Clinton fillon të zgjedhë anëtarët e kabinetit, ende pa fituar

  • 28 October 2016 - 18:47
Clinton fillon të zgjedhë anëtarët e kabinetit, ende pa fituar

Në kampin e Hillary Clinton besojnë se kandidatja e tyre padiskutim do të fitojë garën për president/e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Donald Trump.

Prandaj ata kanë filluar gjetjen e emrave që do të qeverisin krah saj.

Sipas mediave amerikane, emri i parë që është zbuluar është ai i Joe Biden, pasi duket se zëvendëspresidenti aktual është i preferuari i Clinton-it për postin e kryediplomatit amerikan.

Gazeta “Politiko” shkruan se Biden është emri i parë në një listë shumë të shkurtër kandidatësh, që Clinton preferon për postin e Sekretarit të Shtetit. Me zgjedhjet 11 ditë larg, duket se ish-Sekretarja e Shtetit ka preferuar të nisë zgjedhjen e emrave për postin që ka mbajtur dikur.

Mediat amerikane shkruajnë se 73-vjeçari Biden, senator për 36 vite dhe dikur kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ka eksperiencën e duhur për të qenë kryediplomat i SHBA-ve. Gjatë verës, ai shkoi në Letoni dhe siguroi vendet balltike se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë anëtarët e NATO-s nga një agresion rus, diçka që tashmë po shihet si fillimi i hershëm i karrierës së tij diplomatike.

Vitin e shkuar u raportua se Biden kishte menduar për presidencën, por ai vet tha se vdekja e djalit të tij Bo nuk do ta lejonte që të përqëndrohej siçc duhej në fushatë.

(Kosova Sot)