Gruaja dëshmon përpara prokurorëve: Gjyqtari Boçi më kërkonte vazhdimisht favore seksuale

  • 28 October 2016 - 21:05
Gruaja dëshmon përpara prokurorëve: Gjyqtari Boçi më kërkonte vazhdimisht favore seksuale

Për gati 6 orë, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje 38-vjeçaren, e cila ka denoncuar kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Oficerët e policisë gjyqësore kanë udhëtuar drejt Gjirokastrës, ku jeton gruaja e divorcuar.

Gruaja, iu ka treguar fillimisht prokurorëve sesi një kontratë fiktive që kalonte shtëpinë te ish-vjehrra, u bë shkak që pas divorcit ajo të dilte jashtë. Burime të “Tv Klan” nga grupi i hetimit thanë se 38-vjeçarja ka këmbëngulur në variantin e saj, se kreu i gjykatës i ka kërkuar vazhdimisht favore seksuale duke i premtuar se do të ndërhynte për të zgjidhur çështjen e pronësisë në favor të saj.

Sipas dëshmisë së dhënë nga denoncuesja, Boçi e ka orientuar të paguajë lekë për të fituar çështjen. Ajo thotë se vendosi të regjistrojë takimet me kreun e gjykatës pas humbjes së çështjes në Shkallën e Parë me vendim të gjykatëses Blerta Çibuku. Nëna e dy fëmijëve ka thënë para prokurorëve se Boçi kishte marrë përsipër ta ndihmonte edhe kur çështja ndodhej në Apel. Por edhe Shkalla e Dytë i dha të drejtë ish-vjehrrës së saj dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë. Në qershor të këtij viti edhe kjo gjykatë vendosi të mos e pranojë ankimin.

“Pasi mbeta pa shtëpi dhe pa pension ushqimor për fëmijët kërkova ndihmë pranë emisionit investigativ ‘Stop’, ku dorëzova përgjimet bashkë me kërcënimet e kreut të gjykatës”, ka thënë 38-vjeçarja në dëshminë e saj.

(Kosova Sot)