Tash e 16 vite, jetë e padurueshme në baraka

  • 29 June 2015 - 18:07
Tash e 16 vite, jetë e padurueshme në baraka

Shumë herë nga të vjetrit kemi dëgjuar se durimi zakonisht shpërblehet me sukses. Por, jo gjithnjë ai që duron del i fituar. Për këtë, ka shumë dëshmi. Një ndër to, pa dyshim është edhe fati i familjeve nga disa fshatra të komunës së Gjakovës, të cilat, të detyruara nga barbaria serbe që ua kishte shkatërruar deri në themel shtëpitë e tyre, ishin detyruar të braktisin fshatrat e veta dhe të vendosen në qytetin e Gjakovës. Për ato familje, asokohe, ishte thënë se po iu ofrohet si zgjidhje e përkohshme, afatshkurtër, vendosja nëpër baraka. Dhe, kjo “e përkohshme” dhe “afatshkurtër” po vazhdon të jetë në fuqi edhe më tej, edhe pse nga përfundimi i luftës kanë kaluar 16 vite! Fjala është për baraka vërtet të vjetra. Në fakt, para rreth 34 vitesh, më saktësisht më 1981, kompania ndërtimore “Mavrovo” nga Maqedonia, e cila asokohe ishte e angazhuar në ngritjen e digës së hidrosistemit “Radoniqi” dhe në asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë, për strehimin e përkohshëm të punëtorëve të vetë, kishte ndërtuar disa baraka. Pas largimit të punëtorëve maqedonas, aty ishin vendosur punonjës të ish-Kombinatit Bujqësor Industrial “Ereniku” që nuk ishin nga Gjakova. Më vonë, gjatë viteve të 90-a ato baraka shërbyen për akomodimin e kolonëve serbë e malazias që kishin ikur nga Kroacia e Bosnjë e Hercegovina, pas luftërave të atjeshme, të cilët, pas përfundimit të luftës në Kosovë, e braktisën Gjakovën.

Image

A jetohet me gjarpërinj?!

Edhe pse këto baraka janë ngritur para afro tri dekadave e gjysmë “jeta” e tyre vazhdon edhe sot e gjithë ditën! Ç’është e drejta, në ditët e para pas përfundimit të luftës, aty ishin vendosur familjet që i përmendëm me herët në këtë shkrim. Fjala është për 13 familje që vinin nga  fshatra të ndryshme të komunës së Gjakovës. “Kur, në kohën që kishim ardhur në qytetin e Gjakovës, na kishin ofruar vendosjen në këto baraka, atë e kishim pranuar si shpëtim dhe zgjidhje të mirë, posaçërisht kur na ishte thënë se kjo vendosje do të jetë e përkohshme dhe se në ndërkohë do të na bëhet një zgjidhje më e mirë. Mirëpo, shpresa jonë për një kohë të shkurtë të qëndrimit në këto baraka, nuk u përmbush. Koha “e shkurtër”, fatkeqësisht po vazhdon edhe tash 16 vite nga vendosja e jonë aty”, fliste këto ditë “zonja e shtëpisë” në njërën prej këtyre barakave, Sadete Sadiku. Në zërin e saj vërehej një dëshpërim i theksuar i cili, siç insiston ajo vetë, është plotësisht i kuptueshëm sepse nuk mbështetët në ndonjë mendjemadhësi për vendstrehim luksoz por në problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen në ato baraka. “Këtu nuk ka as kushte minimale për jetesë. Madje, mund të them se këtu as jetën nuk e kemi të sigurt, pasi çdo moment mund të rrënohet kulmi i barakës dhe të na zë brenda me fëmijë. Por, ky nuk është halli ynë i vetëm! Në baraka ka raste që na futën gjallesa të ndryshme, zvarranik, siç ndodhi kohë më parë kur fëmijët desh vdiqën nga frika kur në barakë hasën një gjarpër”, ankohej Sadetja duke shtuar se për shkak të lagështisë që mbretëron në këto baraka, u rrezikohet edhe shëndeti i fëmijëve.

Image

Askush më nuk u beson premtimeve!

Në mesin e  familjeve që janë të vendosura këtu, ka edhe aso të veteranëve të luftës. “Sa herë ka të reshura të shiut, më duket se më shumë na bie shi brenda barakës se sa jashtë saj. Por, askush nuk e qanë kokën se në çfarë kushtesh jetojmë. Askush nuk vjen të na vizitojë ndërsa ne  as që e dimë deri kur do të zgjasë kjo gjendje. Gjatë këtyre 16 viteve sa jemi këtu, shumë herë jemi ankuar tek zyrtarët komunalë, tek të gjithë që gjatë kësaj periudhe kanë qenë në pushtet në Gjakovë, por të gjitha ankesat ka shkuar huq! Kam qenë edhe pjesëmarrës i luftës dhe shpesh shokët më thonë pse nuk bënë kërkesa dhe ankesa në nivelin qendror. Pse ta bëjë këtë, kur dihet se në Kosovë ato nuk pinë ujë. Me këta njerëz në krye të shtetit, Kosova kurrë nuk do të përparojë dhe të varfrit kurrë nuk do të gjejnë mbështetje”, ankohej ish-luftëtari nga fshati Bardhaniq, i cili nga mllefi dhe dëshpërimi i papërmbajtur nuk pranon as emrin t’ia përmendim në gazetë! Me hallin e këtyre familjeve janë të  njohur edhe krerët komunalë. Bile, ata, para disa javësh, kanë marrë pjesë në një tubim bamirësie në qytetin Apeldoom të Holandë, ky synohej grumbullimi i mjeteve për ndërtimin e disa shtëpive për këto familje hallexhinj. Është bërë e ditur se në atë tubim kanë qenë 320 pjesëmarrës, por ende nuk është bë publike shuma e mjeteve që është tubuar me atë rast për këtë qëllim. Mbase, mjetet e tubuara në atë tubim, do të jenë pikënisje për fillimin e zgjidhjes së problemit të këtyre familjeve. “Pa i pa veprimet konkrete, kam filluar të mos besoj në asgjë. Edhe në të kaluarën, shumë herë, na janë dhënë premtime të ndryshme, por nuk ka dal asgjë, prandaj edhe kësaj here kam të drejtë të dyshoj”, shprehej i dëshpëruar veterani i luftës.

(Kosova Sot)