Ja çfarë thotë Policia e Kosovës për shkrimet e mediave serbe

  • 04 July 2015 - 13:01
Ja çfarë thotë Policia e Kosovës për shkrimet e mediave serbe

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka hedhur poshtë akuzat e mediave serbe, të cilat raportuan se rasti i vrasjes së dy turistëve çekë, ka ndodhur në Kosovë.

Sipas policisë, në bazë të informacioneve të PK-së rasti ka ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në fshatin Prekal të Shkodrës, e jo në Dukagjin të Republikës së Kosovës, siç potencohet në ato mediume serbe.

Ja reagimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës me qëllim, informimin e drejt të opinionit publik lidhur me disa shkrime të publikuara sot me (04.07.2015) në disa portale të ndryshme, kryesisht serbe të cilat raportojnë se“turistët çekë u vranë në Kosovë”, reagon ndaj këtyre shkrimeve të pavërteta dhe sqaron me sa vijon:

Lajmi duke përfshirë edhe foton ilustruese ku shihen pjesëtarët e Policisë së Kosovës duke aluduar kinse në vendin e ngjarjes, është i fabrikuar në atë mënyrë, saqë mediumi serb “Kurir”, për vrasjen e dy turistëve çek, shkruan se ka raportuar Policia e Kosovës.

Rasti i vrasjes së dy turistëve çek, të cilit i referohen këto mediume kryesisht serbe, në bazë të informacioneve që ne posedojmë ka ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në fshatin Prekal të Shkodrës, e jo në Dukagjin të Republikës së Kosovës, siç potencohet në ato mediume serbe.

Po ashtu edhe pjesa e lajmit e ilustruar me fotografi dhe kinse i raportuar nga Policia e Kosovës nuk qëndron, pasi që Policia e Kosovës nuk raporton për rastet që ndodhin jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm nuk duhet dezinformuar si në rastin konkrete nga disa mediume serbe, pasi që ne jemi të gatshëm të ju informojmë drejt për të gjitha rastet që ndodhin në Kosovë.

(Kosova Sot)