Mafio-politika instalon monopolin edhe në ndërtimtari

  • 28 October 2016 - 07:43
Mafio-politika instalon monopolin edhe në ndërtimtari

Miliona euro përfundojnë rrugëve të dyshimta

 Që nga paslufta e deri më sot, disa kompani të ndërtimeve kanë krijuar një lidhje të fortë me politikën, ndërsa shumica e tyre janë edhe financues të partive politike,shkruan gazeta Kosova Sot.
Analistët thotë se këto kompani morën shumë tenderë nga pushtetarët, saqë ato sot janë bërë shumë të forta dhe të njëjtat kanë krijuar monopole dhe po i shkelin kompanitë e tjera në procesin e tenderimit publik. Përfaqësues të shoqërisë civile, madje në bazë të hulumtimeve të bëra nga ana e tyre, kanë konstatuar se vlera e tenderëve e kompanive, që financuan partitë politike, arrin në shumën prej 260 milionë euro. Analistët thonë se prezencën e monopolit të tregun kosovar disa herë publikisht e ka pranuar edhe vetë kryeministri Isa Mustafa, i cili në njërën nga mbledhjet e Qeverisë, ditë më parë, ka thënë se ka përshtypjen që firma të caktuara e kanë monopolizuar tregun, dhe se një numër i vogël i kompanive po marrin shumë tenderë, ndërkohë të tjerat jo. Megjithatë, sipas analistëve, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që ka kërkuar nga të gjitha ministritë që të respektojnë ligjin dhe procedurat e prokurimit publik, me synimin që të gjitha bizneset vendore të kenë një vlerësim të drejtë dhe trajtimi i tyre të jetë i njëllojtë.

Bizneset e ndershme vuajnë pasojat

Deputeti opozitar, Bali Muharremaj (AAK), tha për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë fije dyshimi se tregu i brendshëm i Kosovës është i monopolizuar në shumë fusha, përfshirë edhe ndërtimtarinë. "Duket haptazi se forcën e tyre në tregun vendor po e bartin një numër i caktuar i kompanive private, të cilat janë të lidhura me pushtetin në nivel qendror dhe lokal, por edhe me partitë politike. Sepse ato përmes tenderëve publikë e kanë fuqizuar veprimtarinë e këtyre kompanive, duke krijuar monopole, ndonëse dikur edhe nuk kanë ekzistuar apo kanë qenë biznese të vogla", theksoi ai. Ndaj, sipas opozitarit Muharremaj, të gjitha kompanitë që gjatë një viti marrin më shumë sesa dy tenderë gjatë një viti, kuptohet se ato janë të lidhura me pushtetin. "Kjo mund të konstatohet edhe në bazë të bilancit të financave, që i bëjnë partitë politike, ku dëshmohet se edhe financojnë partitë politike. Kjo mund të dëshmohet edhe në bazë të hulumtimeve, që në këtë fushë i kanë bërë OJQ-të e ndryshme dhe ky është një realitet", tha ai "Bizneset e ndershme ankohen edhe në nivelet komunale, por edhe ato qendrore se tashmë kjo dihet se tenderë marrin vetëm ato firma që janë të lidhura me pushtetin. Kjo është një dukuri e shëmtuar, sepse fundja të gjitha bizneset për punën dhe afarizmin që e bëjnë i paguajnë shtetit tatime dhe shumë mirë do të ishte sikur të gjitha ato firma të marrin nga pak punë sesa vetëm dy-tre sish, ose një firmë të marrë shumë tenderë e të tjerat hiç fare", u shpreh ai. Muharremaj thotë se kjo nënkupton se Qeveria 'Mustafa' me lëshimet që po i bën, bie ndesh me deklarimet e këtij koalicioni se do ta zhdukin monopolin. Këta jo vetëm që nuk po e luftojnë monopolin në ekonomi, por janë duke e trashur monopolin", potencoi deputeti i AAK-së.

Kompanitë e vogla diskriminohen në tenderë

Përfaqësuese i shoqërisë civile, analisti Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv në organizatën 'Çohu', tha për "Kosova Sot" se ajo që është e sigurt është që kompani, që kanë financuar partitë politike ndër vite, kanë arritur të marrin një mori tenderësh. "Vlera e tenderëve që i kanë marrë kompanitë, që kanë financuar partitë politike, shkon deri 260 milionë euro", u shpreh ai. "Ky fenomen është shndërruar në lidhje klienteliste me kompanitë me partitë politike, ku në njërën anë japin para për partitë politike, në anën tjetër këto para kthehen shumëfish përmes procesit të tenderimit publik. Analisti Demhasaj shtoi se janë disa kompani që, përmes marrjes së tenderëve publikë, kanë krijuar një kapital të madh, dhe potencialisht mund t'i përmbysin sidomos bizneset e reja, që tentojnë të bëhen pjesë e proceseve të tenderimit publik, përmes çmimeve që ofertojnë. "Ajo që është vërejtur është që shumë kompani, nga shpallja e pavarësisë e tutje e kanë ndërruar fushëveprimin e tyre, dhe kanë kaluar në ndërtim të objekteve dhe rrugëve. Pikërisht për t'iu përshtatur kërkesave që ofron tenderimi publik, këto kompani sot kanë një kapital shumë të qëndrueshëm", vijoi më tej ai. 

Zonat e interesit të zhvatësve të pushtetit

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha për "Kosova Sot" se të gjitha fushat, degët e sektorët e ekonomisë - të bizneseve, edhe ndërmarrjet publike janë ndarë në zona, sfera e çështje interesash politike dhe të grupeve të interesit. "Këto janë 'sekrete publike' që i di Kuvendi i Kosovës, Qeveria, ministritë dhe i gjithë sistemi i drejtësisë, i përbërë edhe nga individë të afërt me këto sfera interesi". Andaj, Kaçaniku thotë se kjo d.m.th. se vetëm individë të afërt, interesa të afërta me grupe interesi, vetëm përfitimet e përbashkë- ta, pra talli, korrupsioni 'legal' kanë gjasa të realizohen. Por, Kaçaniku tha se natyrisht se të gjitha kostot bëjnë pjesë në çmimin final të produktit, të cilin e paguan qytetari konsumator e taksapagues. "Këtu qëndron edhe njëri nga sekretet dhe dilemat se përse çmimet e shumicës së produkteve në Kosovë kushtojnë më shtrenjtë se në Gjermani", tha në fund ai. Ndërsa, analisti Ardi Nokaj tha në prononcimin e vet për "Kosova Sot" se krejt këto kompani, që marrin më shumë se dy tenderë, kanë lidhje me partitë politike, dhe të njëjtat po financojnë fushatat e tyre për zgjedhje. Analisti Nokaj thotë se problemi është se ato kompani kanë marrë aq shumë tenderë dhe kanë krijuar kapital të madh dhe në parim tash është shumë problem të heqin monopolin e atyre kompanive, të cilat po përmbysin në një farë mënyre komplet procesin e tenderimit publik. "Kjo po ndodh për shkak se ato po hyjnë me çmime më të ulëta, sepse kanë kapital më të madh dhe shkelin kompanitë e tjera, kurse edhe mjetet tashmë i kanë më të sofistikuara sesa kompanitë e tjera", u shpreh më tej ai. 
 

(Kosova Sot)