Nderohet veprimtari kombëtar nga SHBA-të, Harry Bajraktari

  • 01 July 2015 - 21:08
Nderohet veprimtari kombëtar nga SHBA-të, Harry Bajraktari

Nën patronazhin e ministrit të Diasporës, Valon Muratit, në një solemnitet u nderua sot një nga personalitetet më të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili më shumë se 3 dekada ka dhënë kontributin në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, Harry Bajraktari.

Me këtë rast, ministri Murati, tha se Bajraktari nuk kurseu asgjë për t'ia siguruar popullit të vet lirinë.

"Falë angazhimit të tij dhe bashkëkombësve të tjerë, Kosova sot është e lirë nga shtypja e një regjimi të dhunshëm të cilin e kishte përjetuar për një shekull", tha Murati.

Shoku dhe miku i ngushtë i Bajraktarit, kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili ishte i ftuar special në këtë solemnitet, tha se ai së bashku me Harry Bajraktarin kanë arritur që Kosovën ta bëjnë mike të SHBA-ve.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se Bajraktari me angazhimet e tij, nuk ka kontribuar vetëm për Republikën e Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar, duke marrë nderimet më të larta nga shteti shqiptar.