Terminali i ri doganor thyen monopolin e Devollit

  • 08 December 2016 - 07:49
Terminali i ri doganor thyen monopolin e Devollit

Analistët habiten me heshtjen dhe mosveprimin e Prokurorisë Speciale në hetimin dhe ngritjen e aktakuzës kundër korrupsionit të grupit të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafio-oligarkëve korruptues në krim të organizuar lidhur me këtë rast për 3 vjet rresht,raporton Gazeta Kosova Sot

"Është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Kosovës që tani është hapur Terminali i ri, "Prishtina 3", sepse çmimet do të jenë më të lira, më të volitshme dhe me siguri maksimale, duke e ditur që Terminali doganor i Devollëve çmimin e ka 40 euro, tani në Terminalin "Prishtina 3" çmimi është 20 euro. Kjo po ndodh për shkak se Terminali doganor 'Devolli', që nga hapja e këtij terminali, gjithmonë i ka gërryer dhe ka zhvatur qytetarët dhe ka keqpërdorur sistemin doganor, duke marrë para më shumë sesa që duhet te qytetarët kur kanë shkuar për të bërë ndonjë zhdoganim. E them me sinqeritet se Terminali 'Prishtina 3' do të jetë me të vërtetë një ndihmë shumë e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj", deklaron analisti i ekonomisë, Dardan Grapci.

Përfundimisht, më 5 dhjetor 2016 filloi punën Terminali më i ri doganor, "Prishtina 3", në Bresje, kurse hapja e tij, ndërkaq, ndodhi vetëm pas një odisejade me pengesa, bllokime dhe shpifje të mafio-oligarkëve të inkriminuar, në periudhën prej afro 3 vjetësh deri në hapjen e Terminalit të ri doganor në tregun e monopolizuar nga Devollët dhe bizneset e lidhura me politikën e inkriminuar. Ndaj, si rezultat i hapjes së tregut për terminale doganore, treg ky që, sipas njohësve të kësaj fushe, është i tejmonopolizuar nga vëllezërit Devolli me politikanët e inkriminuar në pushtet, me afro 8 terminale si dhe të kontrolluar nga pushtetarët e inkriminuar, qytetarët dhe bizneset filluan të gëzojnë benefitet e para të liberalizimit të tregut. Së këndejmi, hapja e Terminalit ka bërë që nga ekspertët dhe deputetët të vlerësohet prishja e monopolit shumëvjeçar, të cilin e kishte Devolli me klanin "Pronto" me disa terminale, si dhe fakti se Terminali i ri menjëherë në ditën e parë të punës, duke zbatuar logjikën konkurruese të tregut të lirë, ofroi zbritje për shërbimet, edhe atë jo më pak se minus 50 për qind nga çmimet standarde të gjertanishme për shumë vjet. Analistët thonë se ky liberalizim i tregut dhe zhdukja e monopoleve nuk do të lejojnë dhe mundësojnë që çmimet të kontrollohen nga mafio-oligarkët zhvatës të tregut të terminaleve përmes marrëveshjeve të fshehta. Sipas ekspertëve, ishte pikërisht frika nga moskontrollimi i tregut që i bëri vëllezërit Devolli të hedhen në fushatë korruptive tek zyrtarët e shtetit dhe me fushatë linçuese ndaj Terminalit te ri, duke shfrytëzuar çdo mekanizëm të kundërligjshëm e kundërkushtetues, siç e kanë bërë për 3 vjet me radhë, për të mos lejuar liberalizimin e tregut të terminaleve doganore, e të cilin e garanton Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Ndaj, analistët habiten me heshtjen dhe mosveprimin e Prokurorisë Speciale në hetimin dhe ngritjen e Aktakuzës kundër korrupsionit të grupit të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafio-oligarkëve korruptues në krim të organizuar lidhur me këtë rast për 3 vjet rresht, ashtu siç habiten edhe me heshtjen e drejtuesve të Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës përballë monopoleve në shumë fusha.

