Ja çfarë thotë motra e policit që u vra në Lazarat

  • 03 July 2015 - 09:47
Ja çfarë thotë motra e policit që u vra në Lazarat

Ka kaluar një javë nga mëngjesi i asaj dite kur në krye të detyrës u vra pjesëtari i forcave speciale, por në shtëpinë e tij pranë Xhamisë së Bulqeshit, Ibrahimi është më i gjallë se kurrë.

Në 24 maj, Ibrahimi kishte mbushur 31 vjeç dhe u kishte premtuar motrave të tij dhe prindërve se edhe pak dhe do të martohej, por fiks një muaj më vonë, më 24 qershor, ai do të bëhej “Dëshmor i atdheut”.

Fati atë ditë dukej se nuk ishte në anën e tij, sepse edhe pse vendin ia kishin përcaktuar në një tjetër makinë, Ibrahimi hipi në makinën nga ku nuk do të dilte më i gjallë.

Jehuan televizionet dhe lajmi mbërriti deri në familjen Basha, të cilët, që në momentin që panë titrat se një efektiv i RENEA-s ishte vrarë në Lazarat, mendja iu shkoi te djali i tyre.

I kishin thënë disa herë të hiqte dorë nga forcat speciale dhe nga misionet e rrezikshme, por Bimi, siç i thërrasin në shtëpi, nuk hoqi dorë. Edhe atë ditë në mëngjes i kishin komunikuar urdhrin se duhej që të shkonte në Lazarat, pasi duhej ndihma e tij dhe e shokëve të tij të skuadrës. Ibrahimi nuk kundërshtoi, edhe pse ishte duke agjëruar muajin e Ramazanit.

“E prisnim vëllain të gjallë, por ai nuk erdhi më kurrë. Tani duhet të jetojmë me kujtimet e tij”, rrëfen Vjollca për “Gazetën Shqiptare”, motra e madhe e Ibrahimit, së cilës pas çdo fjale i dridhen duart, ndërsa lotët nuk i reshtin.

Ajo tregon se vëllai i saj në muajin dhjetor të vitit të kaluar, u bë pjesë e këtij reparti. “Ne nuk donim që të bëhej pjesë e këtij reparti, madje i kishim thënë edhe që të shkëputej nga forca speciale në Zall-Herr dhe mos të as në misionet paqëruajtëse në Irak dhe Afganistan”.

“Edhe pse ne i thoshim që të tërhiqej nga ky repart apo dhe nga focat speciale, Bimi, nuk hoqi dorë, sepse ai e donte aksionin, e donte këtë punë dhe kur e donte diçka, ai nuk dorëzohej. Te reparti RENEA është futur pasi i kapi të gjitha normat. Atë ditë që ishte konkursi, vëllai shkoi që të shoqëronte një shokun e tij për të marrë pjesë te konkursi dhe kur kishte shkuar atje, përgjegjësit që ishin te normat i kishin thënë që të merrte edhe ai pjesë. Pasi i kapi të gjithë normat, Ibrahimi u fut te RENEA”.

Motra e policit tregon se prej vitit 2004, Ibrahimi ka marrë pjesë 3 herë në Irak dhe 2 herë në Afganistan.

“Dua t’u them të gjithëve atyre që kanë hedhur baltë mbi vëllain tim pas vdekjes, nuk dua të përmend asnjë emër, por dua t’u them atyre se vëllai im nuk ka paguar asnjë lek për t’u përzgjedhur pjesë e misioneve paqeruajtëse. E para, sepse ai nuk kishte ku t’i gjente gjithë ato para që është thënë se ka paguar, dhe e dyta, Ibrahimi nuk kishte nevojë që të paguante lekë, sepse ai i plotësonte të gjitha normat dhe në të gjitha herët u përzgjodh për shkak të aftësive të tij”.

Ajo flet edhe për personalitetin e vëllait të saj, për të cilin thotë se ishte natyrë e mbyllur, që nuk shprehej shumë.

“Sidomos për pjesën e punës nuk na tregonte asnjëherë asgjë, për shkak të sekretit të punës që bënte, por edhe për shkak se nuk donte të na bënte merak me vështirësitë e punës së tij. Ibrahimi fliste më shumë me vëllain, Denisin. Ishte njeri i shoqërueshëm, kishte shumë shoqëri, por nuk ishte i martuar ashtu siç kanë shkruar dhe kanë thënë deri tani disa media. Ne donim shumë ta shikonim Ibrahimin të martuar, por gjithmonë na thoshte, edhe pak do prisni, pastaj do martohem. Por, Zoti e deshi më shumë sesa ne, aq sa e mori pranë vetes. Ne tani jetojmë me kujtimet e tij”.