Deputetja Kadriu: Ministër Stavileci, ku qëndron baza e padisë së AXOS-it?

  • 28 October 2016 - 11:50
Deputetja Kadriu: Ministër Stavileci, ku qëndron baza e padisë së AXOS-it?

Pasiqë dy herë ministri Blerand Stavileci nuk i është përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetes së pavarur të Kuvendit të Kosovës, Margarita Kadriu, ajo në seancën e sotme sërish ia ka përsëritur pyetjen ministrit Stavileci dhe e ka kritikuar ministrin e Zhvillimin Ekonomik Blerand Stavileci, i cili nuk ka ardhur në seancën e Kuvendit për t`iu përgjigjur pyetjes së saj bërë  për herë të dytë, lidhur me padinë e ‘Axos Capital’, në Gjykatën e Arbitrazhit.

Deputetja Kadriu ka thënë se mosprezenca e ministrit të sektorit më të rëndësishëm në Kosovë flet ndoshta për ikje nga përgjegjësia apo ndoshta nuk e ka guximin të flas para qytetarëve të vendit për padinë prej 390 milionë eurosh, të cilën rrezikon ta paguajë Kosova për një proces, sipas saj të përcjell me dyshime, akuza dhe plot prapaskena.

Deputetja Kadriu e theksoi se bëhet fjalë për çështje urgjente sepse po rrezikohet ¼ e buxhetit të tatimpaguesve dhe një gjë e tillë për Republikën e brishtë, do të ishte goditje e rëndë dhe e tmerrshme financiare.

Kadriu ka kërkuar nga ministri që të tregojë se kush është përgjegjës në Ministrinë që ai drejton për këtë çështje.

“Ju si ministër, a e keni analizuar se kush në Ministrinë që ju e udhëhiqni ka qenë përgjegjës për rrezikun e humbjes edhe të gati 400 milionë eurove të tatimpaguesve? Çka tash, nëse Kosova e humb kontestin si në rastin e tenderit të pasaportave dhe detyrohet të paguajë edhe 390 milionë euro, një shumë sa një e katërta e buxhetit? Kush është personi përgjegjës juridikisht për këtë? Ku qëndron baza e padisë së AXOS-it dhe kë e keni angazhuar për mbrojtje, si dhe sa para e keni kontraktuar?”, ka thënë deputetja Kadriu.

 

(Kosova Sot)