Opozita akuzon Shpend Ahmetin për korrupsion për leje ndërtim

  • 28 October 2016 - 07:32
Opozita akuzon Shpend Ahmetin për korrupsion për leje ndërtim

Duke i bërë një vlerësim punës dhe qeverisjes trevjeçare të "Vetëvendosjes" në Komunën e Prishtinës, nuk janë vetëm qytetarët dhe bizneset të pakënaqur me sistemin e instaluar nga kryetari Shpend Ahmeti,shkruan gazeta Kosova Sot.
Rivalët politikë në opozitë çdo ditë përballen dhe luftojnë me veprimet e ndryshme të dëmshme nga kryetari Ahmeti dhe vartësit e tij. Njëri nga asamblistët më aktiv, që ka denoncuar në vazhdimësi keqqeverisjen e Ahmetit në këta tre vjet, është Flamur Shala, anëtar i Kuvendit të Prishtinës, nga Lidhja Demokratike. Ai vlerëson se premtimet e Ahmetit pothuajse në bllok po mbeten të dështuara dhe të parealizuara, derisa po shpenzohet mandati. "Qeverisjen e karakterizojnë dy anë: e para, qasja qeverisëse për përmbushjen e premtimeve ndaj kërkesave të qytetarëve dhe zhvillimit në përgjithësi dhe e dyta, ndërtimi, planifikimi dhe mobilizimi i të gjitha resurseve të nevojshme për realizimin e atyre premtimeve. Udhëheqësisë aktuale të Prishtinës i munguan edhe e para edhe e dyta. Qasja përjashtuese politike e VV-së ka ndikuar drejtpërdrejt në dështimin e ndërtimit të një ekipi që do të mund ta realizonte një vizion. Vizioni ra atëherë kur nga ekipi i 11 drejtorëve të Komunës, të emëruar nga kryetari Ahmeti, u tërhoqën ose u dorëhoqën 7 prej tyre, vetëm për dy vjet. Vitin e tretë, vitin 2016, deri në ditët e sotme, të fundit të tetorit, e karakterizon mbyllja hermetike e ekzekutivit ndaj Kuvendit. Nuk u raportua sipas ligjit para anëtarëve të Kuvendit. Me faktin se po fshihen dhe edhe pse nuk po raportohen, dështimet janë evidente", tha Shala. 

Dështimi në planifikim

Sipas Shalës, puna e kryetarit dhe ekipit të tij pasqyrohet më së miri në raportet vjetore buxhetore dhe të zhvillimit ekonomik të Prishtinës."Këto raporte nxjerrin në pah një shpërputhje të madhe në mes të premtimeve të kryetarit të Prishtinës dhe realizimit të buxhetit sipas programeve dhe kategorive ekonomike. Raportet buxhetore kanë treguar se rënia e madhe në inkasimin e mjeteve, shkaku i planifikimit joadekuat dhe dështimi në ngritjen e resurseve menaxhuese kanë shkaktuar humbjen prej afër 15 milionë euro, të parealizuara asnjëherë dhe më shumë se aq (rreth 20 mil.) projekte të bartura nga viti në vit, për shkak të performancës së dobët dhe dështimit në realizimin e projekteve kapitale. Menaxhimi i kryeqytetit është i një trend që nuk dha shpresë për zhvillim", ka pohuar Flamur Shala. Sipas tij, i qëndrueshëm është edhe konstatimi se kryetari Ahmeti më shumë e kalon kohën në 'Facebook' sesa në takimet direkte me qytetarët. "Kryetari duhet të merret me organizimin e ekipit të tij, duhet të merret me ekzekutimin e politikave që i ka aprovuar Kuvendi. Kryetari i Komunës duhet të merret me ngritjen e transparencës ndaj Kuvendit dhe qytetarëve, duhet të merret me ngritjen e performancës së qeverisjes së tij. Në të gjitha këto anë të udhëheqjes ka dështuar. Dështimi po ndihet gjithandej", thotë asamblisti Shala. Të dështuara sipas Shalës janë edhe premtimet e Ahmetit për ndërtimet e banesave sociale dhe uljen e çmimeve për metër katror. "Premtimi për uljen e çmimit për metër katror ishte premtim fushate. Ulja dhe ngritja e çmimeve nuk është krejt çështje kancelarie a çështje premtimi, është shumë më shumë çështje tregu, aq më tepër është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të tregut të lirë. Premtimet boshe i kushtojnë shumë çdo pretenduesi politik, e kur kemi të bëjmë me çështje të ndjeshme dhe jetike për qytetarët, siç janë banesat sociale dhe të tjera, si në këtë rast, përgjegjësia ndaj qytetarëve është shumë më e madhe. Kryetari i komunës ka rënë keq me këtë premtim, ashtu siç po duket keq edhe me premtime e veprime të tjera politike e administrative", tha ai.

