Raporti i FMN-së, “mollë sherri” mes SHBA-ve dhe BE-së.

  • 03 July 2015 - 22:21
Raporti i FMN-së, “mollë sherri” mes SHBA-ve dhe BE-së.

Vendet e Eurozonës janë përpjekur më kot të ndalin FMN-në të publikonte analizën e zymtë të barrës së borxheve të Greqisë, të cilën qeveria e majtë greke e ka konsideruar si një faktor justifikues të thirrjeve të tyre ndaj votuesve për të refuzuar masat shtrënguese të shpëtimit.

Dokumenti, i publikuar në Uashington gjatë së enjtes, bënte të ditur se financat publike të Greqisë nuk do të jenë të qëndrueshme, pa një lehtësim të konsiderueshëm të borxhit, me shumë mundësi duke përfshirë anulimin prej partnerëve europianë të huave të garantuara prej taksapaguesve. Ai informonte gjithashtu edhe mbi faktin se Greqisë do t’i duheshin të paktën 50 miliardë euro ndihmë shtesë përgjatë 3 viteve të ardhshme, në mënyrë që të pretendojë normalizimin e financave.

Publikimi i draftit të “Analizave mbi Qendrueshmërinë e Borxhit” shkaktoi haptazi një mosmarrëveshje mes Brukselit dhe huadhënësit ndërkombëtar me seli në Uashington, teksa mbi të flitej nën zë dhe pas dyerve të mbyllura prej muajsh të tërë.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras citoi raportin në fjalë në një apel televiziv ndaj votuesve këtë të premte, që t’u thonë ‘Jo’ kushteteve të propozuara në masat shtrënguese, që gjithsesi skaduan në fund të qershorit për shkak se nuk u arrit një marrëveshje, ndërsa Athina falimentoi kundrejt FMN-së gjatë kësaj jave.

Ende nuk është e qartë nëse ky dokument misterioz do të influencojë në sondazhet në këtë fund drame, pas së cilës pritet të përcaktohet e ardhmja e Greqisë në Eurozonë, ndërsa bankat qëndrojnë ende të mbyllura, tërheqjen ‘cash’ nga bankomatet (ATM) janë racionalizuar, kurse tregtia është goditur ndjeshëm.

Në një takim me bordin e FMN-së, të mërkurën, europarlamentarët diskutuan mbi kohën se kur duhej publikuar një raport i tillë, ndërsa FMN-ja e publikoi në një kohë të shkurtër dhe pa njoftuar partnerët europianë, vetëm 3 ditë përpara referendumit deciziv të së dielës. Edhe pse në atë takim nuk u bë asnjë votim, europianët dukeshin qartë që ishin shumë të paktë përpara Shteteve të Bashkuara, që përbëjnë edhe zërin më të rëndësishëm në FMN, e që ishin në favor të publikimit.

Europianët kanë pasur shqetësime se, raporti do të zhvendoste vëmendjen nga pikëpamja që ata ndajnë me FMN-në, se qeveria e Tsiprasit në 5 muajt e qeverisjes që kur erdhën në pushtet, thjesht mbyti një ekonomi të brishtë, e cila ishte në hapat e parë drejt rikuperimit.

“Nuk ishte një vendim i lehtë”, tha një burim i FMN-së me njohuri mbi zhvillimet për “Reuters”. “Ne nuk jetojmë brenda një kulle të fildishtë këtu. Por, Bashkimi Europian duhet të kuptojë se, jo gjithçka mund të vendoset bazuar në urdhëresat e tyre”.

Bordi i FMN-së ka marrë në konsideratë të gjitha argumentet, përfshi edhe rrezikun se dokumenti mund të politizohej, por pikëpamja mbizotëruese ishte se të gjitha provat dhe shifrat duheshin paraqitur në mënyrë transparente përpara referendumit, transmeton TCH.

“Faktet janë kokëforte. Nuk mund t’i fshehim ato, sepse shumë mirë mund t’i shfrytëzojmë”, tha burimi i FMN-së në kushte anonimati. Zëdhënësja e FMN-së, Angela Gaviria, nuk komentoi mbi këtë zhvillim.