Dibrani:Baton Haxhiu është strumbullari i një varg veprash të ndyra!

  • 06 December 2016 - 13:23
Dibrani:Baton Haxhiu është strumbullari i një varg veprash të ndyra!

Analisti Shefqet Dibrani tha për “Kosova Sot” se askush nuk mund ta imagjinojë monopolin dhe ndikimin kaq të madh në ekonominë e Kosovës si ajo vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli. “Tashmë nuk duhet të dyshohet edhe për lidhjet e tyre të ngushta me oligarkët e politikës, kryesisht të klanit ‘Pronto’. Tashmë vëllezërit Devolli janë bërë të pasur, ata kanë mjete të mjaftueshme për ta korruptuar gjithë Kosovën, edhe pse pasuria e tyre në masë të madhe është krijuar në mënyrë të paligjshme ata sillen si oligarkë mbi Kosovën”.  

Analisti Dibrani tha se çuditërisht askush nuk ka reaguar, as Prokuroria e as Task-Forca, madje këtë ndërhyrje nuk e kanë bërë as zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët janë deklaruar për zero tolerancë. “Në anën tjetër, shihet qartë edhe lidhje në mes të pushtetit dhe vëllezërve Devolli, si dhe lidhja e tyre me personalitete që kanë ndikim në mediet e Kosovës. Edhe pse me një qasje kontroverse, Baton Haxhiu është strumbullari i një varg veprash të ndyra, i cili jo vetëm në rastin ‘Devolli’, por ai është mjaft i njohur me shantazhet dhe diskriminimin që ua ka bërë kolegëve gazetarë”, theksoi ai.

Analisti Dibrani tha se Baton Haxhiu supozohet se gjatë tërë jetës ka qenë i involvuar në luftën e nëntokës, ku bashkë me grupe kriminale, qofshin ato të aspektit politik apo në planin ekonomik, involvimi i tij ka dalë në dukje.“Tashmë edhe ai është bërë një oligark dhe shumë i pasur, në kohën kur për shkak të angazhimeve të tij gazetareske kanë pësuar kolegë të kësaj fushe, të cilëve ua mbajmë përvjetorët”. Dibrani ndërkaq sqaroi se, edhe pse qysh atëherë është përfolur për lidhjet e Baton Haxhiut me sigurimin serb dhe me grupe kriminale, drejtësia atij nuk ia ka ndalur avazin. “Me të nuk është marrë as sigurimi i shtetit, e lëre më prokuroria dhe ndërkombëtarët që nuk kanë bërë asnjë hap në këtë plan. Për fat të keq, ai defilon nga televizioni në televizion, nga tribuna në tribunë, duke u shtir analist, i ka implementuar të gjitha projektet e tij thellësisht të dëmshme dhe të kobshme për Kosovën”. 

Ndërkaq, sipas Dibranit, çështja se sa është i involvuar në kompaninë e vëllezërve Devolli dhe për depërtimin e tij të mundshëm në Shqipëri kanë shkruar e akuzuar bashkëkolegë të tij, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për drejtësinë kosovare që ta marrë në shqyrtim dhe të verifikojë pasurinë e tij dhe të vëllezërve Devolli për të ditur se sa thellë i ka rrënjët sistemi i kriminalizuar që lejon haptas të bëhen veprime antiligjore. Për drejtësinë në Kosovë nuk mjaftojnë dosjet, as aferat “Pronto”, pra nuk do të vlejnë as akuzat për kompanitë e vëllezërve Devolli”. Por, analisti Dibrani ankohet se për prokurorinë nuk mjafton as jeta përrallore e klaneve mafioze, as ndërhyrjet e dukshme të mediave, as nuk po mjafton shkelja e ligjeve dhe kushtetutëshmërisë për t’ia ndalur turrin degradimit të vlerave dhe rendit shoqëror.“Drejtësia po hesht sikur ajo të ishte pjesë përbërëse e klaneve mafioze. Drejtësia në Kosovë vetëm bën sehir, kundër gjithë kësaj të keqeje, pra edhe kundër monopolizmit dhe veprimeve antiligjore të vëllezërve Devolli, të cilët me Kosovën po sillen sikur të ishin oligarkët e saj”, thekson analisti Shefqet Dibrani.

(Kosova Sot)