Alarmi për kërcënime terroriste, përgjime dhe mbikëqyrje ndaj të dyshuarve në Kosovë

  • 02 July 2015 - 17:04
 Alarmi për kërcënime terroriste, përgjime dhe mbikëqyrje ndaj të dyshuarve në Kosovë

Institucionet e sigurisë në Kosovë janë alarmuar pas përgjimeve më të fundit të bisedave mes xhihadistëve shqiptarë, që po luftojnë në Siri, me të afërm të tyre të interesuar për t’u larguar nga Kosova drejt Sirisë.

Top Channel ka mësuar se, në disa komunikime të përgjuara, disa shqiptarë në Siri u kanë dhënë udhëzime shokëve të tyre për të mos u nisur, por për të qëndruar dhe vepruar në Kosovë. Detajet e këtyre bisedave kanë qenë aq shqetësuese, saqë kanë alarmuar krerët e sigurisë.

Është mësuar se, me raportet e fundit të përgjimeve janë njohur edhe krerët më të lartë të shtetit, të cilët kanë dhënë menjëherë udhëzime për sektorin e sigurisë, që të marrin të gjitha masat e nevojshme, të shtojnë numrin e policëve nëpër rrugë, por edhe për të siguruar objekte të ndryshme, që mund të jenë objektiv i sulmeve të mundshme terroriste.

Burime brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se, personat e përgjuar po monitorohen dhe janë nën vëzhgim të plotë nga policët kosovarë.

Shtimin e prezencës policore me jelekë antiplumb nëpër të gjitha qytetet kosovare e ka konfirmuar për Top Channel edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Përmes një përgjigjeje elektronike, ai tha se, duke u bazuar në normat juridike që burojnë nga strategjia kundër terrorizmit, policia po monitoron çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informacione se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen, apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar.

Kelani tha se, Policia e Kosovës i ka kapacitetet e mjaftueshme për të parandaluar dhe luftuar çdo formë të ekstremizmit. Ai shtoi se, deri tani, policia ka hapur hetime dhe ka dorëzuar kallëzime penale për mbi 130 persona, lidhur me pjesëmarrjen në organizata terroriste, organizimin, rekrutimin, nxitjen dhe financimin e individëve për t’iu bashkëngjitur organizatave terroriste, si dhe për të gjitha këto raste është duke u bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale.

Në lidhje me këtë fenomen, deri më tani janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë bastisur mbi njëqind vendndodhje të personave të dyshimtë.

Megjithatë, zyrtarisht ende asnjë institucion në Kosovë nuk jep sqarime, nëse prezenca e shtuar e policisë, që është vërejtur ditët e fundit në publik, ka të bëjë apo jo me kërcënimet e ISIS për sulme gjatë Muajit të Ramazanit. Mediet perëndimore, pak ditë më parë e renditën Kosovën në një hartë me rrezikshmëri për sulme gjatë Ramazanit, bazuar mbi disa raporte të analistëve më me emër në çështjet e terrorizmit.

Image