Image

 

Autoriteti i Konkurrencës të hetojë monopolet Ish-anëtari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Halit Shabani, tha për "Kosova Sot" se i vjen mirë kur dëgjon për konkurrencën, hapjen e tregut. "Çdo ndërmarrjeje, e cila mund të hyjë në treg, gjë e cila në Kosovë nuk është e lehtë, dhe kjo do të thotë se është një gjest që shkon në favor të konsumatorit. "Sipas Shabanit, në Kosovë ka shumë monopole, të cilat çmimet i mbajnë në kurriz të qytetarëve, por edhe kjo e ka një fund dhe këtu ka vend për konkluzion nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës për hetim. Edhe eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi i lëndëve të fushës së ekonomisë në Universitetin Publik të Pejës, Ibish Mazreku, e ka përshëndetur vendimin e pronarëve të Terminalit të ri doganor në Bresje për uljen e çmimeve të shërbimeve doganore dhe thyerjen e monopoleve në fushën e shërbimeve për 50 për qind, që deri tash e mbanin kompania "Devolli", me disa terminale të saj. Ai sqaroi se monopolet janë të ndaluara qoftë me ligjet apo edhe me Kushtetutën e Kosovës. "Që nga pas lufta, si vendi më i ri, jemi përcaktuar për një ekonomi të lirë të tregut. Në çdo fushë biznesi është e nevojshme që të kemi sa më shumë operatorë ekonomikë. Sepse, me këtë bizneset që kanë nevojë të bëjnë më shumë zgjedhje, ngase po të ketë monopol në atë fushë biznesi, kjo ndikon që çmimet mund të jenë të fryra, kurse shërbimet larg nivelit të duhur", theksoi ai.

Kompanitë tani mund të zgjedhin Mazreku tha se hapja e Terminalit të ri dhe terminaleve të reja në të ardhmen do t'u ofrojnë bizneseve një zbritje të çmimeve që mund të jetë e leverdishme për bizneset lidhur me kryerjen e shërbimeve që ofrojnë terminalet doganore, por njëkohësisht fillon edhe një konkurrencë që bëhet më e ndershme e me shërbime dukshëm më të mira dhe pa monopole në ato fusha."Sa më shumë që të ketë terminale doganore u mbetet bizneseve që të zgjedhin ofertën më të mirë nga pronarët e tyre. Qëllimin e hapjes së çdo operatori të ri unë e shoh si një tendencë pozitive që klientela të ketë mundësi të zgjedh, sepse operatori që ofron shërbime më të mira në një konkurrencë të tillë fer dhe korrekte dhe pa monopole i jepet mundësia që të ofrojnë shërbime më të lira, madje edhe më cilësore sesa në rast kur kemi pozita monopoliste, sikurse që ka qenë rasti tek terminalet doganore", ka thënë ai. Sipas Mazrekut, sa më shumë që kemi konkurrencë të lirë do të kemi më shumë kualitete e cilësi në shërbime dhe në të njëjtën kohë edhe ulje çmimesh, sepse operatorët ekonomikë do të jenë të detyruar që të tërheqin klientelën përmes shërbimeve më të shpejta dhe më kualitative dhe normalisht se do të jenë edhe me çmime më të lira dhe të leverdishme. Ndërsa, për heshtjen e Prokurorisë së Shtetit dhe Autoritetit të Konkurrencës përballë monopoleve që janë krijuar në shumë fusha si janë ato në terminalet doganore dhe në fushën e homologimit, ku dallohet kompania "Devolli", analisti Mazreku tha për "Kosova Sot" se nëse ka shkelje të ligjit Prokuroria ka të drejtë dhe duhet që në çdo kohë të iniciojë hetimet, por këtë të drejtë e kanë edhe qytetarët tanë dhe bizneset e ndryshme."Kjo është një detyrë kryesore edhe e drejtuesve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që është i themeluar me ligj dhe i njëjti është një agjenci e pavarur dhe e ka këtë të drejtë të inicimit të hetimeve të çështjeve në fushat që dyshohet se ka pasur monopole ose forma të tjera të organizimit që janë në kundërshtim me ligjin", theksoi më tutje ai

