikuar t'ia ndërpresë shkollimin, edhe motra e tij, Diellza, ka ndërprerë shkollimin për shkak të mungesës së kushteve. Ajo theksoi se i mungon shkolla, shoqëria, por që në ato rrethana nuk ka pasur mundësi t'i ndjekë mësimet. Kujdesi për vëllain theksoi se ka qenë edhe një arsye më shumë që ajo i ka thënë një ditë shkollës lamtumirë e që ishte në klasën e gjashtë." Është edhe përkujdesja ndaj vëllait të sëmurë, derisa nëna po del për të kërkuar lëmoshë", ka theksuar ndër të tjera ajo. Kjo e fundit thotë se do të vazhdojë shkollimin po të kishte kushte më të mira dhe vëllai të gjente ilaç. Por, as këtu nuk përfundojnë hallet e kësaj familje. Shtëpia ku po bënin jetë ishte e parenovuar, pa shtrojë dhembulojë. Dyshemeja ishte në beton e tëra dhe aty po bënte të ftohtë. Familja ishin pa shporet, ndonëse kishin siguruar drutë nga një bamirës. Kjo zonjë nuk kërkon më shumë, vetëm që në dhomën ku po qëndronte i shtrirë Diori të jetë një ambient më i mirë. "Vetëm këtë dhomë po të kisha mundësi ta shtroja dhe të kisha një kauç më të mirë për djalin. Ai po ma thyen zemrën, për shkak se po vuan edhe nga sëmundjet, por edhe nga mungesa e kushteve më elementare për jetë". Prandaj, edhe një herë kjo zonjë shtëpie ka apeluar tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që t'i dalin në ndihmë për djalin e sëmurë, por ka apeluar edhe tek KEDS-i që mos t'ia ndalin rrymën për shkak se nuk ka me çka të paguajë faturat. Prandaj, për të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familje këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit që është 044 846 155. 

(Kosova Sot)