“Celula” e ISIS në Itali: Një familje e madhe italo-shqiptare

  • 02 July 2015 - 14:23
“Celula” e ISIS në Itali: Një familje e madhe italo-shqiptare

Prokuroria e Milanos arrestoi prindërit e “Lady Xhihad” dhe të afërmit e burrit të saj shqiptar, Aldo Kobuzi si të lidhur me terrorizmin ndërkombëtar- e gjithë familja po planifikonte udhëtimin drejt Shtetit Islamik.

Transformimi ndër vite i Maria Guilia Sergios dhe Aldo Kobuzit, dy bashkëshortëve që i janë bashkuar Shtetit Islamik. 

Baki Çoku ndodhej në tryezën e syfyrit kur forcat e antiterrorit zbarkuan në shtëpinë e tij në fshatin Gërmenj i Madh i Lushnjes dhe i shtrënguan prangat. 40 vjeçari, emigrant prej fundit të viteve ’90 në Itali ishte kthyer ndoshta për herë të fundit në Shqipëri; policia italiane thotë se ai po planifikonte udhëtimin e tij drejt Sirisë.

Baki Çoku është njëri prej 5 të arrestuarve me urdhër të Prokurorisë së Milanos mëngjesin e së mërkurës për lidhjet e tij me militantët e Shtetit Islamik. Motra e tij, Arta Kacabuni dhe krushqit italianë të konvertuar në myslimanë, Sergio, Assunta dhe Mariana Sergio u arrestuan gjithashtu si pjesë e grupeve terroriste ndërkombëtare. 

Familja shqiptare Çoku, rezidente në Grosseto të Italisë dhe ajo italiane Sergio me banim në Inzago të Milanos lidhën krushqi në shtator të vitit 2014. Asokohe, nipi i Baki Çokut, Aldo Kobuzi u martua me Maria Giulia Sergion, e para xhihadiste italiane në luftën e Sirisë. 

Një hulumtim ka zbulur historinë e martesës së tyre dhe lidhjet familjare me disa prej shqiptarëve që ndodheshin në zonën e luftës në Siri. Më 21 shtator 2014, çifti italo-shqiptar iu bashkua militantëve të Shtetit Islamik përmes itinerarit Romë-Stamboll-Gaziantep, ndërsa Prokuroria e Milanos nisi një hetim të gjerë për xhihadisten e njohur me nofkën “Lady Jihad”. Hetimi mori emrin e koduar “Martesë”. 

 

Image

Policia italiane tha në një deklaratë për shtyp të mërkurën se kishte arrestuar 5 nga 10 të dyshuarit për lidhjet e tyre me Lady Jihad dhe ISIS. Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për 5 personat që gjenden në Sed Farouk të Sirisë: Maria Giulia, Aldo Kobuzi, nëna e tij, Donika Çoku, motra Serjola dhe një shtetase kanadeze, rezidente në Arabinë Saudite e quajtur Bushra Haik, transmeton Birn.

Prej më shumë se tetë muajsh, prokuroria e Milanos ka përgjuar komunikimet përmes rrjeteve sociale të Lady Jihad me familjen e saj dhe të bashkëshortit shqiptar, duke zbuluar se pesë të arrestuarit po bëheshin gati t’i bashkoheshin Kalifatit. “Tre shtetasit italianë dhe dy shqiptarët ishin të vendosur për të shkuar për xhihad në Siri,” thuhet në deklaratën e Policisë italiane. 

“E gjithë familja po bëhej gati t’i bashkohej Shtetit Islamik,” shtoi policia. Në fshatin Gërmenj i Leshnjes, familjarët e Baki Çokut mohojnë lidhjen e tij me terroristët dhe presin lirimin e tij. “Fliste vazhdimisht me nipin në Siri, por nuk ka lidhje me ta,” tha babai i Baki Çokut.