Qytetarët dhe bizneset u zhvatën nga monopolistët Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Kosovës, që tani është hapur Terminali i ri "Prishtina 3", sepse çmimet do të jenë më të lira, më të volitshme dhe me siguri maksimale, duke e ditur që Terminali doganor i Devollëve çmimin e kanë 40 euro, tani në Terminalin "Prishtina 3" çmimi është 20 euro. "Kjo po ndodh për shkak se Terminali doganor 'Devolli', që nga hapja e këtij terminali, gjithmonë i ka gërryer dhe ka zhvatur qytetarët dhe kanë keqpërdorur sistemin doganor, duke marrë para më shumë sesa që duhet te qytetarët kur kanë shkuar për të bërë ndonjë doganim", u shpreh ai. "E them me sinqeritet që Terminali 'Prishtina 3' do të jetë me të vërtetë një ndihmë shumë e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj", u shpreh më tej Grapci. Ai u ka bërë thirrje të gjitha atyre bizneseve që kanë zhdoganuar deri sot mallra të ndryshme me çmime të larta, tashmë e kanë edhe mundësinë që me pak para po ato mallra t'i doganojnë tek Terminali 'Prishtina 3'". Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, tha për "Kosova Sot" se pronarët kanë bërë një veprim të mirë dhe, sipas tij, edhe terminalet e tjera duhet që ta ndjekin këtë shembull. I pyetur se a duhet që Ministria e Infrastrukturës të vazhdojë që të liberalizojë tregun edhe në fusha të tjera, ku ka monopole, si në homologimin e automjeteve, Kaçaniku tha se nëse duam të kemi ekonomi të lirë të tregut, kjo gjë duhet të ndodhë në mënyrë urgjente.

I tërë tregu duhet të liberalizohet Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se i përgëzon për hapjen e Terminalit, sepse me liberalizim tregu prishen monopolet. Sipas tij, duhet që të ketë një konkurrencë të lirë, ngase do të ketë edhe ulje të çmimeve të shërbimeve."Kjo po shihet nga kjo kompania që e ka bërë këtë që në start dhe duhet përshëndetur këtë vendim, sepse do të ketë një konkurrencë më të madhe sesa deri tash që nuk kishte". Neziraj tha se deri vonë as Autoriteti i Konkurrencës nuk i ka kryer detyrat e veta, sepse shumë kompani, qoftë në regjistrim apo homologim makinash e veturash dhe automjeteve të tjera dhe në shumë fusha, kanë krijuar me vite monopole që janë shumë të dëmshme për ekonominë e tregut."Kur flitet për ekonominë e lirë të tregut, konkurrenca është parim kryesor pasi nuk krijohen monopole dhe nuk lejojnë që të pasurohen individët e caktuar. Jo vetëm kjo kompani, por duhet që të liberalizohet tregu në shumë sfera dhe të ndalohen monopolet që ekzistojnë sot në Kosovë, sepse ato kanë ndikuar në ngritjen e çmimeve e të shërbimeve, por edhe në pasurimin e individëve të caktuar", potencoi Neziraj. "I përgëzoj pronarët e këtij Terminali, sepse ka qenë një hap shumë i duhur dhe tregu i Kosovës duhet që të jetë i barabartë për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë biznese, të veprojnë e të kryejnë shërbime në Kosovë", u shpreh më tej ai. Neziraj tha se nuk befasohet nga heshtja e Prokurorisë dhe Autoritetit të Konkurrencës, sepse po shihet se këto institucione janë jo në shërbim të qytetarëve apo të popullatës, por kanë qenë në shërbim të individëve të caktuar që kanë krijuar monopole.

(Kosova Sot)