Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (4)

  • 02 July 2015 - 07:46
Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (4)

14. Zyra aktuale për persona të pagjetur dhe forenzikë ka folur për vështirësi të mëdha të punës me dokumentacione shpesh të kualitetit të keq, të cilat i kanë marrë nga paraardhësit; ajo po ashtu ka vështirësi me motivimin dhe mbajtjen e stafit të vet, për të cilët thuhet se nuk janë të paguar sa duhet, duke pasur parasysh kualifikimin që nevojitet. Përpjekjet për ta përcaktuar fatin e personave të pagjetur po ashtu kanë vuajtur edhe nga mungesa e qartë e bashkëpunimit midis agjencive të ndryshme ndërkombëtare dhe autoriteteve të Kosovës, pa përmendur këtu autoritetet kompetente në Shqipëri. Derisa Serbia ka bashkëpunuar (edhe pse jo pa dështime fillestare) në përpjekjet për të hapur varrezat e supozuara masive në vendin e vet, hapat e tillë hetues janë parë të jenë shumë më të komplikuar në territorin e Kosovës dhe, deri tani, kanë qenë të pamundur në territorin e Shqipërisë. Bashkëpunimi i autoriteteve të Kosovës ka munguar sidomos në lidhje me 470 raste të zhdukjes, të cilat zyrtarisht kanë ndodhur pas përfundimit të konfliktit. Mungesa e bashkëpunimit nga autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë në përcaktimin e fatit të serbëve të zhdukur, e bile edhe të shqiptarëve të Kosovës për të cilët mendohet të kenë rënë viktimë e krimeve të bëra nga pjesëtarët e UÇK-së, paraqet dyshime serioze rreth nivelit aktual të vullnetit politik për ta zbuluar të vërtetën e plotë në lidhje me këto raste.

15. Grupi punues i personave të zhdukur, i kryesuar nga KNKQ ka nevojë për një mbështetje të plotë të bashkësisë ndërkombëtare për ta tejkaluar hezitimin i cili ekziston në të gjitha palët. Një mbështetje e tillë duhet të ofrohet jo më pak në interes të të afërmve të personave të zhdukur, ankthi i të cilëve vazhdon të paraqesë një pengesë të rëndë- sishme ndaj pajtimit.

Zbulimet rreth "Shtëpisë së verdhë"

16. Ne tanimë kemi folur rreth asaj sesi akuzat për trafikim të organeve ishin bërë publike, kishin marrë dimension ndërkombëtar dhe kishin nxitur Asamblenë parlamentare që të thërriste për përgatitjen e këtij raporti. Ka pasur aq shumë diskutime të gjera rreth të së ashtuquajturës "Shtëpi e verdhë", e cila gjendet në Rripe, afër Burrelit, në Shqipërinë qendrore, sa që të duket se ajo shtëpi kishte monopolizuar vëmendjen e publikut. Megjithatë, kur reflektojmë, ajo shtëpi ishte thjesht vetëm një nga shumë elemente në një episod shumë më të komplikuar. Është e vërtetë se e gjitha duket të kishte filluar me zbulimet rreth "Shtëpisë së verdhë". Në shkurt të vitit 2004, një vizitë eksploruese në atë vend ishte organizuar së bashku nga ICTY dhe UNMIK, me pjesëmarrjen e një gazetari. Kjo vizitë në fakt nuk mund të konsiderohet si ekzaminim i vërtetë forenzik, në bazë të të gjitha rregullave teknike. Pjesëmarrësit në këtë vizitë, të cilët i kemi intervistuar, në mënyrë eksplicite kanë dënuar mungesën e profesionalizmit, sidomos në lidhje me marrjen e mostrave dhe regjistrimin e vëzhgimeve shkencore. Sido që të jetë, sjellja e disa anëtarëve të familjes K., që jetojnë në atë shtëpi, ngriti një sërë çështjesh, kryesisht rreth shpjegimeve të ndryshme dhe kontradiktore që dhanë ata, si dhe rreth pranisë së njollave të gjakut (të detektuara me anë të Luminolit) në afërsi të një tryeze në dhomën kryesore. Kreu i familjes në fillim kishe thënë se aty ishin therë dhe copëtuar kafshët. Një shpjegim tjetër i dhënë ishte se, në atë vend, kishte lindur fëmijën njëra nga gratë e familjes.

