Superoperacioni i Europol/ Mbi 500 të arrestuar për 2.8 ton kokainë

  • 01 July 2015 - 13:11
Superoperacioni i Europol/ Mbi 500 të arrestuar për 2.8 ton kokainë

Më shumë se 500 persona u arrestuan nga Europol, në një superoperacion, të koduar me emrin Blue Amber, të shtrirë në 260 lokalitete në mbarë botën. Mes 4 majit dhe 24 qershorit, autoritetet në 28 vende të BD në bashkëpunim me vendet partnere në botë ndërmorën një operacion të përbashkët kundër grupeve të krimit të organizuar dhe infrastrukturës së tyre, transmeton lapsi.al.
Trafikantët u goditën në banesat e tyre, në aeroporte, pika të kalimit kufitar, porte dhe baza të tjera.

Rezultatet:

Më shumë se 500 të arrestuar
2.8 ton kokainë e kapur
110 kilogram heroinë
390 automjete të konfiskuara
rreth 1 300 ton metal i vjedhur u sekuestrua

Hetimet e Europol zbuluan se sasi të vazhdueshme kokaine vinin çdo ditë në Europë nga Amerika Jugore me avionë. Ndërsa heroina nga Afganistani e Pakistani kalonte në vendet e Europës Lindore në rrugë të ndryshme. Lënda narkotike fshihej në rroba, këpucë dhe në pajisje mjekësore.
Operacioni u zhvillua edhe në Shqipëri, Bosnje, Kolumbi, Maqedoni, Moldavi, Mal i Zi, Norvegji, Serbi, Svicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Islandë, Turqi, Nigeri, Abu Dabi, Australi, Dubai, Hong Kong, Indonezi, Malaizi, Zelandë e Re, Filipine, Katar, Tailandë, Panama, Kosta Rika, Ekuador, Peru, Republika Domenikane, Brazil, Meksikë, Guatemalë e Bolivi.