U kthyen të sëmurë nga Gjermania, tash nuk gjen trajtim mjekësor në Kosovë

  • 03 July 2015 - 21:51
U kthyen të sëmurë nga Gjermania, tash nuk gjen trajtim mjekësor në Kosovë

Izet Kryeziu nga Malisheva e ka kryer një operim në Gjermani, më 12 qershor. Por, ende pa u trajtuar plotësisht, ai është kthyer pa vullnetin e tij në Kosovë, më 25 qershor. Pas rikthimit në vendin e tij, ai nuk po arrin të gjejë trajtim nga mjekët kosovarë.

Para se të ktheheshin në Kosovë, Kryeziu me familjen e tij kanë qëndruar në një kamp në Gizen të Gjermanisë. Ai kishte shkuar atje që të merrte trajtim mjekësor, por autoritetet gjermane e kthyen, siç beson ai - gabimisht.

Klan Kosova ka kontaktuar me zyrën e emigracionit në qytetin e Gizenit. Zyrtarët gjermanë kanë deklaruar se nuk e kthejnë asnjë person pa lejen e mjekut që e ka trajtuar pacientin.

Ndërkaq, zyrtarë të Klinikës Universitare Gizen Marburg e kanë konfirmuar se ky person është trajtuar aty, por më detajisht mund të flasë vetëm mjeku që e ka kryer intervenimin.

Mirëpo, Klan Kosova e pati të pamundur të marrë një shpjegim nga doktori që e operoi Kryeziun.