Zvicerani ia dhuron 30 mijë franga lypëses 16-vjeçare

  • 01 July 2015 - 21:35
Zvicerani ia dhuron 30 mijë franga lypëses 16-vjeçare

Një burrë i moshuar nga Zvicra dëshiron t’ ia dhurojë 30 mijë franga lypëses 16-vjeçare austriake, por këtë nuk e lejon policia.

Një rast sa fisnik, aq edhe i dyshimtë ka ndodhur të martën në Kantonin Turgau në Zvicër.

Një austriake, 16-vjeçare, derisa kërkonte lëmoshë në Bischofszell të Zvicrës, takon një burrë të moshuar zviceran dhe i lutet ta ndihmojë me disa të holla. Burri zviceran tregohet fisnik, shkon menjëherë në njërën nga filialet e bankës dhe kërkon nga nëpunësi i bankës t’i tërheqë 30 mijë franga zvicerane, apo një vlerë mbi 27 mijë eurosh për t’ ia dhënë 16-vjeçares austriake, shkruan gazeta austriake “kurier”.

Nëpunësi i bankës kishte dyshime në këtë tërheqje parash dhe para se t’ia jepte zviceranit, thërret policinë.

Policia vjen në vendin e ngjarjes dhe arreston të dy personat.

“Nuk e dimë ende saktë se cilat kanë qenë arsyet e dhurimit të këtyre parave”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Daniel Metzler, transmeton albinfo.ch.

Pas kësaj, policia e ka kontrolluar lypësen dhe tek ajo janë gjetur rreth 1.370 franga zvicerane.

Ndaj saj është ngritur një kallëzim penal pranë Entit për të rinj në Kantonin e Thurgaut.

Ndërsa pas marrjes së plakut në pyetje nga autoritet zvicerane, ai ka deklaruar se nuk dëshiron më t’ia dhurojë këto para 16-vjeçares austriake.