Zemra e nënës digjet për fëmijët që rriten në skamje

  • 08 December 2016 - 17:16
Zemra e nënës digjet për fëmijët që rriten në skamje

Hafir Morina: Ndihma sociale nuk më mjafton për t'i ushqyer fëmijët

Familja tetë anëtarëshe Morina nga fshati Lumnishtë i komunës së Malishevës po heqin keq për ushqim dhe veshmbathje. Të dy prindërit janë të papunë. E kryefamiljari Hafir Morina është i paaftë për të punuar punë të rënda, për shkak të lëndimeve që kishte pësuar në njërën dorë. Ata ka kohë që po ndiejnë krizën financiare dhe jetën po e kalojnë si mos më keq, duke u përballur me kërkesa të vazhdueshme të fëmijëve për ushqim dhe veshmbathje. E vetmja gjë që u ka ndodhur e mirë në këto vitet e fundit është ndërtimi i shtëpisë nga bamirësit mërgimtarë, pas një apeli për ndihmë. Shtëpia e re, sipas banorëve, ua ktheu buzëqeshjen, sepse jetonin në një shtëpi të vjetër e të shkatërruar. Por, prapë fytyrat e këtyre dy prindërve ishin të ngrysura, sepse kriza financiare u kishte trokitur prapë në derë. Ata nuk lëshonin asnjëherë nga goja për mrekullinë që u kishte ndodhur, e kjo ishte ndërtimi i shtëpisë së re, dhe të mirën që iu kishin bërë bamirësit, por ballafaqimi i këtyre ditëve sërish me skamjen i kishte detyruar ata që të kërkojnë sërish ndihmë nga të tjerët, shkruan gazeta Kosova Sot.

Hafiri nga lëndimi nuk guxon të bartë pesha të rënda

Kryefamiljari Hafiri shpengoi më teje: "Jemi tetë anëtarë të familjes dhe tani jemi keq për ushqim dhe veshmbathje për fëmijët. Po të kishte punë, do të punoja, nuk do të rrija i varur nga ndihma sociale", thotë ai, duke bërë të ditur se gëzon një ndihmë sociale prej 130 eurosh. Për më shumë, ky qytetar është ankuar se kjo shumë e ndihmës sociale nuk u mjafton as për sigurimin e ushqimit për një muaj. "Unë do të punoja edhe punët më të rënda, por me këtë dorë nuk guxoj të bartë pesha të rënda", thotë Hafiri, duke na treguar për vendin ku e kishte lënduar dorën." Në 2003, duke i sharruar drutë, me kanë hyrë zinxhirët e motorit të druve në dorë dhe tani dorën e kam të lënduar dhe të paaftë për të kryer punë të rënda", thoshte ai, duke pohuar se për punë, të cilat ka pasur mundësi t'i kryejë, nuk është kursyer asnjëherë. Ndryshe, Hafiri, baba i gjashtë fëmijëve, njoftoi për vështirësitë e përditshme përballë kërkesave të fëmijëve." Dy fëmijë i kam në shkollë profesionale në Malishevë dhe se për të udhë- tuar këta më shkojnë në çdo muaj 24 euro. Tani për katër fëmijët e tjerë më shkojnë edhe tetë euro të tjera dhe me fillim si të marr ndihmën sociale këto shpenzimet me duhet t'i kryej", thotë ai. Hafiri shpjegon se ndihma sociale nuk është aspak e mjaftueshme për të përmbushur nevojat për tetë anëtarë të familjes.

Fëmijët shkojnë në shkollë pa asnjë cent në xhep

Në anën tjetër, edhe bashkëshortja dhe nëna e gjashtë fëmijëve, Hydajete Morina, ka përshkruar një gjendje të rëndë në familje, pikërisht për mungesë të mjeteve financiare. "Me këtë ndihmë sociale nuk kemi mundësi të sigurojmë as ushqimin dhe po mos të ishte ndihma e të tjerëve ne do të vdisnim urie", thotë ajo, e mërzitur nga jeta në skamje. " Për një nënë, e cila nuk ka asgjë për të ushqyer fëmijët, nuk ka gjë më të vështirë. Nganjëherë mbesim edhe pa asgjë. Më së vështiri në këso situatash e kam si t'i mashtroj fëmijët. U them se e sigurojmë ushqimin e bëhet mirë, çka t'u them tjetër. E, në anën tjetër, zemra më digjet si nënë kur jemi në ketë gjendje", thoshte ajo. Por, edhe në këto ditë, kjo nënë e përvuajtur ka njoftuar se janë keq për gjëra ushqimore. Thotë se kanë nevojë për ndihmë. " Nuk kemi asgjë tash në këto ditë as ushqim, as veshmbathjeve për fëmijë", ka njoftuar ajo, duke shpjeguar edhe për një hall tjetër me të cilin po përballej këto ditë. "Njërën nga vajzat e kam të sëmurë nga veshi, ka shumë net që ajo nuk ka vënë gjumë në sy nga dhimbja. E patëm tek mjeku, por nuk po kemi mundësi t'i bëjmë fotografim privat se të shtetit nuk kish mundësi. As dhjetë euro nuk po i kemi", është shprehur zonja në fjalë, duke ia ledhatuar flokët vajzës, e cila kërkonte ndihmën e prindërve. Edhe Hydajetja është ankuar për shëndetin jo të mirë të saj, duke bërë të ditur se ka probleme me boshtin kurrizor dhe se nuk ka mundësi të mjekohet. Thotë se është e pashkollë, ndërsa do të bëjë të pamundurën që fëmijët t'i shkollohen."Po u shkon shkolla mirë, po nuk po kanë kushte, po më dhimbsen po shkojnë pa rroba të mira e pa asnjë cent në xhep", ankohej kjo nënë e mërzitur. Të dy prindërit theksojnë se iu ka ndihmuar Komuna me miell kur ka pasur mundësi, por edhe me çanta për fëmijët, fletore dhe pajisje të tjera. Por, në këto ditë familja është keq për gjërat më elementare. Të gjithë dollapët pothuajse ishin të zbrazur, prandaj për të gjithë ata të cilët kanë mundësi të ndihmojnë kësaj familje, këtë mund ta bëjnë përmes numrit të telefonit të familjes që është 044 567 636. 

(Kosova Sot) 

 

Image
Image
Image
Image
Image