Politika i rras duart në drejtësi

  • 28 October 2016 - 07:40
Politika i rras duart në drejtësi

Vendimet e gjykatave ndikohen nga mafia e pushtetit

Dyshimet e vazhdueshme të shoqërisë civile dhe analistëve, por edhe vërejtjet e raporteve ndërkombëtare për ndikimet që kanë partitë politike, e veçmas atyre aktuale që janë në pushtet, PDK-së dhe LDK-së, në vendimet e ndryshme gjyqësore, tregojnë se si po cenohet rëndë sistemi i drejtësisë dhe vendimet e kësaj drejtësie,shkruan gazeta Kosova Sot.
 Njohësit e kësaj fushe kanë thënë se fillimisht partitë në fjalë, duke ndikuar në vendimet e caktuara gjyqësore, mendojnë se i forcojnë partitë e tyre, ndërsa kur ato bëhen publike dhe kur merret vesh, atëherë dëmtohet reputacioni i asaj partie politike. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ndërhyrjet dhe interferimet politike e kanë dëmtuar shumë sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e Gjyqësorit përgjithësisht me vite të tëra, duke e cenuar kësisoj pavarësinë e Gjyqësorit në vendimet e marra dhe në ndarjen e drejtësisë për qytetarët, pavarësisht funksioneve dhe pozitave të akëcilëve që janë gjykuar apo që janë gjendur për t'u gjykuar para kësaj drejtësie, derisa, siç tha, është folur me vite për pafuqinë e drejtësisë, gjykatave e Prokurorisë për të gjykuar raste e raste qoftë të krimeve të rënda, apo qoftë edhe ato të korrupsionit etj. 

Partitë po e dëmtojnë veten

Sipas Kelmendit, politika ka ndërhyrë vazhdimisht në drejtësi dhe ka lënduar kështu vetë zhvillimet dhe demokratizimin e pavarësinë e drejtësisë dhe Gjyqësorit. "Përfoljet e kohëpaskohshme për ndikimet e partive politike, me theks më të veçantë nga ato të koalicionit në pushtet, PDK-së, e LDK-së së Isa Mustafës në vendimet e caktuara gjyqësore, kur rastet e tilla të ndikimit plasohen në opinionin publik, pikësëpari e dëmtojnë imazhin dhe reputacionin e vetë partive në fjalë si kundërshtuese të vendimeve të pavarura të gjykatës, derisa edhe reagimet e kundërshtimet për vendimet e marra nga drejtësia nga këto parti, janë drejtpërdrejt atakim i vetë sistemit dhe pavarësisë së Gjyqësorit, duke mos pranuar vendimet e kësaj drejtësie", theksoi ai. "Atëherë kur duhet të besojmë dhe të pranojmë vendimet e gjykatave tona në rastet e gjykimeve dhe ndarjes së drejtësisë, qoftë edhe atëherë kur ato vendime ndokujt i duken të "padrejta", vetëm pse atakojnë pjesëtarët e tyre, dhe këtu ndryshojnë gjërat, sepse perceptojnë ndryshe dhe reagojnë ndaj vendimeve të pavarura të Gjyqësisë, duke dashur t'i ndikojnë dhe t'i kundërshtojnë ato si në raste të caktuara", është shprehur Kelmendi.

Ndikimi politik bëhet hapur

Profesori universitar, Mazllum Baraliu nuk mendon se kjo mund të quhet ndërhyrje, ngase, siç tha, është Gjyqësori, gjegjësisht drejtësia si njëra prej shtyllave të pushtetit demokratik, derisa as ekzekutivi e legjislativi nuk janë të shenjtë dhe nuk janë të paprekshëm pasi parimi kryesor i pushteti treshtyllësh më demokratik që është fitore e njerëzimit është pikërisht mbështetja në kontrollin që njëri pushtet i bën tjetrit. Sipas tij, mbikëqyrja e legjislativit ndaj ekzekutivit ose Gjyqësorit dhe balancimi i këtyre pushteteve, që do të thotë monitorimi i tyre ndërmjet njëri- tjetrit, është e drejtë legale. "Qytetarit nuk i intereson se a dëmtohet një parti apo jo duke ndikuar në vendimet e caktuara gjyqësore, ngase të gjitha partitë i kanë mekanizmat mbrojtës, por qytetarit, dhe mua besoj se më intereson se ka të drejtë secili subjekt politik që të jetë i pakë- naqur në kuadër të kompetencave dhe ingerencave kushtetuese e ligjore që nëse diçka konsideron se një organ, ose institucion nuk e ka adresuar mirë që të bëjë reagimin e tij apo të saj dhe të procedohet më tutje, e mbase edhe të debatohet në Kuvend një vendim i caktuar i gjykatës, ngase Kuvendi është edhe vend i debatit", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu. Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se dyshohet se partitë politike, posaçërisht ato në pushtet, pa asnjë problem ndikojnë në vendime gjyqësore në rastet kur janë të interesuar, derisa në anën tjetër, sipas tij, kësisoj partitë nuk i dëmtojnë, ngase ndikimi nuk është haptas dhe "nuk dihet", por, siç tha, "faktikisht ata mendojnë se i forcojnë partitë e tyre për shkak se ndikimi bëhet për pjesëtarë të partive të tyre, për grupe të interesit, apo thënë eventualisht edhe për familjarë të tyre, apo për kënd janë të interesuar. "Kështu që ata në atë mënyrë mendojnë se i forcojnë partitë e tyre, ndërsa kur bëhen publike dhe kur merret vesh, atëherë dëmtohet reputacioni i asaj partie politike", ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot" avokati Tomë Gashi.  

KGJK-ja i reagon Kuvendit për cenim të pavarësisë

ka konsideruar debatin e djeshëm në Kuvendin e Kosovës për UÇK-në dhe dënimet e disa ish - komandantëve edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Përmes një komunikate për medie, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar nga subjektet politike që të përmbahen nga deklaratat lidhur me vendimet gjyqësore. "Vlerësojmë se deklaratat e tilla dëmtojnë drejtpërdrejt pavarësinë e Gjyqësorit, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vendimet e gjykatës janë vendime të bazuara në ligj, andaj kushdo që kërkon ndërhyrje në këto vendime, bën ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe cenon punën e pavarur të Gjyqësorit", thuhet në një komunikatë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, drejtuar medieve. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka siguruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do t'i trajtojë ata në mënyrë të barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike, racore, kombëtare, fetare, partiake, apo pozite në shoqëri dhe se do të vazhdojë të angazhohet për një Gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.
 

(Kosova Sot)