Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (5)

  • 03 July 2015 - 07:39
Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (5)

25. Për më tepër, ne jemi ballafaquar me pengesat e njëjta kur donim ta merrnim një dëshmi të besueshme rreth akuzave për krime të bëra nga shqiptarët e Kosovës, sikur që janë ballafaquar edhe organet e tjera hetuese gjatë dekadës së kaluar. Ndjenja e ngulitur e besnikërisë ndaj përkatësisë klanore dhe koncepti i nderit, i cili ndoshta më së miri është paraqitur në raportin e ekspertëve për ICTY në lidhje me qëllimet e tij në raport me rastin Limaj e të tjerët, bënë që shumica e dëshmitarëve shqiptarë etnikë të ishin të paarritshëm për ne. Duke parë dy përndjekje të dalluara të ndërmarra nga ICTY që çuan në vdekjen e aq shumë dëshmitarëve dhe, në fund, një dështim për arritjen e drejtësisë, një raportues i Asamblesë parlamentare me burime të kufizuara nuk kishte shumë të ngjarë që t'i bënte këta dëshmitarë të flisnin direkt me ne.

26. Persona të shumtë që kanë punuar për shumë vite në Kosovë dhe të cilët janë bërë ndër komentuesit më të respektuar të drejtësisë në rajon, na këshilluan se rrjetet e organizuara kriminale të shqiptarëve ("mafia shqiptare") në vetë Shqipërinë, në territoret fqinje, duke përfshirë Kosovën dhe ish-republikën jugosllave të Maqedonisë, si dhe diasporën, me gjasë ishin më vështirë të depërtueshme sesa Cosa Nostra; bile edhe operativët e nivelit të ulët më me dëshirë do ta pranonin një dënim prej disa dekadash me burg, apo ndonjë dënim për mospërfillje, sesa t'i tregojnë shokët e tyre të klanit.

27. Për këtë shkak, nga nevoja dhe vetëm kur ishte e përshtatshme, ne jemi mbështetur në incizimet audio dhe video të intervistave me burimet kryesore, të regjistruara nga ndokush tjetër. Në rastet e tilla ne kemi ndërmarrë çdo hap të mundshëm për ta caktuar identitetin, autenticitetin dhe besueshmërinë e burimeve; ne i kemi krahasuar dëshmitë e tyre me informatat nga burimet tjera, të pavarura, për të cilat ata nuk kanë mundur të ishin në dijeni; dhe ne kemi marrë informata të dorës së parë nga intervistuesit rreth rrethanave dhe situatës në të cilën ishin regjistruar intervistat.

28. Intervistuesit që bënë këto intervista përfshijnë përfaqësues të autoriteteve për zbatimin e ligjit në disa vende të ndryshme, kërkues akademikë dhe gazetarë hulumtues me emër dhe kredibilitet. Gjithmonë kemi insistuar në vërtetësinë e dëshmive.

Gjetjet e detajuara të hetimit tonë

3.1. Pasqyra e përgjithshme

29. Pasqyra e përgjithshme që del nga hetimet tona dallon në mënyrë dramatike në disa aspekte nga portretizimi konvencional i konfliktit të Kosovës. Në fakt, derisa zhvillohej një betejë intensive për fatin e territorit të Kosovës, ka pasur shumë pak raste kur fraksionet kundërshtare të armatosura janë konfrontuara njëra me tjetrën në ndonjë linjë frontale ushtarake.

30. Abuzimet e neveritshme të strukturave ushtarake dhe policore serbe, me qëllim të nënshtrimit dhe, në fund, të përzënies së popullatës shqiptare të Kosovës, janë të mirënjohura dhe të dokumentuara.

31. Ndoshta më së shumti ka rëndësi fakti se, dëshmitë që i kemi zbuluar, shpesh bien ndesh me imazhin e paraqitur shpesh të UÇK-së si një ushtri guerile, e cila luftoi trimërisht për ta mbrojtur të drejtën e popullit të vet për të jetuar në territorin e Kosovës.

32. Derisa pa dyshim ka pasur shumë ushtarë trima në radhët e UÇK-së, të cilët ishin të gatshëm që të shkonin në frontin e luftës, para armikut shumë më të fortë dhe, nëse do të ishte nevoja, ta jepnin edhe jetën e tyre për kauzën e një atdheu të pavarur shqiptar të Kosovës, këta luftëtarë nuk është e thënë se përbënin shumicën.

