Për çka u dakorduan në Bruksel lidhur me Asociacionin e Komunave?

  • 03 July 2015 - 13:56
Për çka u dakorduan në Bruksel lidhur me Asociacionin e Komunave?

Pika më e fortë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel vazhdon të jetë formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë

Sipas burimeve të Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) nga qarqe diplomatike në Bruksel, në raundin e fundit, marrëveshja për këtë asociacion nuk është arritur vetëm për mospajtime në emërtimin e dy fjalëve, transmeton lajmi.net.

Në Bruksel, sipas këtyre burimeve, është rënë dakord që në parim ky asociacion të ketë të drejta për financim jashtëkufitare nga ana e Qeverisë së Serbisë, por nuk është përjashtuar mundësia që të financohet edhe nga Qeveria e Kosovës, si dhe t’i ketë burimet e veta të të ardhurave dhe buxhetin vetanak.

Gjithashtu thuhet se është rënë dakord që AKS të jetë e liruar nga të gjitha detyrimet dhe taksat e Kosovës.

Ndërkohë, sipas kërkesës serbe, ky AKS do të përbëhej nga pesë organe: Kuvendi i AKS-së, kryetari dhe zëvendësi, këshilli në të cilin do të ishin anëtarë edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse serbe dhe kryetarë komunash si dhe Këshilli Ekzekutiv apo bordi i cili do të kishte shtatë anëtarë përgjegjës për të gjitha fushat.