Rritja e tatimit në pronë, me efekte negative

Dështim i madh për Shalën është edhe vonesa në realizimin e projekteve kapitale, si ai në Kurriz (Dardani). "Realizimi i vonuar i projekteve kapitale është i lidhur me dështimin e realizimit buxhetor. Mungesa e mjeteve të planifikuara ka dështuar të përfundojnë sipas afateve disa projekte. Për fatin e kompanive operatore, të njëjtat, përkundër kapaciteteve të tyre operuese, kanë rënë në pozita të pritjes dhe të neglizhencës nga ana e Komunës. Dhe, vonesat në realizimin e projekteve të caktuara kapitale kanë shkaktuar shumanshëm dëme ekonomike të bizneseve të ndryshme, të cilat janë penguar në realizimin e punës së tyre biznesore të përditshme", ka pohuar ai, për të denoncuar edhe punësimin me kontratë mbi vepër të bashkëpartiakëve të vet. "Punësimi është çështje e ndjeshme gjithandej. Kujdesi duhet fokusuar në ndjeshmërinë e tij si problem shoqëror. Mundësitë janë këto që janë, që duken çdo ditë. Çështja duhet shtruar edhe përtej asaj që e mendojmë dhe e themi shpeshherë. Kur shkeljeve ligjore të punësimit, si këto me kontratë mbi vepër, u shtohen anë të tjera, siç janë punësimi sipas preferencave politike dhe jashtë çdo norme buxhetore, duke u shkel ligji, dëmtohet buxheti i kryeqytetit, e tëra kjo nxjerr në pah një qeverisje të brishtë dhe të pamatur", tha Shala. E në xhepin e varfër të qytetarit, edhe në afarizmin e bizneseve, sipas tij, ka ndikuar shumë edhe rritja e tatimit në pronë, sipas tekeve të kryetarit."Prandaj, ashtu si për të gjitha veprimet administrative të deritashme të udhëheqësish aktuale të Prishtinës, në të gjitha anët e qeverisjes është qytetari ai që duhet të vlerë- sojë dhe të reagojë lidhur me çështje të caktuara, edhe për tatimin në pronë, si njërën nga kategoritë buxhetore më të rëndësishme të buxhetit të Prishtinës", tha Shala për "Kosova Sot".

