70 mësimdhënës me shkolla të mesme

  • 28 October 2016 - 19:08
70 mësimdhënës me shkolla të mesme

Drejtoria e Arsimit thotë se bëhet fjalë për normalistët dhe arsimtarët e lëndës së muzikës.

"Nuk dua të përmend emra, por numri prej 70 mësimdhënësve, që janë me shkollë të mesme, të padiplomuar ose joadekuatë, është e zyrtarit të DKA-së", ka thënë Nerjovaj ,raporton Gazeta Kosova Sot

Opozita dhe shoqëria civile në Prizren ka vërejtje rreth arsimit në Komunën e Prizrenit, derisa e akuzojnë qeverinë lokale për punësime partiake. Madje, sipas tyre, janë një numër i arsimtarëve, që mbajnë ende mësim, edhe pse nuk kanë kualifikim të lartë, gjegjësisht disa prej tyre janë vetëm me shkollë të mesme. Nga ana tjetër, krerët e Drejtorisë së Arsimit e kanë quajtur të pabazë këtë akuzë të fundit. Bujar Nerjovaj, këshilltar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin Komunal të Prizrenit, ka thënë se po bëhen manipulime të shumta në punësimet në sektorin e arsimit në Prizren. "Janë dhjetëra mësimdhënës të pakualifikuar, që vazhdojnë punën në arsimin parauniversitar brenda territorit të Komunës së Prizrenit", ka thënë Nerjovaj, duke shtuar se këtë informacion e ka siguruar nga vetë Drejtoria e Arsimit. Ai ka thënë se disa nga këta arsimtarë mund të jenë të diplomuar në profile të tjera, por jo në drejtimet për lëndët që zhvillojnë. "Ata mund të jenë të diplomuar në lëndë tjera, por nëse dikush është i diplomuar bie fjala në gjuhën angleze edhe jep edukatë fizike, nuk ka vlerë. Nuk dua të përmend emra, por numri prej 70 mësimdhënësve, që janë me shkollë të mesme, të padiplomuar ose joadekuatë, është e zyrtarit të DKA-së", ka thënë Nerjovaj. 

Shemsedini thotë se u janë përmbajtur udhëzimeve të Ministrisë Ndërkohë, udhëheqësit e Drejtorisë së Arsimit e pranojnë se ka mësimdhënës që punojnë me shkolla të mesme. Zahadin Shemsedini, drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit, shprehet se numri më i madh i këtyre të punë- suarve janë normalistë, që vazhdojnë të mbajnë vendet e punës, ashtu siç ndodh edhe në komunat e tjera të vendit. "Nuk qëndrojnë fare pretendimet e asamblistit të AAK-së Bujar Nerjovaj se 70 mësimdhënës në Komunën e Prizrenit janë duke punuar me shkolla të mesme. Dua të them se kemi një numër të vogël të mësimdhënësve, që janë në marrëdhënie pune me shkolla normale dhe me shkolla të mesme të muzikës. Ata që janë me shkolla normale janë duke punuar me mësim klasor, kurse ata me shkolla të mesme të muzikës janë duke dhënë lëndën mësimore të muzikës. Ka mësimdhënës që është në punë që 30 vite e më shumë e që japin këto lëndë mësimore. Fatkeqësisht kjo është një dezinformim i opinionit", ka thënë drejtori Shemsedini, duke shtuar se edhe me Udhëzimet e MASHT-it të vitit 2011, 2013 dhe 2014 "Normativat mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm", të cilat kanë për qëllim të përcaktojnë lëndët mësimore në përputhje me diplomat, lëndën e edukatës muzikore kanë të drejtë të japin edhe mësimdhënësit me shkollë të mesme të muzikës. "Prandaj, këta mësimdhënës në kohën kur janë pranuar në punë, me konkurs është kërkuar kualifikimi siç e kanë", ka potencuar drejtori i Arsimit në Prizren Zahadin Shemsedini. 

Denoncimi me prapavijë Kurse, Haziz Hodaj, nënkryetar i LDK-së, pohon se duhet angazhuar kuadro të arsimuara, derisa nuk duhet anashkaluar kuadrot e vjetra me shumë përvojë. "Unë mendoj se nuk di a ka raste, por, edhe nëse ka nga ata që kanë punuar nga 20 vite duhet të vlerësohen, sepse ata edhe sot dinë më mirë se këta që i kanë blerë diplomat, e vërtetë e kanë deklasuar jo pak arsimin. Ata kanë përgjegjësi të ngritur në punë, kanë përvojë më shumë dhe kanë punuar atëherë kur dikush s'ka guxuar as ta qëndrojë. Atyre duhet bërë vend pune, sepse ata kanë dhënë shumë në këtë bazament, prandaj duhet të bëhet diçka në këtë drejtim dhe atyre t'u jepet mundësia e kualifikimit, sepse ata vërtet e kanë ndihmuar dhe e ndihmojë arsimin në Kosovë", thotë Hodaj për "Kosova Sot". Ndërsa, Skënder Susuri, nga Nisma, tha se pa pasur fakte e dëshmi, nuk është mirë të diskutohet për këtë gjë. Sipas tij, udhëzimet e MASHT-it të vitit 2011, 2013 dhe 2014 "Normativat mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm", kanë për qëllim të përcaktojnë lëndët mësimore në përputhje me diplomat. Ndërsa analisti Blerim Çoçaj i ka quajtur hipokrizi deklaratat e kuvendarëve Bujar Nerjovajt dhe Skender Susurit, për gjendjen e arsimit në Prizren. "Bujar Nerjovaj, i AAK-së, dhe Skender Susuri, i Nismës, paskan ngritur shqetësimin e gjendjes së arsimit në Prizren. Hipokrizi! Nerjovaj është punësuar në arsim, duke shantazhuar votimin e buxhetit me votë, praktikisht duke e keqpërdorur për interesa personale votën që ia kanë dhënë qytetarët", ka thënë Çoçaj. Mirëpo, për këtë Bujar Nerjovaj pohon se është punësuar me konkurs. "Bile unë është dashur të kthehem në vendin tim të punës, në bazë të rregullores së punës në arsim", thotë Nerjovaj. Këto përplasje i sheh si të panevojshme drejtori Zahadin Shemsedini. Ai njoftoi se që kur e mori detyrën ka shpallur 6 konkurse. "Ndoshta janë shpallur me vonesë dhe është dashur të shpallen më herët, por gjithsesi ishte nevojë të shpallen. Jemi në shqyrtim të konkursit të fundit", thotë Shemsedini, duke shtuar se ka shumë probleme në Drejtorinë e Arsimit, por që nuk mund të zgjidhen shpejt. "Ne jemi duke punuar dhe jam i bindur se së shpejti do të rregullohen të gjitha, shpresojmë. Por, këto përplasje nuk i shërbejnë arsimit të komunës sonë", thotë Shemsedini

(Kosova Sot)