Të punësuarit në institucionet publike s’e respektojnë orarin e punës

  • 02 July 2015 - 20:08
Të punësuarit në institucionet publike s’e respektojnë orarin e punës

Numri i të papunëve në Kosovë, sipas raporteve të fundit të ASK-së, është 35.5%. E ata që janë të punësuar në institucionet publike, vazhdojnë të mos e respektojnë orarin e punës, raporton KTV.

Vonesa e mungesa të mëdha kanë bërë punonjësit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Sipas një raporti të kësaj ministrie që ka të bëjë me vijueshmërinë e punëtorëve të MAPL-së për muajin maj, vërehen vonesa të tepruara të disa nga punonjësit. 65 është numri i atyre që nuk e kanë respektuar orarin e punës.

Ndërkaq, shumë më i madh është numri i orëve që këta punonjës i kanë ikur punës. 15 orë e 12 minuta është vonesa më e madhe që ka bërë një punëtore e MAPL-së. Për vetëdijesimin e punëtorëve të vet, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, ka nxjerrë një Urdhëresë Administrative për Vijueshmërinë në Punë, me të cilën synon të rrisë përgjegjësinë e punëtorëve të kësaj ministrie. Për Ndue Kalajn nga Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, vonesat e punonjësve janë të paarsyeshme, aq sa është edhe urdhëresa e MAPL-së.