33. Nga dëshmitë që kemi arritur t'i mbledhim, politika dhe strategjia e disa prej liderëve të UÇK-së ishte shumë më komplekse, sesa një agjendë e thjeshtë për t'i mundur shtypësit e tyre serbë.

34. Në njërën anë lidershipi i UÇK-së donte ta fitonte njohjen dhe mbështetjen nga partnerët e huaj, duke përfshirë sidomos qeverinë e SHBA-së. Për ta arritur këtë qëllim, "zëdhënësit" e UÇK-së me lidhje të mira ndërkombëtare, u desh që t'i plotësonin disa premtime ndaj partnerëve dhe sponsorëve të tyre dhe/ose të respektonin kushte të caktuara të marrëveshjes, të cilat de facto ishin kushte që ata të merrnin mbështetje nga jashtë vendit.

35. Por, në anën tjetër, një numër komandantësh të lartë të UÇK-së raportohet se nuk kanë hezituar që të përfitonin nga lufta, duke përfshirë edhe sigurimin e përfitimit material dhe personal për veten e tyre. Ata donin ta siguronin qasjen ndaj burimeve për veten e tyre dhe për anëtarët e tyre të familjes/klanit, sidomos me anë të posteve me autoritet (fuqi) në politikë, apo në industritë fitimprurëse, sikur që është nafta, ndërtimtaria dhe patundshmëritë. Ata donin të merrnin hak ndaj atyre që i përjetonin si padrejtësi historike të bëra ndaj popullatës shqiptare në ish Jugosllavi. Dhe, shumë prej tyre ishin të prirë që të përfitonin aq sa mundnin derisa e kishin kontrollin operacional mbi disa territore ku nuk sundonte ligji (kryesisht në pjesët e Kosovës jugore dhe perëndimore), dhe të përfitonin kapital - sidomos në aspektin e burimeve financiare - me të cilin do të negocionin përfitime (pikëmbështetje) për veten në territoret e tjera (për shembull në Shqipëri).

36. Realiteti është se aktivitetet më të rëndësishme operacionale të ndërmarra nga anëtarët e UÇK-së - para, gjatë dhe menjëherë pas konfliktit - ndodhën në territorin e Shqipërisë, ku forcat serbe të sigurisë kurrë nuk ishin vendosur. 

Fragmentarizimi i UÇK-së dhe gërshetimi me krimin e organizuar

37. Për më shumë se dy vjet pas paraqitjes së saj në vitin 1996, UÇKja konsiderohej si një kryengritje margjinale, me organizim të dobët, sulmet e së cilës kundër shtetit jugosllav nga vëzhguesit perëndimorë konsideroheshin në nivel të veprimeve "terroriste".

38. Burimet tona të përafërta me UÇK-në, bashkë me dëshmitë e pjesëtarëve të UÇK-së, të kapur nga policia serbe, konfirmojnë se vendet kryesore në të cilat rekrutët e UÇK-së mblidheshin dhe trajnoheshin, gjendeshin në veri të Shqipërisë.

39. Është e ditur se armët dhe municioni kontrabandoheshin në Kosovë shpesh me anë të kuajve, nëpër rrugët klandestine malore nga Shqipëria veriore. Sipas policisë serbe këtu bëhej fjalë për aktivitet kriminal të banditëve të cilët donin që të kryenin veprime terroriste kundër forcave serbe të sigurimit. Shqiptarët e Kosovës dhe shtetasit e Shqipërisë të cilët ishin të përfshirë në operacionet e kontrabandimit, veprat e tyre i prezantojnë si heroike, si rezistencë kundër shtypjes serbe.

40. Forcimi i brendshëm i UÇK-së, në aspektin e aftësive të saja luftuese, si dhe të kredibilitetit të saj në mesin e popullsisë shqiptare të Kosovës, duket se ndodhte, sidomos gjatë vitit 1998, gati me të njëjtën shpejtësi me të cilën eskalonte brutaliteti i ushtrisë dhe policisë serbe.

41. Por, vetëm në gjysmën e dytë të vitit 1998, pas një miratimi eksplicit nga fuqitë perëndimore, bazuar në lobimin nga SHBA-ja, UÇK-ja siguroi epërsinë e saj në perceptimin ndërkombëtar si avangardë e betejës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës.

42. Kjo epërsi e fituar ishte aseti më i vlefshëm dhe i pazëvendësueshëm i UÇK-së. Ai nxiti donatorët më të pasur nga diaspora shqiptare që të kanalizonin fonde të konsiderueshme për UÇK-në. Kjo ndikoi që disa përfaqë- sues të UÇK-së të flisnin me një autoritet më të madh në emër të tërë shqiptarëve të Kosovës. Dhe, kjo bëri që personalitetet udhëheqëse të UÇK-së të shihen si udhëheqësit më të mundshëm në një Kosovë që do të dilte pas luftës.

