Opozita malazeze propozon të merret territori i rajonit të Pejës

  • 01 July 2015 - 18:06
Opozita malazeze propozon të merret territori i rajonit të Pejës

Me rastin e miratimit të rezolutës për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, ka ngjallur reagime te qarqet politike në shtetin fqinjë.

Përderisa ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lukshiq, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që çështjen e kufirit ta rregullojnë me komisione ekspertësh, e jo me rezoluta, opozitarët nacionalist të këtij shteti, kanë shkuar edhe më tej.

Milan Knezheviq nga fronti demokrat në Parlamentin e Malit të Zi ka thënë se duhet të mendohet urgjentisht që në legjislativin malazez të dërgohet një rezolutë e cila përcakton që kufiri mes këtij shteti dhe Kosovës të bëhet bazuar në hartën e vitit 1913. 
Sipas kësaj harte, në atë kohë Mali i Zi administronte edhe me një pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, kryesisht me rajonin e Pejës.

“Pyes Lukshiqin se çfarë do të bëjë shteti pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës kërkon që kufiri të bëhet bazuar në Kushtetutën e vitit 1974. Ky është një sulm në sovranitetin e Malit të Zi. Çdo dy muaj paraqitet një shtet apo një kuazishtet i cili pretendon se i kemi hyrë në territor”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.