Dimri dhe skamja kërcënojnë familjen e Halitit

  • 28 October 2016 - 17:54
Dimri dhe skamja kërcënojnë familjen e Halitit

Nuk kanë ushqim, u mungojnë drutë, s'kanë veshmbathje.

Për të gjithë ata bamirës që kanë mundësi të kontribuojnë në zbutjen sadopak të problemeve për këtë familje këtë mund ta bëjnë në numrin e telefonit direkt të familjes që është: 044- 557- 073. 

Familja pesë anëtarëshe Hoxha nga Shtimja po strehohen në një banesë sociale dhe, në mungesë të gjithçkaje, mezi po mbijetojnë. Kryefamiljari Halit Hoxha kohë më parë kishte pësuar një aksident dhe tani është i paftë për punë. Familja apelojnë për ndihmë,raporton Gazeta Kosova Sot 

Në një banesë kolektive të vjetër dhe pa kushte, jetojnë të pesë anëtarët e familjes Hoxha në Shtime. Ambienti ku ata po e kalonin jetën, nuk po i plotësonte kushtet aspak, ani pse familja me ndihmën e miqve ishin përpjekur që të zbardhnin muret dhe të rinovonin këtë vendbanim, të paktën të mbulonin muret e vjetra, të çara dhe të shkatërruara të këtij vendbanimi. Në pamundësi për t'ju bërë zgjidhje tjetër banimi, Komuna para pesë vjetësh i kishte strehuar familjen në këtë banesë, pasi paraprakisht ata kishin mbetur edhe pa kulm mbi kokë. Kryefamiljari Halit Hoxha shpjegoi për vështirësitë me të cilat ai po përballet çdo ditë. Kryefamiljari Haliti është shprehur se kanë nevojë për gjithçka, për ushqim, veshmbathje, për orendi, por mbi të gjitha edhe për një shtëpi, dhe sigurimin e druve për dimër. Ky i fundit thotë se është përpjekur të punojë çfarë- dolloj pune që i ishte ofruar, derisa nuk kishte pësuar aksident dhe nuk kishte lëndime trupore.

Image

 

Aksidenti e la të paaftë për punë "Nuk jam duke punuar prej që kam pësuar aksident, ku për pasojë pata thyer krahun dhe pata marrë lëndime të tjera, duke ndikuar kështu që të mbetem edhe i paftë për punë", është shprehur ky qytetar, duke shtuar se familja po i heqin keq, por po heq keq edhe vetë dhe bashkëshortja. Ai është ankuar se për të gjithë anëtarët e familjes janë 96 euro sa gëzon familja si ndihmë sociale dhe 75 euro që gëzon vetë ai si pension invalidor. Por, hallet e Halitit duket të ishin shtuar tani edhe më shumë këto ditë kur koha është ftohur. Përveç ushqimit dhe veshmbathjeve, Haliti kishte problemin edhe të sigurimit të druve për ngrohje. Ai nuk po dinte nga t'ia mbante për të bërë një zgjidhje dhe theksoi se nuk mund të presë gjithherë që dikush nga farefisi apo miqësia t'u dalë në ndihmë. "Sivjet jemi më ligshtë sa u përket të gjitha kushteve. Si në aspektin e sigurimit të ushqimit, por edhe për gjera të tjera, si ato të veshmbathjeve, por mbi të gjitha atë të sigurimit të druve për dimër", thoshte ai

Fëmijët i vesh me borxhe Haliti ankesa kishte edhe për veshmbathje të fëmijëve, për ketë sezon. "Me borxhe arrij t'u blej rroba fëmijëve. I kam borxh edhe 70 euro nga dimri i kaluar në një dyqan veshmbathjesh këtu në Shtimje. Nuk kam arritur t'i bëj paret me ia kthyer. Ndihem keq për këtë gjë,por po kalon muaji dhe nuk po arrij ta tuboj këtë shumë për të larë këtë borxh", thoshte Halili. Derisa babi i tyre ankohej për mungesa të shumta, fëmijët ishin strukur në një skaj të dhomës dhe po e dëgjonin në heshtje. Pa dyshim se përmes fytyrave të tyre ata po sillnin një realitet të hidhur me të cilin po përballej kjo familje, pesë anëtarëshe nga Shtimja, ku varfëria e kishte pushtuar dhe se lumturia e tyre dita- ditës ishte humbur. Por, sido që të jetë, e gjithë familja kishin pakëz shpresë se një ditë, falë humanitetit të ndonjë dore të zgjatur, të paktën nuk do të kenë hallin e mbijetesës. 

(Kosova Sot)