Çka po na kthehet nga Serbia? / 12 milionë faqe të dokumenteve kadastrale të manipuluara

  • 01 July 2015 - 16:32
Çka po na kthehet nga Serbia? / 12 milionë faqe të dokumenteve kadastrale të manipuluara

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, në mbledhjen e  sotme ka shqyrtuar Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. E ftuar në këtë takim ishte edhe ministrja pa Portofol,  Edita Tahiri.

Me këtë rast, ministrja Tahiri theksoi se ky projektligj  buron nga procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë nga marrëveshja për kthimin e  dokumenteve kadastrale që Serbia i ka marrë gjatë luftës në Kosovë. Kjo marrëveshja ishte arritur në vitin 2011 dhe ende nuk është zbatuar.

“Obligimi ynë ka qenë që të krijojmë një agjension teknik për të krahasuar dhe verifikuar  dokumentet që kthehen nga Serbia  me databazën ekzistuese të shtetit të Kosovës për kadastren.

Kemi pasur parasysh faktin që këto dokumente kane qenë në Serbi mbi 15 vjet dhe ka mundësi që të ketë pësuar ndryshime dhe probleme tjera.

Andaj, verifikimi duke e krahasuar me dokumentacionin ekzistues që ne  kemi,  na jep mundësinë për të parë se sa janë të besueshme këto dokumente.”, theksoi ministrja Tahiri, duke  folur më tej edhe lidhur me përfaqësimin e ndërkombëtarëve në këtë agjension.  “Ka të bëjë  me rolin mbikëqyrës që në kohën kur Komisioni për krahasim dhe verifikim do të trajtojë dokumentet e kthyera  dhe nëse evidentohen parregullësi, do të ketë mundësi të ketë dëshmitarë evropian për këtë. Dhe,  me këtë rast, si të tilla, besueshmëria pastaj duhet t’i takojë Kosovës.”, tha ajo, duke shtuar se  nuk beson që dokumentacioni i Kosovës  për kaq vite që ka qënduar atje, ka mbetur i tillë dhe i paprekur. Tahiri tha se mendon  se ka pasur elemente të manipulimeve. Po ashtu , ajo përmendi edhe gjendjen e pasluftës në Kosovë, atë të marrjes së pronave në mungesë të shënimeve të kompletuara të kadastres.

Sa i përket kritikave të anëtarëve të Komisionit lidhur me përfaqësimin ndërkombëtar në këtë agjension, duke përmendur faktin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë nga ndërkombëtarët, Tahiri tha se përfaqësim të ndërkombëtarëve ka vetëm në bord dhe në komisione. “Agjensioni do të ketë dy komisione, atë për krahasim e verifikim të pronës, si dhe  do të ketë një komision për çështje pronësore, që është transformimi i agjensionit të mëparshëm. Kjo ka të bëjë me nevojën që të krahasojmë çka po na kthehet nga Serbia, meqë janë 12 milionë faqe të dokumenteve kadastrale.”, tha Tahiri , ndërkaq sqaroi se Gjykata Supreme e jep fjalën e fundit lidhur me vendimet që mund të mirren në atë komision.

Ajo bëri të ditur se Komisioni për krahasim dhe verifikim përbëhet nga pesë anëtarë, tre vendorë  dhe dy ndërkombëtarë, si dhe një anëtar nga radhët e komunitetit joshumicë.

Tahiri vlerësoi se ky është obligim ndërkombëtar duke përmendur me këtë rast edhe Letërkëmbimin  mes Presidentes së vendit dhe Baroneshës Ashton.

Ministrja Tahiri duke kërkur mbështetje të këtij projektligji,   tha se edhe po të garantoj Serbia besueshmërinë e dokumenteve,  ajo nuk i beson një shteti okupator. Sipas saj dokumenti që do të kthehet në Kosovë do të ketë kopjet e skanuara dhe të vërtetuara nga BE-ja. “Kur dokumentet të kthehen në Kosovë, atëherë mund të krahasohen me dokumentet që disponon databaza Agjensionit Kadastral”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, duke e vlerësuar këtë projektligj si tejet problematik , si në aspektin e kushtetueshmërisë ashtu edhe në aspektin politik, tha se nëse Kuvendi miraton këtë Projektligj, atëherë ai po legalizon aktin e vjedhjes dhe plaçkitjes së dokumenteve të Kosovës. Ajo po ashtu përmendi edhe përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë nga ndërkombëtarët, duke theksuar se po themelohet një agjensi që do të ketë përfaqësim të ndërkombëtarëve.

Mes tjerash, ajo tha se kusht gjatë dialogut me Serbinë është dashur të jetë kthimi i dokumentacionit origjinal, e jo kopjet e regjistrave. Ndërsa, pyeti ministren në detaje rreth  përbërjës së agjensionit,  financimit të këtij agjensioni dhe mënyrës së raportimit.

Edhe Milena Miliqeviq ka kërkuar sqarime nga ministrja Tahiri për  përfaqësimin e anëtarëve në këtë agjension nga radhët e komunitetit serb, meqë siç u shpreh ajo, bëhet fjalë për një numër të lartë të kërkesave për prona nga ky komunitet.

Anëtari i Komisionit, Armend Zemaj, fillimisht përmendi faktin se pas luftës në Kosovë janë keqpërdorur pronat shoqërore e private , ndërsa tha se nevoja për këto krahasime dhe verifikime të  librave kadastral nga grabitja e dhunshme dhe padrejtë e shtetit serb, sado që të zgjas, problematika do të shtohet. Andaj, ai tha se duhet përkrahur këtë ligj, duke kërkuar më tej sqarime të ndryshme nga ministrja Tahiri.

Anëtarja e Komisionit Donika Kadaj -Bujupi, fillimisht shfaqi kritika për  rritjen e numrit të agjensioneve nëpër institucione, për siç tha ajo, po i kushtojnë shumë buxhetit të Kosovës. Ndërkaq, kërkoi  sqarime për periudhën e operimit të këtij agjensioni. Më tej ka folur edhe Agim Aliu, duke theksuar se  ka pasur pasoja të jashtëzakonshme  në vend sa i përket pronave, në mungesë të këtij ligji. Ai po ashtu kërkoi sqarime për mënyrën e  verifikimit të  gjendjes,  meqë shtoi ai, është bërë ndryshimi i fakteve në librat kadastral të cilin e posedon Serbia.

Pas shterimit të  diskutimit, anëtarët e Komisionit formuan grupin punues për Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

(Kosova Sot)