Shtyhen për mbeturina

  • 28 October 2016 - 19:11
Shtyhen për mbeturina

Rregullorja nuk i ka si kritere stafin profesional dhe ekspertët përkatës të fushës.

Mevlyde Idrizi i ka parë si probleme kryesore kriteret dhe përzgjedhjen e operatorëve apo bizneseve private që mbulojnë një segment të caktuar në këtë plan,raporton Gazeta Kosova Sot

Qytetarët kanë vërejtje lidhur me menaxhimin e mbeturinave në qytetin e Pejës. Mbeturinat mund të shihen kudo, në qendër të qytetit, e deri te zonat turistike. Nga ana tjetër, opozita në Kuvendin Komunal të Pejës e ka kundërshtuar fuqishëm dhe nuk e ka votuar rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, e cila kishte kaluar edhe debatin publik dhe pritej të miratohej dhe të jepej në implementim. Opozita ka kritikuar më parë Qeverinë komunale se në vend që të ndihmojë ndërmarrjen publike komunale po u jep tenderë privatëve. Naim Sahiti, kryetar i degës së AAK-së, thotë se ky dokument për menaxhimin e mbeturinave është në shpërputhje me ligjin, për arsye se komunat duhet të kenë planin për administrimin e mbeturinave sipas Ligjit mbi mbeturinat. "Një plan të tillë Asambleja Komunale e ka miratuar në muajin e kaluar, plan ky i cili nuk i ka të gjithë komponentët që i kërkon ligji sipas nenit 6, i cili ndër të tjera thotë se plani lokal për administrimin e mbeturinave duhet ta ketë sasinë dhe llojin e mbeturinave që pritet të krijohen", ka thënë Sahiti, duke vlerësuar se nuk ka nevojë për rregullore të tillë. "Besoj që me këtë rregullore po i ikim atij plani që së paku me miratu si duhet. Këtë që po duam me rregullu me këtë rregullore e kemi të rregullu me rregulloren mbi shërbime publike", ka thënë Sahiti. Ai ka këmbëngul se këtë rregullore nuk ka nevojë ta miratojnë fare, por ta rikthejnë planin e miratuar për administrimin mbeturinave sipas ligjit dhe ta miratojnë atë plan sipas ligjit për administrimin e mbeturinave.

Opozita do pjesëmarrje në komisione Kundërshtimeve të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave iu ka bashkuar edhe asamblistja Mevlyde Idrizi, e cila i ka parë si probleme kryesore kriteret dhe përzgjedhjen e operatorëve apo bizneseve private që mbulojnë një segment të caktuar në këtë plan. "Ne si VV kërkojmë që në këto komisione të përzgjedhjes së operatorëve të përfshihen edhe subjektet opozitare dhe shoqëria civile", ka thënë Idrizi. Sipas saj, Rregullorja me nenin e saj numër 5, mbi përgjegjësinë e Komunës për menaxhimin e mbeturinave, nuk i ka si kritere stafin profesional dhe ekspertët përkatës të fushës, që nënkupton që secili mund të hapë një biznes pa staf profesional dhe të manipulojë me mbeturina të rrezikshme që mund të paraqesë rrezik për punëtorët dhe banorët përreth.

Edhe pozita e pranon se rregullorja nuk është e përkryer Kryesuesi Islam Husaj tha se opozita nuk po i përcjellë sa dhe si duhet ato që po trajtohen në Asamble, sikurse që është rasti edhe me vërejtjet e 'Vetëvendosjes'. "Asamblistja e 'Vetëvendosjes' në seancën kur është dashur të debatohet kjo rregullore nuk ka pasur vërejtje dhe tani, pas debatit publik, i bie në mend se diçka nuk qenka në rregull dhe hap debat, i cili është përmbyllur edhe me debatin publik", ka thënë Husaj. Sipas tij, vërejtjet e opozitës kanë ardhur me vonesë. "Mevlyde, këto që i the sot është dashur m'i thënë mbledhjen e kaluar ose në diskutimin publik, që ka qenë 14 ditë nga seanca e kaluar, por nuk e keni bërë as t'i e as VV-ja. Dhe, tash me këto propozime që i jep ishte dashur të kthehet Rregullorja sërish në diskutim publik dhe a pranohen a jo. Këtu tash është vetëm të miratohet e jo të diskutohet për të. Ti s'ke pasur vërejtje herën e kaluar e tash po i jep vërejtjet", ka thënë Husaj. Husaj ka thënë se Plani për Administrim të Mbeturinave është aprovuar seancën e kaluar pa asnjë vërejtje në asamble dhe nuk mund të kthehet mbrapa. "Sa i përket rregullores, kemi kërkesë nga ministria që ta kemi edhe këtë rregullore. Kjo rregullore mundet mos me qenë perfekte, por më mirë ta kemi një se asnjë rregullore të tillë", ka thënë Husaj. Me gjithë kundërshtimin e fortë të opozitës, me shumicën e votave, është miratuar Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave.

(Kosova Sot)