43. Në fakt, perceptimi i epërsisë së UÇK-së - kryesisht e krijuar nga amerikanët - ishte një profeci vetëpërmbushëse, një themel mbi të cilin UÇK-ja arriti të ngrihej mbi forcat tjera politike shqiptare të Kosovës, sikur që ishte LDK-ja e Ibrahim Rugovës dhe "Qeveria në ekzil" e Bujar Bukoshit.

44. Sipas burimeve tona të brendshme, UÇK-ja luftoi me të njëjtin zell dhe investoi një sasi më të madhe të burimeve dhe kapitalit politik për ta mbajtur këtë përparësi ndaj fraksioneve të tjera rivale shqiptare, sesa që investoi për të kryer veprime të koordinuara ushtarake kundër serbëve.

45. Në të njëjtën kohë, duhet të thuhet se UÇK-ja nuk ishte një fraksion unik dhe i vetëm luftues, në formë të një ushtrie konvencionale. Nuk kishte ndonjë lider të përgjithshëm të emërtuar, apo "komandant suprem", i cili do ta kishte një autoritet të gjithëpranueshëm nga komandantët e tjerë dhe urdhrat e të cilit do të pasoheshin me bindshmëri nga të gjitha radhët dhe anëtarët.

46. Në vend të kësaj, derisa afrohej beteja dhe një konflikt i hapur rreth qeverisjes së ardhshme të Kosovës, UÇK-ja u nda nga fraksionet e thella të brendshme.

47. Burime të rëndësishme të ndarjes përfshinin ambiciet e ndryshme politike, si dhe nocionet e ndryshme të parametrave të pranueshme të rezistencës së dhunshme në mesin e personaliteteve më të dalluara dhe pretenduesve për udhëheqje të UÇKsë.

48. Kështu, në vitet 1998 dhe 1999, sidomos pas vdekjes së komandantit të njohur fshatar të UÇK-së Adem Jashari, u paraqitën disa grupe të veçanta të UÇK-së.

49. Secili nga këto grupe të veçanta udhëhiqej nga njëri nga të vetëshpallurit anëtarë themelues të UÇK-së. Secili grup përfshinte një bërthamë besnike të rekrutëve dhe mbështetësve, shpesh nga disa klane dhe familje të afërta dhe/ose të përqendruara në territore gjeografikisht të identifikueshme të Kosovës. Secili grup e identifikonte liderin e vet si shpresën më të ndritur për ta udhëhequr UÇK-në në luftë kundër serbëve, dhe, për më tepër, për sigurimin e vetëvendosjes për popullin shqiptar të Kosovës, derisa bashkëpunonin me komandantët e tjerë të UÇK-së në bazë të rastit (dobisë).

50. Është evidente se është përbërja dhe lidershipi i këtyre grupeve të ndara të UÇK-së, bashkë me popullaritetin para ekzistues të LDK-së, që çuan përpara luftën për çlirim dhe që kanë formësuar në mënyrë esenciale terrenin politik të Kosovës pas mbarimit të konfliktit.

51. Postet më të larta ekzekutive në Kosovë janë ndarë midis ish komandantëve kryesorë të UÇK-së gjatë dekadës së kaluar dhe pjesa më madhe e kampanjave politike parazgjedhore janë bërë në bazë të kontributit të çdo kandidati ndaj luftës çlirimtare, si dhe në bazë të aftësisë së tij për t'i promovuar interesat e popullit shqiptar të Kosovës kundër kundërshtarëve të njohur dhe të panjohur.

52. Është parë se grupet e ndryshme të UÇK-së kishin zhvilluar dhe mbajtur strukturat e veta të inteligjencës, në mesin e formave të tjera të mbrojtjes së vetvetes. Me anë të çdo mjeti që e kishin në dispozicion dhe qartë- sisht në kufijtë e sistemeve ligjore dhe rregullative, ithtarët më të etur të kësaj forme të vazhdimit de facto të luftës së UÇK-së, vëzhguan dhe mbikëqyrën aktivitetet e kundërshtarëve të tyre, duke tentuar shpesh t'i sabotonin ata, si dhe të gjithë ata që mund t'ua rrezikonin interesat e tyre politike dhe të biznesit.

/Vijon/ 

 

(Kosova Sot)