Akuza për korrupsion

Lirak Çelaj, nga PDK-ja, thotë se sa ka qenë i zoti Shpend Ahmeti t'i realizojë premtimet flet edhe vetë fakti që ende, edhe pas tre vjetësh, nuk ka arritur ta shesë veturën e Isa Mustafës. "Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu vazhdojnë të flasin për projektet që as që kanë qasje në to ose edhe aty ku kanë pak qasje nuk kanë bërë gjë tjetër përveçqë janë përpjekur të pengojnë dhe të vonojnë realizimin e projekteve. Ata vazhdojnë të flasin për zgjerimin e ujësjellësit sikur të ishte projekt që varet dhe menaxhohet prej tyre e dihet që Ujësjellësi është kompani rajonale dhe as që varet prej angazhimit të Shpendit e Dardanit. Po ashtu, flet për 'Termokos'-in, ndërmarrje të cilën ai refuzon të ketë bashkëpunim dhe ka vonuar dhënien e lejeve të punës. Ai flet për parkingjet e në anën tjetër refuzon të bashkëpunojë me këtë ndërmarrje. Pra, Shpendi nuk ka projekt të tij që mund të krenohet, andaj mundohet që sukseset e huaja t'i përvetësojë. Ato projekte që varen prej tij ai i zvarrit në pafundësi siç është platoja e kurrizit, trotuaret në rrugët 'Garibaldi' dhe 'Luan Haradinaj'. Sot nuk ka asnjë projekt të realizuar me të cilin do të mund të identifikohet pushteti i Shpendit në Prishtinë, përveç ndoshta kunjat në trotuare', tha Çelaj për "Kosova Sot". Sipas tij, Shpendi thirret vazhdimisht në ndaljen e ndërtimit pa leje, por nuk i tregon shifrat derisa ai dhe rrethi i tij janë të zhytur në veprime korruptive."Le të tregojë sa raste i kanë pasur në trajtim prej që e kanë marrë pushtetin dhe në sa prej tyre kanë ndërhyrë. Përse jepen leje për rastet kur ata vetë kanë deponuar lëndë në prokurori. Korrupsioni vazhdon me avazin e njëjtë sikur në kohën e LDK-së. Prej sporteleve, ku sekserët e zyrtarëve të VV-së të punësuar në komunë kërkojnë para për kryerjen e shërbimeve e deri te shkelja e procedurave dhe ligjit, duke privilegjuar kompani të caktuara për leje ndërtimi. Rasti më eklatant është lagja "Kodrina", ku Shpend Ahmeti ka shkelur ligjin, duke nënshkruar memorandum me një kompani për ndërtim, duke mos u dhënë pronarëve të tokave mundësi të zgjedhjes së investitorit. Gjë që përbën vepër penale. Kemi parë shkeljen më eklatante, ku nënkryetari Dardan Sejdiu (staf politik) gjendet në krye të komisioneve të tenderimit për autobusët, pra edhe në atë të hapjes së tenderëve dhe në atë të vlerësimit të tyre", pohon Çelaj për "Kosova Sot". 

Ndryshimi arbitrar i normave tatimore

Ekspertët e fushës së ekonomisë nuk e përjashtojnë mundësinë e abuzimit me ligj për caktimin e normave tatimore në pronë, me qëllim të mbushjes së buxhetit komunal nga Qeveria 'Ahmeti'. "Unë nuk e di nëse ka pasur ndryshime të reja në ligj, por me ligjin që është miratuar nga Kuvendi, në mandatin e kaluar, kanë qenë të caktuara saktësisht tarifat tatimore në baza zonale, duke filluar me zonën e parë brenda qytetit, zona e dytë me periferike, zona e tretë dhe si rreth i katërt kanë qenë vendbanimet në distancë nga qendra jashtë të tri këtyre zonave", tha eksperti i fushës ekonomike Xhevdet Neziraj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai ka pohuar se edhe përshkallëzimi ligjor i përcaktuar aso kohe ka qenë paksa i vlerësuar, si jo i favorshëm për familjet dhe bizneset, kurse nëse është bërë ndonjë ndryshim arbitrar atëherë nuk përjashtohet fare mundësia e keqpërdorimit të të njëjtit për të mbushur arkën. Eksperti tjetër, Skënder Kolgeci, ka pohuar se Komuna nuk ka të drejtë ta bëjë asnjë ndryshim në tarifat tatimore pa harmonizim me nivelin qendror dhe se çdo tentativë e tillë dëmton qytetarin. Ai ka pohuar se pushteti aktual nuk po është në gjendje që ta shpenzojë buxhetin e rregullt që mbledh, pavarësisht se cila është performanca e mbledhjes së tij, ngase në fundvit po del me suficit, prandaj ngarkesat e pa drejta ndaj qytetarëve dhe bizneseve vetëm sa do ta dëmtojnë imazhin qytetar dhe besimin për të ardhmen në qeverisjen e tanishme komunale të kryesuar nga Ahmeti.


(Kosova Sot)