Pa goditur kapot, nuk këndellet drejtësia

  • 08 December 2016 - 07:44
Pa goditur kapot, nuk këndellet drejtësia

Ndëshkimet ligjore, e vetmja alternativë për ta nxjerrë sistemin nga gremina.

"Pa i vënë para drejtësisë të ashtuquajturit 'peshqit e mëdhenj', është shumë vështirë që të priten ndryshime në zhvillimet e drejtësisë, pasi pikërisht këtu fillon edhe ndëshkimi i së keqes dhe zgjidhja e problemeve, pra duke i ndëshkuar këto rrjete të krimit të organizuar, që kanë vënë ndikimin dhe kontrollin e tyre në shumë segmente të jetës, e të cilat kanë ngulfatur ecjen dhe zhvillimin e vendit në shumë sfera të jetës", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi,raporton Gazeta Kosova Sot

Drejtësia kosovare ka dështuar tërësisht në hetimin dhe gjykimin e të ashtuquajturve "peshq të mëdhenj", respektivisht të zyrtarëve të lartë të shtetit. Këtë e ka pranuar në 'Javën Kundër Korrupsionit' edhe vetë kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, duke pohuar se nuk ka asnjë rast të profileve të larta për korrupsion. Përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe analistë e opozitarë të vendit, kanë thënë se deri më tani nuk kemi asnjë "peshk të madh" që është dënuar me një dënim të plotfuqishëm për veprat penale të krimit të organizuar ose të korrupsionit. Në këtë drejtim është shtuar dilema se a është bërë kancerogjen për shoqërinë kosovare sistemi i brishtë i drejtësisë, ngase një drejtësi e korruptuar për rrjedhojë e sëmurë edhe vetë shoqërinë e Kosovës. Por si do të mund të kthehej besueshmëria në sistemin e drejtësisë? Arton Demhasaj, nga organizata "Çohu", në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ka pasur raste të të ashtuquajturve "peshq të mëdhenj", të cilat janë iniciuar, por edhe spektakle të arrestimit, mirëpo në fund, sipas tij, rastet e tilla ose janë parashkruar apo thjesht janë shpallur të pafajshëm, për shkak se Prokuroria ka dështuar që të argumentojë dhe të bind fajësinë e tyre."Andaj së këndejmi deri më tani nuk kemi asnjë 'peshk të madh' që është dënuar me një dënim të plotfuqishëm për veprat penale të krimit të organizuar ose të korrupsionit, kështu që mund të vijmë në përfundim që thjesht kemi një drejtësi që deri më tani ka dështuar tërësisht në hetimin dhe gjykimin e 'peshqve të mëdhenj' sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit", ka vijuar më tej ai.

Dënimet meritore rikthejnë besimin e publikut Demhasaj ka shtuar se e vetmja mënyrë për t'u kthyer besimi në sistemin e drejtësisë është që thjesht bartësit e institucioneve të drejtësisë, prokurorët e gjykatësit të fillojnë që ta kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet, konform ligjeve që janë të zbatueshme në Kosovë."Pra, që të fillojnë t'i hetojmë pak më seriozisht dhe më sinqerisht njerëzit që kanë lëndë nëpër prokurori, por edhe prokurorët kërkohet që t'i argumentojnë sa duhet ato lëndë që në momentin kur të shkojnë në gjykatë kësisoj mos t'i lihet 'rrugë' tjetër gjykatës, pos dënimit, dhe ai jo me kusht e me gjobë, por thjesht të shqiptohet dënimi efektiv konform dispozitave ligjore", ka theksuar ai."Në momentin kur qytetarët shohin raste të tilla që po iniciohen, po hetohen e gjykohen shpejt, por edhe po shqiptohen dënime meritore nëpër gjykata atëherë automatikisht ka për të filluar që të kthehet dhe krijohet edhe besimi i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë në vend", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" Arton Demhasaj nga organizata "Çohu".

Afera "Pronto", e paprekur nga drejtësia Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", thotë se drejtësia jonë, por edhe ajo e huaj, me mision në Kosovë, fatkeqë- sisht në vazhdimësi ka dështuar sa i përket hetimit, gjykimit dhe shqiptimit të dënimeve në rastet e të ashtuquajturve "peshq të mëdhenj", derisa, sipas tij, shumë herë është pëshpëritur se personat e tillë do të burgosen, por që deri më tani nuk ka ndodhur ashtu, ngase përpos fjalëve nuk janë parë edhe arrestime e dënime të ndonjërit nga të ashtuquajturit "peshqit e mëdhenj". Sipas tij, është e ditur se ka mjaft lëndë dhe raste të kësaj natyre që janë të pagjykuara dhe akoma të pandëshkuara para drejtësisë e ligjit, e që janë të një kalibri të lartë, si hallkat e krimit të organizuar, atij ekonomik etj."Pra, akoma nuk ka rastisur që këta të nxirren para drejtësisë, ku disa nga të këtillët veçse janë bërë të ditur, edhe për publikun e gjerë, me zbardhjen e përgjimeve 'Pronto 2', duke qenë rrjeti edhe më i gjerë, duke qenë aktorët edhe më të mëdhenj, e me dyshime të bazuara në inkriminimin e shumë rasteve për keqpërdorime, abuzime dhe shkeljeve ligjore, pra duke qenë përgjegjës para drejtësisë dhe ligjit, e që sigurisht dyshohet se ka mjaft argumente për të nisur hetimet dhe ngritur aktakuzat ndaj tyre për keqpërdorimet e formave të ndryshme", ka shtuar Kelmendi. 

Sistemi i kompromentuar, duhet depolitizim Kelmendi ka nënvizuar se fillimisht drejtësia duhet të ketë guximin, kurajën dhe përgjegjshmërinë për të gjykuar të korruptuarit e kalibrit të lartë dhe kapotë e krimit të organizuar, që të dëshmojë kësisoj se në këtë vend po funksionon sistemi i drejtësisë dhe shteti ligjor. "Përndryshe pa i vënë para drejtësisë të ashtuquajturit "peshq të mëdhenj" është shumë vështirë që të priten ndryshime në zhvillimet e drejtësisë, pasi pikërisht këtu fillon edhe ndëshkimi i së keqes dhe zgjidhja e problemeve, pra duke i ndëshkuar këto rrjete të krimit të organizuar që kanë vënë ndikimin dhe kontrollin e tyre në shumë segmente të jetës, e të cilat kanë ngulfatur ecjen dhe zhvillimin e vendit në shumë sfera të jetës", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka nënvizuar se shumë raste të tilla janë iniciuar, por që gjatë periudhës së trajtimit të lëndëve ato shkojnë duke u zbehur dhe në fund dalin siç tha pa asnjë rezultat, gjë që është treguar me rastin e shumë lëndëve, të cilat kanë përfunduar duke u liruar ata të cilët kanë qenë të akuzuar dhe nuk kanë marrë dënime të merituara ashtu siç duhet. Sipas tij, drejtësia është e kompromentuar, andaj edhe nuk ka rezultate. "Ndërkaq, besimi në sistemin e drejtësisë kthehet vetëm duke i larguar duart politika nga drejtësia dhe duke lënë që gjyqësori të jetë i pavarur dhe të veprojë sipas mbrojtjes së interesave të shtetit, duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën në fuqi", ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot" nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

(Kosova Sot)