17. As ICTY e as UNMIK, sikur që as Zyra e prokurorit publik të Shqipërisë, nuk e kishin pasuar atë vizitë me bërjen e hetimeve më të thukëta. Për më tepër, hetuesi shqiptar i cili mori pjesë në këtë vizitë, kishte nxituar të deklaronte publikisht se nuk ishin gjetur kurrfarë dëshmish. Mostrat fizike të marra në skenë më pas ishin shkatërruar nga ICTY, pasi që ishin fotografuar, sikur që më tregoi më vonë prokurori kryesor aktual i ICTY-së. Duhet t'ia lejojmë vetes shprehjen e habisë për ndërmarrjen e një hapi të tillë.

18. As ekipi i Prokurorit special për krime të luftës në Beograd nuk doli me ndonjë rezultat konkret rreth kësaj çështjeje, përkundër përpjekjeve të tyre të konsiderueshme. Shakullina mediatike, e cila përcillte këtë hetim, me siguri se nuk bëri asgjë për ta rritur efektivitetin e tij. Ne falënderojmë prokurorin special për bashkëpunimin e tij dhe për gatishmërinë që të na ndihmonte. 

Trafiku ndërkombëtar të organeve njerëzore

19. Ekipet e prokurorëve dhe hetuesve ndërkombëtarë në misionin e EULEX-it, të ngarkuar me hetimin e akuzave për trajtim jonjerëzor, duke përfshirë edhe ato për instancat e mundshme të trafikimit të organeve, tani kanë arritur njëfarë progresi, kryesisht në drejtim të dëshmimit të ekzistimit të qendrave sekrete të mbajtjes (burgosjes) të UÇK-së në Shqipërinë veriore, ku po ashtu thuhet të jenë bërë vrasjet. Por, hetimet e EULEX-it deri më tani kanë qenë të penguara nga mungesa e bashkëpunimit nga ana e autoriteteve shqiptare, të cilat kanë dështuar që të reagojnë ndaj kërkesave specifike, të detajuara për ndihmë gjyqësore, që u janë bërë atyre. Në kohën e shkrimit, EULEX ende nuk ka qasje ndaj dosjeve komplete të bëra nga ICTY në këtë fushë të hetimeve.

20. Një hetim i mëtejmë, po ashtu i bërë nga EULEX-i, në rastin e klinikës "Medicus" në Prishtinë, po ashtu ishte vështirësuar nga shtyrja nga ana e autoriteteve të disa vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe vendeve vëzhguese, pas kërkesës së EULEX-it për ndihmë ligjore. Duke pasur parasysh seriozitetin e veprave të bëra - trafikimin e organeve njerëzore - shtyrjet e tilla kanë të papranueshme dhe të pakuptueshme. Duhet të rikujtohet se hetimet fillestare kanë çuar deri te disa arrestime të të dyshuarve në nëntor të vitit 2008. Deri më tani, fletarreste janë lëshuar edhe për të dyshuar të tjerë, të cilët janë në liri. Ky hetim shërben si një dëshmi shtesë e ekzistimit të strukturave dhe rrjeteve kriminale në regjion, në të cilat janë të përfshira edhe mjekët, që operojnë si pjesë e një trafiku ndërkombëtar të organeve njerë- zore, pa marrë parasysh praninë e forcave ndërkombëtare. Ne besojmë se ka indikacione të mjaftueshme serioze dhe substanciale për të demonstruar se kjo formë e trafikimit është shumë më e vjetër sesa rasti "Medicus", dhe se disa liderë të UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të tyre kanë qenë të përfshirë në të më parë. Indikacionet janë tepër të forta për të toleruar ndonjë dështim, në aspektin afatgjatë, për ta bërë një hetim serioz, të pavarur dhe gjithëpërfshirës.

