Merkel: Nëse falimenton euro, bie Europa

  • 29 June 2015 - 21:31
Merkel: Nëse falimenton euro, bie Europa

Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi të hënën se Europa dhe Greqia duhet të gjejnë një kompromis për shpëtimin e shtetit helen, duke paralajmëruar se nëse euro dështon, edhe Europa dështon.

BE-FMN dhe Greqia janë ndarë përfundimisht në qëndrimet e tyre dhe kjo duket se nuk do të ndryshojë. “Nëse falimenton euro, atëherë falimenton Europa. Ndaj, Europa duhet të jetë në gjendje të gjejë një kompromis përballë çdo sfide”, ka thënë Merkel.

E para e Gjermanisë tha se Europa duhet të ruajë dhe luftojë për parimet e saj, pasi në të kundërt imazhi i saj degradohet.

“Unë them se kjo do ta dëmtojë Europën në një periudhë afatgjate. Kjo do të bëjë që Europa të pushojë të qenit e rëndësishme në botë e që uniteti ynë të zhduket”, tha Merkel.

Këto deklarata, Merkel i ka bërë në një konferencë për shtyp, pas një samiti me partitë e Bundestagut. Më herët, qeveria e Berlinit, përmes zëdhënësit të saj deklaroi se, Gjermania do ta respektojë rezultatin e referendumit, transmeton shekulli.

“Vendimi për një referendum i takon vetëm qeverisë dhe ne, natyrisht do të respektojmë rezultatin e tij”, ka thënë Steffen Seibert.