21. Nga dora e parë kemi mësuar se sa vështirë është që të rikonstruktohen ngjarjet në Kosovë gjatë periudhës kaotike dhe problematike të viteve 1999-2000. Me përjashtim të disa hetuesve të EULEX-it, ka pasur dhe vazhdon të ketë një mungesë të vendosmërisë për ta gjetur të vërtetën rreth asaj se çka ndodhi gjatë asaj periudhe dhe për caktimin e përgjegjësive adekuate. Sasia e madhe e dëshmive ekzistuese kundër disa liderëve më të lartë të UÇK-së, duket se në një masë të madhe janë përgjegjëse për këtë hezitim. Ka pasur dëshmitarë të këtyre ngjarjeve që janë eliminuar dhe të tjerë që janë të tmerruar nga vetë fakti se merren në pyetje në lidhje me këto ngjarje. Dëshmitarët e tillë nuk kanë kurrfarë besimi në masat mbrojtëse, të cilat mund t'iu ofrohen. Vetë ne duhet të ndërmarrim masa të përpikta në lidhje me ndonjë bashkëbisedues, duke i siguruar ata për një anonimitet të ashpër. Përkundër kësaj, ne i pamë ata si të besueshëm dhe qemë në gjendje të konstatonim se rrëfimet e tyre konfirmoheshin nga faktet objektivisht të verifikueshme. Qëllimi ynë nuk ishte bërja e një hetimi penal. Por, ne mund të themi se kemi mbledhur mjaft dëshmi për të kërkuar fuqishëm që organizmat ndërkombëtarë dhe shtetet e përfshira, përfundimisht ta ndërmarrin çdo hap për t'u siguruar se e vërteta është gjetur dhe se fajtorët janë identifikuar qartazi, duke u marrë në përgjegjësi për veprat e tyre. Shenjat e bashkëpunimit të fshehtë midis klasës kriminale dhe ushtruesve të detyrave të larta politike dhe institucionale janë tepër të shumta dhe serioze që të mund të injorohen. Është e drejtë fundamentale e qytetarëve të Kosovës që ta njohin të vërtetën e plotë dhe ky është një kusht i domosdoshëm për pajtim midis komuniteteve dhe për një të ardhme prosperuese të vendit.

22. Para se të hyhet në detaje të mëtejme në lidhje me hetimet tona, do të doja ta shprehja vlerësimin tim për të gjithë ata që më kanë ndihmuar në kryerjen e kësaj detyre të vështirë dhe delikate. Së pari dhe më së shumti falënderoj sekretariatin e Komitetit, të ndihmuar nga një ekspert i jashtëm, si dhe autoritetet e shteteve të cilat i kemi vizituar, si dhe gazetarët e aftë e të guximshëm hulumtues, të cilët ndanë disa informata me neve. Po ashtu ua kam borxh një falënderim të veçantë edhe personave të cilët kanë besuar në profesionalizmin tonë, e po aq edhe në detyrën tonë të sinqertë që t'i mbrojmë identitetet e tyre, duke mos i ekspozuar ndaj ndonjë rreziku. 

Koment hyrës rreth burimeve

23. Gjatë rrjedhës së hetimeve tona, kemi siguruar dëshmi gojore dhe të dokumentuara nga disa burime primare, sidomos duke përfshirë: luftë- tarët dhe bashkëpunëtorët e fraksioneve të ndryshme të armatosura të cilët kanë marrë pjesë në armiqësitë në Kosovë; viktimat direkte të krimeve të dhunshme, të kryera në Kosovë dhe në territoret përreth; anëtarët e familjes së personave të zhdukur, apo të vdekur; nga përfaqësuesit aktualë dhe të kaluar të institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, me juridiksion mbi ngjarjet në Kosovë [në rend të parë UNMIK-u, EULEX-i dhe Tribunali ndërkombëtar penal për ishJugosllavinë - ICTY]; përfaqësuesit e sistemeve nacionale të drejtësisë, duke përfshirë prokurorët me juridiksion mbi ngjarjet që kanë lidhje me Kosovën [Zyrën e Prokurorit për krime të luftës në Beograd; Zyrën e Prokurorit të përgjithshëm në Tiranë; prokurorët, policët dhe zyrtarët shtetëror të sigurisë në Prishtinë dhe në tri shtete fqinje]; agjencitë humanitare [duke përfshirë edhe Komitetin ndërkombëtar të Kryqit të kuq- ICRC dhe Komisionin ndërkombëtar të personave të zhdukur - ICMP]; si dhe pjesëtarët e ndryshëm të shoqërisë civile dhe të organeve monitoruese të të drejtave të njeriut, që kanë hetuar dhe raportuar rreth ngjarjeve që kanë lidhje me Kosovën në periudhën e caktuar [duke përfshirë edhe Qendrën humanitare ligjore].

24. Natyrisht, ne jemi munduar sa herë që ishte e mundur që këto dëshmi t'i merrnim direkt, personalisht, qoftë me anë të takimeve të incizuara, apo me anë të intervistuesve të besueshëm, gjatë vizitave në Prishtinë, Tiranë, Beograd dhe në pjesët e tjera të regjionit të Ballkanit. Por, për shkaqe të ndryshme - duke përfshirë edhe "zhdukjen" e tyre për shkaqe të sigurisë, zhvendosjen në shtetet e jashtme dhe kufizimeve të programit tonë zyrtar derisa ishim në mision në rajon - disa nga burimet që i ofruan këto dëshmi nuk kanë qenë në gjendje që të takoheshin me ne personalisht.

Vijon 

(Kosova Sot)